E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria nuk është në krizë, vendi, i pari në rajon për rritjen ekonomike”

Përfaqësuesi i FMN-së Gervin Bell, vlerëson performancën ekonomike të ndjekur nga qeveria dhe rikonfirmon pozicionin primar të Shqipërisë, për sa i përket rritjes ekonomike

“Është e rëndësishme të nënvizohet, se Shqipëria është rritur më shumë se vendet e tjera në 10 vitet e fundit kur kushtet ishin të mira. Ne mendojmë se Shqipëria do të ecë më mirë se vendet e tjera në rajon edhe tani që kushtet janë të këqija. Shqipëria në një pozicion disi më të mirë se të tjerët për shkak të disa politikave të mëparshme dhe veçanërisht me programin që ne kemi pasur me Shqipërinë”

TIRANE - “Shqipëria nuk është në krizë ekonomike”.
Pas deklaratave të kryeministrit Berisha apo zyrtarëve të tjerë, konfirmimi vjen edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, përfaqësuesi i të cilit në vendin tonë, që thotë se ekonomia shqiptare nuk është në krizë dhe se rritja ekonomike do të vazhdojë edhe gjatë 2009-ës.
“Unë nuk mendoj se Shqipëria është në krizë, Shqipërisë do t’i duhet të përballet me një ngadalësim dhe politikat duhet t’i përshtaten kësaj. Një situatë krize do të ndihej shumë më fort se kjo që ne po parashikojmë. Ju do të keni një ngadalësim, do të krijohen më pak vende pune, do të ketë më pak investime dhe në përgjithësi do të jetë më e vështirë për të marrë kredi. Por në përgjithësi do të ketë një ekonomi që funksionon normalisht. Do të jetë më e vështirë, por nuk po parashikojmë krizë. Është e rëndësishme të nënvizohet, se Shqipëria është rritur më shumë se vendet e tjera në 10 vitet e fundit kur kushtet ishin të mira. Ne mendojmë se Shqipëria do të ecë më mirë se vendet e tjera në rajon edhe tani që kushtet janë të këqija. Shqipëria në një pozicion disi më të mirë se të tjerët për shkak të disa politikave të mëparshme dhe veçanërisht me programin që ne kemi pasur me Shqipërinë”.
Deklarata është bërë përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që ka mbërritur në Shqipëri, Gervin Bell.
“FMN vlerëson politikën e kujdesshme të ndjekur nga qeveria, e cila ka garantuar rritjen ekonomike dhe stabilitetin makroekonomik. Gjithsesi, këtë vit të ardhurat në buxhet mund të tkurren, tha Bell, dhe në kompensim qeveria duhet të vërë në shfrytëzim fondin e kontingjencës”.
Bell shtoi se “Ne parashikojmë mundësinë e taksave më të ulëta indirekte, por edhe të ardhura më të ulëta nga tatimi mbi të ardhurat personale, në rast se papunësia do të rritej. Gjëja e rëndësishme është se kjo nuk do ta gjejë buxhetin të papërgatitur. Buxheti ka shpenzime kontingjente në masën 2% të PBB-së. Në rast se ka një mosrealizim të ardhurash deri në 2% të PBB-së (dhe ne nuk mendojmë se do të ketë një mosrealizim më të madh), ky mund të përballohet nga buxheti thjesht duke mos i shpenzuar këto kontigjenca”.
Bell e shikon dobësimin e lekut si një faktor që mund të ketë dhe efekte pozitive, duke rritur eksportet dhe nxitur prodhimin vendas.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›