Presidenti Obama diskuton sfidat në fjalimin e parë mbi gjendjen e SHBA-së
Presidenti amerikan Barak Obama mbajti fjalimin e parë mbi gjendjen e vendit ku parashtroi politikat dhe synimet e tij për vitin në vazhdim. Presidenti e përdori këtë fjalim për të lehtësuar shqetësimet rreth ekonomisë në vështirësi ndërkohë që u përpoq të bindte popullin amerikan për nevojën e reformave të tij ambicioze. Me presidencën e tij në udhëkryq, pas nivelit më të lartë të papunësisë në dekada, defiçitit dhe humbjes së mbështetjes së publikut, Barack Obama premtoi të zgjidh problemet ekonomike dhe të jetë udhëheqësi transformues që amerikanët besuan me zgjedhjen e tij në postin e presidentin. Ai tha se nuk ka qënë asnjëherë më optimist për të ardhmen e Amerikës por se demokratët dhe republikanët duhet të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e vendit. "Përballemi me sfida të mëdha dhe të vërshtira. Ajo që shpreson populli amerikan dhe ajo që meriton ai është për të gjithë ne demokratët dhe republikanët të punojmë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona për të dalë mbi peshën mpirëse të politikës". Duke deklaruar “nuk dorëzohem” presidenti premtoi në fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit të bëjë krijimin e vendeve të reja të punës përparësinë e tij kryesore dhe i bëri thirrje kongresit të ndarë të nxisë ekonominë me shpenzime të reja stimuluese.Megjithë sprapsjen në reformën e kujdesit shëndetësor presidenti premtoi të luftojë duke thënë se në se reforma nuk miratohet në Kongres kostot e sigurimeve shëndetësore do të vazhdojnë të rriten dhe defiçiti do të shtohet. Presidenti pranoi se vendi përballet me probleme dhe sfida serioze dhe se disa nga vendimet e tij kanë qënë politikisht jo popullore. Megjithatë ai tha se nuk do të heq dorë nga planet e tij ambicioze për të zgjidhur problemin e kujdesit shëndetësor, energjisë dhe edukimit. Presidenti u mundua tu shtrijë dorën republikanëve duke thënë se ka ardhur koha për një bashkëpunim të ri dhe për të mos luftuar më të njëjtat beteja të lodhshme që kanë dominuar ëashingtonin për dekada me radhe. "Të investojmë tek njerëzit për të mos u lënë një mal me borxhe. Të përmbushim përgjegjësitë tona për qytetarët që na dërguan këtu. Të përpiqemi për synimin e përbashkët. Për ta bërë këtë duhet të kuptojmë se përballemi me më shumë sesa një defiçit të dollarit. Përballemi me defiçit të besimit". Presidenti tha gjithashtu se administrata e tij ka sjellë përsëri në fokus kërcënimet terroriste. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po punojmë për të ndrequr boshllëqet në sistemin e zbulimit që lejuan përpjekjen për sulmin terrorist në një avion amerikan ditën e krishlindjeve.Në çështjet ndërkombëtare, presidenti tha se edhe pse Shtetet e Bashkuara po luftojnë në Irak dhe Afganistan vendi përballet ndoshta me rrezikun më të madh për popullin – kërcënimin e armëve bërthamore. Ai tha se Korea e Veriut përballet me izolim në rritje dhe sanksione të fuqishme ndërsa Irani do të përballet me pasoja në rritje në se drejtuesit e tij vazhdojnë të injorojnë detyrimet ndërkombëtare. Në planin e brendshëm presidenti tha se do të punojë për të shfuqizuar një ligj që ndalon homoseksualët të shërbejnë në ushtrinë amerikane. Guvernatori i ri i sapoinaguruar i Virxhinias Bob McDonnell dha përgjigjen e republikanëve për fjalimin e presidentit Obama mbi gjendjen e vendit. Zoti McDonnell tha se qeveria federale po përpiqet të bëjë shumë dhe ka shtuar borxhin kombëtar për gjeneratat e ardhshme. Ai tha se pa reforma rritja e madhe e qeverisë kërcënon lirinë dhe prosperitetin e vendit.Kongresmeni Engel komenton mbi fjalimin e Presidentit Obama/Kongresmeni demokrat Eliot Engel, i cili njihet për lidhjet e ngushta me shqiptarët brenda dhe jashtë Amerikës, thotë se fjalimi për gjendjen e vendit u drejtohet të gjithë amerikanëve, qofshin ata demokratë apo republikanë. