Më 28 qershor, ju mund të vendosni fatin e zgjedhjeve

Ambasadori amerikan Xhon Uithers motivon të rinj shqiptarë për të votuar
“Askush nuk thotë se demokracia është një gjë e lehtë, por qëllimi është që secila prej degëve të pushtetit duhet të kryejë rolin e saj korrekt që i takon, rolin e pavarur”
TIRANE - Jeni ju ata që me votë zgjidhni mënyrën sesi doni të qeveriseni. Kështu iu është drejtuar ambasadori i Shteteve të bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uithers të rinjve të Universitetit të Tiranës. Ambasadori Uithers iu drejtua dje studentëve të Universitetit Politeknik të Tiranës me një leksion mbi “Rolin e të rinjve në forcimin e demokracisë dhe lirisë”.
“Ju të rinjtë mund ta shprehni vullnetin tuaj në zgjedhjet që do të zhvillohen në verë. Por ajo që është më e rëndësishme është ajo që ju do të bëni pas zgjedhjeve. Nëse ka dikush që mund të ndryshojë botën ata jeni ju. Unë ju sugjeroj ta provoni dhe të votoni”, u shpreh Uithers, në mesazhin e tij motivues për këtë shtresë që këto vite tranzicion ka qëndruar përgjithësisht larg proceseve zgjedhore, duke shfaqur mungesë të theksuar interesi.
Sipas përfaqësuesit të shtetit amerikan në Tiranë, vota është kontributi më i madh i shqiptarëve për vendin e tyre dhe në këtë aspekt, u takon edhe të rinjve të shprehin vullnetin e tyre.
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë përsëriti në këtë kuadër apelin drejtuar institucioneve përgjegjëse për përfundimin në kohë të infrastrukturës zgjedhore për zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
“Duhet të ndërtohet infrastruktura zgjedhore dhe në këndvështrimin tim një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj infrastrukture do të realizohet pas pak javësh, kur Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s. Në një kohë kur lëvizjet integruese të Shqipërisë në demokracitë më të mirëthemeluara të botës, afrohen gjithnjë e më pranë, ne kemi në Shqipëri një sërë programesh, qëllimi i së cilave është ndihma për ndërtimin e demokracisë”, tha ambasadori amerikan në Tiranë.
Në këtë drejtim, Uidhers u shpreh se “ekzistenca e gjyqësorit të pavarur nuk e bën demokracinë të vështirë, përkundrazi e bën atë të shkëlqyer. Askush nuk thotë se demokracia është një gjë e lehtë, por qëllimi është që secila prej degëve të pushtetit duhet të kryejë rolin e saj korrekt që i takon, rolin e pavarur”, nënvizoi ai duke ritheksuar me këtë rast mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin Shqipërisë për ndërtimin e demokracisë.
Në fund, ai nuk ka harruar as të përmendë faktin se femrat duhet të përfshihen në listat zgjedhore sipas klauzolës së parashikuar në Kodin zgjedhor, pra mbështeti pjesëmarrjen më të lartë të tyre në politikën vendase.