Presidenti Obama paraqet sot projektbuxhetin e ri në Kongres
Presidenti Barak Obama paraqet sot në Kongres propozimin e tij të parë për projektbuxhetin e ri dhe zyrtarë të administratës thonë se ai përfshin një fond prej 634 miliardë dollarësh për reformën shëndetësore, si dhe shkurtime në disa programe.
Presidenti ka thënë se ai synon ta shkurtojë deficitin buxhetor të qeverisë amerikane përgjysëm në 4 vjet, megjithë nevojën për shpenzime të të reja të shumta, në përpjekje për të ndryshuar kahjen e rënies ekonomike të vendit.
Dje Presidenti Obama bëri thirrje për rregulla të reja, më të forta për industrinë e financave pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Thesarit Timothy Geithner dhe anëtarë të lartë të dy komisioneve financiare të Kongresit.
Zoti Obama tha se pjesë e shkakut të krizës aktuale financiare është se rregullat federale nuk kishin ecur krahas me ndryshimet që ka pësuar tregu.
Në një intervistë për televizionin amerikan, zoti Gaithner tha se ndjehet "tepër i ofenduar"nga gjykimet e bëra nga institucionet financiare të vendit. Ai tha se "ato kanë krijuar një boshllëk të madh mosbesimi tek publiku"dhe se kanë detyrimin ta rikthejnë atë.
Zoti Obama tha se buxheti i tij do të përdoret për investime në fushën e energjisë, shërbimit shëndetësor dhe arsimit, fusha për të cilat ai thotë se janë kritike për të ardhmen e ekonomisë së vendit.
Në fjalimin që mbajti të martën në Kongres, zoti Obama tha se plani i stimujve ekonomikë që ai nënshkroi javën e kaluar, është një hap drejt rimëkëmbjes dhe u zotua se "vendi do të dalë më i fortë se më parë"nga kriza aktuale.
Anketimet e opinionit të kryera nga rrjetet televizive CNN dhe CBS menjëherë pas fjalimit të zotit Obama tregojnë se planet e tij për ekonominë janë miratuar nga shumica e amerikanëve. Por të dhëna të reja ekonomike dje treguan arsyet përse disa amerikanë janë të shqetësuar për ekonominë, ndërsa shitjet e shtëpive u pakëuan ndjeshëm dhe është rritur shumë numri i të papunëve.//lk