Procesi kartave të identitetit reformë e suksesshme, opozita dështoi me mesazhet e saj shkurajuese

Kryeministri Berisha takon delegacionin e Komisionit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për zgjedhjet e 28 qershorit
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me një delegacion të Komisionit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i ngarkuar me vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Anëtarët e komisionit, të kryesuar nga parlamentarja holandeze Corien Jonker, shprehën falënderimin për pritjen e ngrohtë dhe informuan se një delegacion prej 20 parlamentarësh do të vijë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet.
Kryeministri shprehu rëndësinë themelore që kanë zgjedhjet e këtij muaji për Shqipërinë në integrimin europian të vendit. Ai informoi mbi përpjekjet që po bën qeveria, përkrah administratës zgjedhore, për arritjen e standardeve më të mira në zgjedhjet e 28 qershorit.
Kryeministri Berisha, në përgjigje të interesit të anëtarëve të delegacionit , i informoi ata në lidhje me arritjet e reformës zgjedhore konsensuale, e cila reformoi rrënjësisht sistemin zgjedhor, rriti besueshmërinë e administratës zgjedhore, adaptoi standardet më të mira të Këshillit të Evropës mbi transparencën e financimit të fushatës zgjedhore, rriti transparencën dhe efikasitetin e procesit të numërimit, etj..
Në lidhje me pajisjen e shtetasve me letërnjoftime elektronike, pasi nënvizoi reformën e suksesshme që solli modernizimin e shërbimit të gjendjes civile, kryeministri theksoi punën e shkëlqyer të kryer nga konsorciumi konçensionar që po prodhon dokumentet biometrikë të identitetit, i cili ka vënë në dispozicion të procesit në të gjithë vendin mbi 500 poste aplikimi me kapacitet më se të mjaftueshëm për përballimin e plotë të kërkesave.
Kryeministri informoi se sistemi i aplikimit është shfrytëzuar vetëm me një të tretën e kapacitetit ditor që disponon dhe se qeveria shqiptare ka mundësuar plotësisht për të gjithë shtetasit pa pasaporta që të pajisen me letërnjoftim, kundrejt jo më shumë se 200 lekësh, në rast se aplikojnë para zgjedhjeve parlamentare. Si rrjedhojë, kanë aplikuar rreth 1.250.000 shtetas, prej të cilëve rreth 750.000 i kanë marrë tashmë letërnjoftimet, ndërkohë që ritmi i aplikimeve dhe shpërndarjes së dokumenteve vjen gjithnjë në rritje.
Kryeministri konstatoi se përkundër thirrjeve të vazhdueshme të qeverisë që shtetasit të pajisen me letërnjoftim, opozita ka dhënë pa sukses mesazhe shkurajuese që nuk kanë mundur të cenojnë suksesin e procesit dhe shprehu vendosmërinë për zhvillimin e zgjedhjeve në afatin e tyre kushtetues.
Në mbyllje të takimit, pasi siguroi delegacionin për një proces të standardeve më të mira demokratike, kryeministri shprehu edhe një here kënaqësinë dhe mirëpritjen për pjesëmarrjen në zgjedhje të misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
...