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, zoti Engel tha se megjithëse kohët e fundit ka patur rënie të mbështetjes së publikut ndaj administratës demokrate të Presidentit Obama, ekonomia po fillon ta marrë veten dhe niveli i mbështetjes do të rritet përsëri. Sa herë që një president amerikan mban fjalimin për gjendjen e vendit, kongresmeni Eliot Engel ndodhet gjithnjë aty në pritje për të shtrënguar duart me Presidentin. Ne e pyetëm zotin Engel se çfarë mesazhi përpiqet t’i dërgojë ai elektoratit të tij me këtë gjest. "Mesazhi është se ne duhet të punojmë së bashku për popullin amerikan pavarësisht nëse presidenti është demokrat apo republikan. Për mua është një nder që i jap dorën presidentit, sepse kjo mbrëmje, kur mbahet fjalimi për gjendjen e vendit nuk është një mbrëmje republikane apo demokrate por është një mbrëmje amerikane. Unë ndjehem i lumtur që ndaj të mirat e demokracisë amerikane me kolegët e mij të Kongresit dhe me Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Kur isha i ri dhe banoja në një lagje të Bronksit, as që ëndërroja se një ditë do të isha anëtar i Kongresit, aq më tepër se do të mund të shtrëngoja duart me Presidentin kur ai mban fjalimin më të rëndësishëm të vitit. Njerëzit në zonën time elektorale gjithnjë më thonë se u vjen mirë që më shohin duke u takuar me Presidentin sa herë që ai mban fjalime në Kongres. Përderisa votuesit e mij e pëlqejnë këtë, atëhere edhe mua më pëlqen". Presidenti Obama e mbajti fjalimin në një kohë kur mbështetja e publikut ndaj tij ka pësuar rënie. Kongresmeni Engel mendon se rënia shpjegohet me problemet e mëdha ekonomike që kishte vendi kur zoti Obama erdhi në Shtëpinë e Bardhë dhe se pas këtij fjalimi mbështetja për Presidentin do të rritet përsëri. "Njerëzit ankohen duke thënë se ka kaluar një vit dhe ende kemi probleme. Por unë mendoj se një vit më parë kaosi ishte aq i madh sa që do të duhet shumë më tepër se sa një vit për të dalë prej tij. Presidenti Obama nuk lejoi që vendi të zhytej në një depresion tjetër si ai që patëm në vitet 1930. Ne po fillojmë të shikojmë se papunësia po ulet megjithëse jo me shpejtësi të mjaftueshme. Por ekonomia po fillon ta marrë veten". Në Shtetet e Bashkuara, mandati i anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve zgjat dy vjet dhe zoti Engel, i cili gëzon mbështetjen e shumë shqiptarëve, do të jetë në garë për t’u rizgjedhur në nëntor të këtij viti. Ne e pyetëm kongresmenin nëse do ta ketë të vështirë ta mbajë vendin e tij në Kongres në kushtet kur mes publikut amerikan ka shumë zhgënjim me administratën demokrate. "Jam me shumë fat që njerëzit e mirë të zonës sime elektorale më kanë zgjedhur e rizgjedhur 11 herë rresht. Më pëlqen kjo seri fitoresh që kam arritur dhe nuk kam ndërmend të ndalem tani. Unë do të kandidoj përsëri dhe kam shpresë se njerëzit do të më rizgjedhin. Më pëlqen gjithmonë të përsërish shprehjen se votuesit e zonës sime më japin një kontratë dyvjeçare sepse kaq e kam mandatin. Kur mbaron ky mandat unë dal përsëri përpara tyre dhe u bëj thirrje të më japin një kontratë të re. Unë do ta bëj këtë përsëri këtë vit me shpresën se ata do të jenë dakord të më rizgjedhin".VOA...