E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Liberalizimi i vizave do të bëhet i mundur brenda vitit 2010

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjykon se qeverisja e ardhshme PD-LSI, e njohur ndryshe si koalicioni i Integrimit, do të bëjë të mundur liberalizmin e vizave Shqipëri-BE, brenda vitit 2010. Meta u shpreh se liberalizimi i vizave është një nga prioritetet kryesore të qeverisë së re. “Liberalizimi i vizave do të bëhet i mundur brenda vitit 2010. Koalicioni i Integrimit ka si përparësi kryesore lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, të të gjithë të rinjve”, tha Meta, gjatë fjalës së tij para të rinjve të LRI, në kampin veror të Jalës. Ilir Meta theksoi gjithashtu se një tjetër përparësi e qeverisë së ardhshme do të jetë edhe punësimi, në sajë të një programi të qartë dhe fleksibël që do të zbatohet menjëherë pas mandatimit të kabinetit të ri qeverisës. 

“Prioritet do të mbetet edhe punësimi. Punësimi i të rinjve, të cilëve LSI ju është mirënjohëse, për mbështetjen e fuqishme që i dhanë kësaj force politike në zgjedhjet e 28 Qershorit. Ndaj Koalicioni për Integrim, do të ketë si prioritet rininë shqiptare, punësimin e të rinjve shqiptarë”, u shpreh Meta.

Në këtë aktivitet marrin pjesë rreth 300 të reja dhe të rinj nga e gjithë Shqipëria.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›