E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini: Brenda verës miratohet kërkesa e Shqipërisë për anëtarësimin në BE

Ministri i Jashtëm italian Franko Frattini, gjatë një konference për shtyp ka deklaruar se brenda verës, BE-ja do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së kryeministrit Berisha për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim të plotë në BE, ndërkohë që ka propozuar mbajtjen e një samiti për përafrimin e procesit të anëtarësimit të vendeve ballkanike në Union

Shqipëria nuk mund të presë. Brenda periudhës së verës, duhet të aprovohet kërkesa e Shqipërisë në BE, kërkesa e saj nuk duhet të qëndrojë e mbyllur në sirtarët e ndonjë burokrati në Bruksel. 

Kështu u shpreh ministri i Jashtëm italian Franco Frattini, në një deklaratë dhënë për mediat e vendit fqinj Agencia Di Stampa dhe ANSA, gjatë një konference lidhur me proceset para-integruese në BE të mbajtur në Trieste.

Shefi i diplomacisë italiane konfirmoi se Bashkimi Evropian do të miratojë brenda kësaj vere aplikimin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. “Shqipëria nuk mund të presë. Brenda periudhës së verës, duhet të aprovohet kërkesa e Shqipërisë në BE”, ka deklaruar Frattini, duke shtuar se kërkesa e bërë nga qeveria shqiptare nuk duhet të qëndrojë e mbyllur në sirtarët e ndonjë burokrati në Bruksel. 

Sipas tij, vendet e Ballkanit nuk mund të përjashtohen nga procesi i madh i bashkimit.

Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini u bën thirrje liderëve të BE, që të japin një sinjal politik të nivelit të lartë dhe Bashkimi Evropian të deklarohet, për të ardhmen e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit, brenda në Union. 

Ai i bën thirrje Brukselit që të mos fshihet pas formaliteteve, por duhet t’u përcaktohet koha e saktë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të qenë pjesë e integruar e BE-së. Ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini, një njohës i mirë i problematikës së Ballkanit Perëndimor, por edhe një mik i shqiptarëve, në një konferencë për shtyp të mbajtur dje në mesditë, ka shpallur edhe nismën më të fundit të qeverisë italiane, atë të mbajtjes së një samiti me vendet e hapësirës ballkaniko-danubiane - siç e quajti ai - të cilët do të marrin garancitë për anëtarësimin e shpejtë të tyre në BE. Duke mirëpritur kërkesën e Islandës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Frattini deklaroi se duhet të garantojmë qeverinë e Shqipërisë se në afatin më të vonë, brenda kësaj vere, do të miratohet edhe kërkesa e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar me të drejta të plota në BE. Gjatë konferencës për shtyp në Trieste, ai kujtoi gjithashtu se duheshin përcaktuar afate konkrete edhe për procedurat e anëtarësimit të vendeve të tjera të rajonit, si Kroacia, Mali i Zi apo Serbia. “Dhjetë vjet nga fundi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë, ka ardhur momenti që këto qeveri të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Propozoj një konference mes të gjitha vendeve të rajonit për të favorizuar procesin e anëtarësimit në BE të vendeve si Shqipëria, Serbia, Bosnja apo Mali i Zi”, është shprehur Frattini. Shefi i diplomacisë italiane theksoi se qëllimi kryesor i samitit, në të cilin do të jenë të pranishëm krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit, duhet të ketë si qëllim kryesor vendimin për hyrjen në bllokun 27-anëtarësh. Gjatë konferencës për shtyp nuk është përmendur Kosova, për të cilën duket se do të praktikohen procedura sui generis anëtarësimi edhe për shkak të veçantisë që paraqet shteti i ri ballkanik.

Shqipëria e dorëzoi aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian më 28 Prill të këtij viti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›