E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Obama fillon fushatën për zgjedhjet presidenciale

Presidenti Barak Obama fillon zyrtarisht më 5 maj fushatën presidenciale me tubime në dy shtete të rëndësishme për zgjedhjet, Ohajo dhe Virxhinia. Gara mes zotit Obama dhe rivalit të tij republikan, ish-guvernatorit të Masaçusetsit Mitt Romney praktikisht ka filluar.

Kanë mbetur rreth gjashtë muaj deri në ditën e zgjedhjeve. Strategjia republikane për të larguar nga pushteti Presidentin Obama është bërë mëse e qartë, ata duan që votuesit të përqendrohen në problemet ekonomike gjatë administratës Obama.

Pothuajse të gjithë rivalët e zotit Romney janë tërhequr nga gara dhe ish-guvernatori i Masaçusetsit tani duket se e ka të garantuar emërimin e partisë së tij në gusht. Zoti Romney pritet që brenda pak javësh të sigurojë numrin minimal të delegatëve që i duhen për të marrë këtë emërim.

Tani kandidati republikan e ka përqendruar vëmendjen tek Presidenti Obama dhe po u premton amerikanëve forcimin e ekonomisë nëse zgjidhet në nëntor:

“Ata që kanë ëndrra mund të thurin ëndrra edhe më të mëdha, pronarët e bizneseve do të fillojnë të kërkojnë njerëz për punë. Këtë herë do i bëjmë gjërat si duhet”.

Analistët thonë se është pak a shumë e sigurtë që ekonomia do të jetë tema vendimtare në zgjedhjet e nëntorit. Fushata ka gjasa të nxjerrë në pah dallimet mes dy kandidatëve për sa i përket rolit dhe përmasave të qeverisë federale.

Zoti Romney ka premtuar shkurtime të mëdha në shpenzimet qeveritare, ndërsa presidenti zotohet që t’i shfrytëzojë programet qeveriare për të nxitur rritjen ekonomike:

“E kam mbajtur këtë premtim dhe vazhdoj ta kem mendjen tek mirëqënia juaj. Vazhdoj të kem besim tek ju dhe nëse bashkoheni me mua, ne do t`i tregojmë botës përse Amerika është vendi më i madh në botë”.

Ndër ata që po e ndjekin me vëmendje këtë fushatë është Ken Duberstein, i cili ka qenë shef i personelit të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Presidentit Regan në vitet 1980. Ai parashikon një garë të fortë, rezultati i së cilës do të varet nga dallimet që shohin votuesit mes arritjeve të Presidentit Obama dhe premtimeve të zotit Romney:

“Nëse këto zgjedhje do të jenë një referendum mbi këto 3 vjet e gjysmë të Presidentit Obama, përgjithësisht mbi gjendjen e ekonomisë, Guvernatori Romney ka një shans të mirë të zgjidhjet president. Nëse zgjedhjet janë një referendum mbi punën e Partisë Republikane dhe të kaluarën politike të zotit Romney, atëherë Presidenti Obama ka shanse të sigurojë një mandat të dytë”.

Zotit Romney i duhet të bashkojë Partinë Republikane pas një fushate të vështirë, në përpjekje për të siguruar mbështetjen e krahut konservator të partisë.

Por kandidatit republikan i duhet të përqendrohet tani edhe tek votuesit e moderuar në mes të spektrit politik, të cilët luajnë një rol kyç në përcaktimin e fituesit kur ka një garë të fortë presidenciale.

Shumica e anketave tregojnë se presidenti ka një epërsi të vogël mbi zotin Romney. Por ekspertët vërejnë se avantazhi i zotit Obama nuk është shumë i madh, sidomos duke pasur parasysh që ai është presidenti aktual, dhe mund të fashitet nëse votuesit i gjykojnë negativisht ritmet e rimëkëmbjes ekonomike.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›