Liberalizimi i vizave, përfitimi i parë madhor nga procesi i integrimit në BE
Shpresa për një rikualifikim të Shqipërisë, si një rast që i ka përmbushur parakushtet kryesore të vendosura nga Komisioni Evropian për nisjen e procedurave për heqjen e plotë të regjimit të vizave me vendet e zonës Shengen
TIRANE - Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u mblodh dje Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, me qëllim analizimin e punës në prag të misionit që vjen nga Komisioni Evropian për të verifikuar dhe për të diskutuar mbi të gjithë kuadrin e masave të ndërmarra nga pala shqiptare, në mënyrë që Shqipëria të meritojë heqjen e vizave me vendet e Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se “heqja e vizave me Bashkimin Evropian, pas anëtarësimit të vendit në NATO, përbën objektivin e dytë më madhor të kësaj qeverie”.
Kryeministri u shpreh se “Liberalizimi i vizave është pjesë e procesit të integrimit, por për qytetarët shqiptarë kjo është ndoshta dhe pjesa më palcore e procesit të integrimit, pasi lëvizja e lirë e tyre në hapësirën evropiane është përfitimi i parë madhor dhe më kryesor që ata kanë nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian”, duke vlerësuar se në këtë drejtim është bërë një punë serioze dhe e gjithanshme.
Kryeministri Berisha përmendi si shumë pozitive dhe të rëndësishme raportet më të fundit, të cilat dëshmojnë se Shqipëria ka bërë përparime thelbësore në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Në këtë kontekst Berisha vlerësoi se “Shumë pozitive dhe të rëndësishme janë veçanërisht raportet më të fundit, të cilat dëshmojnë se Shqipëria ka bërë përparime thelbësore në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe që dëshmojnë se Shqipëria nuk është më rrugë kryesore apo transiti e trafikut të drogës drejt perëndimit, por kjo rrugë ndjek tani trajektore të tjera”, u shpreh Kryeministri.
Si mjaft pozitive në këtë proces Kryeministri vlerësoi dhe pajisjen e qytetarëve me karta identiteti të teknologjisë më të avancuar. Si shumë të rëndësishme, Kryeministri Berisha vlerësoi si mjaft të rëndësishme punën e çdo agjencie dhe ministrie, pasi “ekipet që vinë për të parë gjendjen në vend, në një numër shumë të madh takimesh me institucione të ndryshme, do të bëjnë një raport pothuajse përcaktues, pasi në maj mblidhet Komisioni për të marrë vendime të rëndësishme”.
Duke u ndalur në procesin e liberalizimit të vizave, Kryeministri u shpreh se ky proces ka pasur një mbështetje të gjerë politikisht, por kjo nuk mjafton.
“Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, politikisht si proces ka mbështetje të gjerë, por kjo nuk mjafton. Rëndësi kryesore këtu kanë ministrat e Punëve të Brendshme”, u shpreh Berisha.