E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrihet piku në PS. Të gjithë duan “zhdukjen” e Ramës, ai bën shurdhin

Shtohen zërat kundër edhe pas përjashtimeve dhe linçimeve të krerëve lokalë të PS-së në Shkodër e Lushnje

Partia Socialiste vazhdon ti referohet të njëjtës strategji dhe të njëjtave deklarata, duke i dhënë përparësi puçit partiak, për të eliminuar zërat kritikë kudo që ata ndodhen, mjaftojnë të jenë anëtarë të PS-së. Një strategji e tillë, në shkelje të hapur me statutin e PS-së, ndonëse e mirëmenduar, ka marrë reagimet më të ashpra nga eksponentë socialistë, kundërshtarë të Edvinit, të cilët tashmë kur po kuptojë se pozicionet dhe madje edhe koka e tyre po vihet në diskutim dita-ditës, i japin hov inkursionit për dorëheqjen e Edi Ramës nga drejtimi i PS-së.  

Pas shkarkimit të kreut të degës së PS Lushnjë, Leonard Gogu dhe dhunimit të Asamblesë drejtuese të degës së PS-së Shkodër, statuti themeltar i kësaj parti është përdhosur totalisht, duke e zëvendësuar atë me një statut alla Edvin-alla Enverist, ku i pritet koka atij që kritikon dhe del kundër rrymës. Kësisoj, në Partinë Socialiste nuk mund të flitet më, për frymë demokratike. Edhe socialistët e thjeshtë po ndjehen të kërcënuar dhe ndjekin me neveri të plotë kasaphanën politike të Edvinit në bazën e PS dhe në kryesinë e saj. 

Sikur të mos mjaftonte kjo, pështjellimi i situatës në partinë opozitare, e ka kuadruar atë drejt një kolapsi të thellë, duke e çuar buzë greminës, nga ku pritet të jepet alarmi “SOS”, që do të thotë dështimin përfundimtar të misionit të Edvinit dhe madje duke rrezikuar seriozisht qëndrimin e strukturave të Partisë Socialiste.    

Përfaqësuesit e PS-së, kundërshtarë të hershëm të Ramës, shprehen se me këto lëvizje barbare ai ka shkelur rëndë statutin dhe po shkatërron partinë. Kryetari i Partisë Socialiste të Lushnjes, Leonard Gogu, deklaroi se kjo është një lëvizje e Edi Ramës për të eliminuar zërat ndryshe dhe për të shkelur statutin që ai vetë e ndryshoi dhe aspak një qëndrim i anëtarësisë socialiste. Por Leonard Gogu, një prej krerëve lokale socialiste më të votuar sipas parimit një anëtar një votë, thotë gjithashtu se me këto forma, Rama po e shkatërron Partinë Socialiste. Me këto lëvizje në fakt ndodhi ajo që pritej. Qëndrimi i 

Edi Ramës në krye të PS–së në shkelje të statutit ka futur në sherr drejtuesit në bazë, duke thelluar krisjen në këto struktura jetike të partisë më të madhe në opozitë, çka po i shkakton asaj dëmin më të madh pas lënies në opozitë edhe për katër vjet të tjera.

Kandidati për deputet i PS-së Arben Malaj, komenton situatën kritike në partinë opozitare dhe i bën thirrje Ramës që të ndalë sa me parë dhe në mënyrë publike fushatat penalizuese ndaj personave që janë kritikë apo kërkojnë dorëheqjen e tij.

Sipas tij ky fenomen përjashtimesh dhe nxitje përplasjesh është ngjarja më rëndë që po ndodh në historikun e Partisë Socialiste. 

“Ky presion dhe ky denigrim mbytës është cenim i rëndë i të drejtave elementare të çdo individi. Aty ku cenohen liritë elementare të të shprehurit aty liritë politike kufizohen apo nuk ekzistojnë. ‘Disiplina partiake’ dhe ‘solidariteti partiak’ janë alibi të dëmshme dhe të pamjaftueshme për ta fshehur mentalitetin jo demokratike, që kur tolerohet rrezikon te sjell diktaturë në rritje”, u shpreh Malaj.

Ai gjithashtu shton se në qoftë se ky konflikt rritet ai natyrshëm ashpërsohet, një ashpërsim i ballafaqimit publik midis mbështetësve dhe të pakënaqurve brenda vetë Partisë Socialiste, rrezikon të krijojë një ambient të vështirë politik. “Sfida reale e liderit të ardhshëm të Partisë Socialiste do të jetë pikërisht rikthimi i besimit dhe përkushtimit brenda forcës politike si parakusht për kredibilitetin publik dhe mbështetjen publike në rritje që i nevojiten Partisë Socialiste në çdo sfidë të ardhshme”, përfundon komentin e tij deputeti socialist Arben Malaj.

Ndërkaq, një tjetër eksponent i njohur i selisë rozë dhe i politikës në vend, anëtari i kryesisë socialiste Pandeli Majko, ndërsa ka pranuar humbjen e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit, njëherazi ka kërkuar që të bëhet një analizë e hollësishme për arsyet dhe shkaqet e këtij dështimi.

Pra, kur të gjithë duan largimin e Edi Ramës, ai ende, në kundërshtim me statutin qëndron në krye të PS-së. Kur të gjithë duan shporrjen e tij nga skena politike se është i dështuar dhe me prirje të vazhdueshëm prej dështaku, ai vazhdon të jetë i pabindur dhe të aktivizojë mekanizmat e vjetruar të atit të tij shpirtëror, Enver Hoxha, se si mund të eliminohen zërat kundër në parti. Të njëjtën gjë është duke bërë edhe ky përfaqësues i “rrymave demokratike”, që përveç autokracisë dhe hijen e diktatorit asgjë të re nuk i solli politikës shqiptare. 

Në PS është arritur piku, ndaj edhe baza ka vendosur që nëpërmjet Kongresit, t’i japë asgjësimin përfundimtar atij, ndonëse ai vazhdon të bëjë shurdhin. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›