E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Obama mbron propozimin për sistemin shëndetësor para publikut amerikan

Presidenti Barak Obama e zhvendosi dje përpjekjen për reformimin e sistemit shëndetësor direkt tek populli amerikan, përmes një konference për shtyp që kishte të bënte kryesisht me reformimin e sektorit të kujdesit shëndetësor.

Zoti Obama tha se ka besim që Kongresi këtë vit do ta miratojë reformën për kujdesin shëndetësor, që ul koston, krijon mundësi për më shumë zgjedhje dhe u garanton amerikanëve sigurime shëndetësore tek të cilat ata mund të mbështeten. Ai tha se 47 milionë amerikanë nuk kanë sigurime shëndetësore. 

Ai tha se do ta kundërshtonte legjislacionin që mbështetet financiarisht kryesisht nga taksat e familjeve të klasës së mesme, ose një paketë që e shton defiçitin amerikan. Ai tha se sipas vlerësimeve, dy të tretat e kostos së reformës së kujdesit shëndetësor mund të mbulohen duke i ndryshuar drejtimin shpenzimeve pa vlerë në programet federale të kujdesit shëndetësor. 

Republikanët që përbëjnë pakicën në Kongres, bien dakord që kostoja e kujdesit të shëndetësor është shumë e lartëm por ata thonë se ndryshimet e propozuara do të kushtojnë shumë më tepër sesa e kanë llogaritur Presidenti Obama dhe demokratët. Republikanët janë gjithashtu kundër një propozimi për njëç taksë për të pasurit për të ndihmuar për të paguar planin.

Nisma e Presidentit Obama për të reformuar sistemin e kujdesit shëndetësor po e humb mbështetjen e publikut dhe ligjvënës nga të dyja palët kanë shprehur shqetësimin për koston e tij.

Kështu, zoti Obama mbajti një konferencë për shtyp për të paraqitur argumentat e tij në favor të reformimit të sistemit të sigurimeve, si një çështje që duhet të jetë përtej politikës.

"Bëhet fjalë për çdo familje, çdo biznes dhe çdo taksapagues që vazhdon të mbajë mbi supe barrën e një problemi që Uashingtoni nuk ka arritur ta zgjidhë prej dekadash me radhë. Ky debat nuk është një lojë për këta amerikanë dhe ata nuk mund të presin më gjatë për reformat”.

Zoti Obama akuzoi republikanët se po bënin lojra politike me këtë çështje, pasi të paktën një senator i opozitës tha se dështimi i reformës shëndetësore mund ta godiste rëndë presidentin.

Megjithatë udhëheqësi i pakicës në senat Miç Mekonëll tha më herët se Republikanët janë gjithashtu të shqetësuar me politikat, jo me politikën partiake.

"Ne nuk i urojmë askujt të keqen. Ne duam që politika të jetë ajo e duhura”.

Ndërsa udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve Xhon Bejnër tha se amerikanët janë të shqetësuar se propozimi i Presidentit Obama do të sjellë ndërhyrje të tepruar në qeverisë në jetën e njerëzve.       

"Por unë mendoj se ajo që shohin amerikanët është marrja nën kontroll e kujdesit shëndetësor nga qeveria, një plan që ata nuk e mbështesin”.

Në konferencën e shtypit, zoti Obama tha se nëse sistemi nuk ndryshon 14 mijë amerikanë do të humbasin sigurimet shëndetësore çdo ditë. Dhe ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të kontrollojnë defiçitin nëse nuk mund të kontrollojnë koston e kujdesit shëndetësor.

Ai mbrojti afatin e fillim gushtit për miratimin e legjislacionit nga Kongresi, megjithëse është pothuajse e sigurt që një gjë e tillë nuk do të realizohet.

"Nëse nuk vë afate, këtu në Uashington gjërat nuk ecin. Pozicioni i zakonshëm është letargjia, pasi po të bësh diçka, ka gjithmonë njerëz që bëhen të pakënaqur”.

Shtatë nga 10 pyetjet që iu bënë Presidentit Obama kishin të bënin me kujdesin shëndetësor. Zoti Obama iu përgjigj edhe pyetjeve për sistemin financiar dhe tha se po bëhet përparim.

"Nuk jemi aty ku duhet. Por nuk po thuhet më se sistemi shëndetësor është në buzë të greminës”.

Ishte konferenca e parë për shtyp e Presidentit Obama në të cilën atij nuk iu bënë pyetje për marrëdhëniet me jashtë. //kk//


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›