Esmeralda Uruçi, blerja e re e Edi Ramës, me paratë e korrupsionit të tij bashkiak

Tri muaj më parë, kishte mbështetur edhe grevën e urisë së deputetëve të LSI-së
Esmeralda Uruçi, ish-Ministrja e Kulturës, pasoi Edi Ramën në këtë detyrë. Pas marrjes së detyrës, ajo zbardhi dhe publikoi një sërë akuzash për vjedhje dhe abuzime në Ministrinë e Kulturës që kishte bërë pararendësi i saj Edi Rama
TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama po vepron edhe kurriz të politikës së tij të re, duke risjellë në selinë rozë socialistët e larguar para 5 viteve. Pas kreut të LSI-së në Urën Vajgurore, merkatoja politike ka vijuar dje me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Shkodër, Esmeralda Uruçi, e cila ka deklaruar rikthimin te PS-ja.
Esmeralda Uruçi, ish-Ministrja e Kulturës, pasoi Edi Ramën në këtë detyrë. Pas marrjes së detyrës, ajo zbardhi dhe publikoi një sërë akuzash për vjedhje dhe abuzime në Ministrinë e Kulturës që kishte bërë pararendësi i saj Edi Rama. Ndërsa jo më larg se tri muaj më parë, Esmeralda Uruçi ishte një nga përkrahëset më të zjarrta të grevës së urisë së deputetëve të LSI-së.
Pas deklaratës së Esmeralda Uruçit për largim nga LSI-ja dhe rikthim te PS-ja, ka reaguar, Lëvizja Socialiste për Integrim.
Drejtori i Medias dhe Informacionit në LSI, Dritan Ylli tha se LSI është një forcë politike me mision shumë të rëndësishëm në jetën politike shqiptare që “nuk mund të ngelet kurrsesi peng nga interesa të dyshimta dhe pazaret e burrit të zonjës Uruçi. Por ne ndjejmë neveri për këtë skenar të shëmtuar të Edi Ramës që njerëz të blerë dhe të kapur nga korrupsioni i tij bashkiak po i përdor, si pasojë e panikut që ka nga rritja dhe shpërthimi i LSI në gjithë Shqipërinë. LSI është forcë politike me përgjegjshmëri dhe integritet dhe dinjitetin nuk ja cenojnë dot persona, që duan të jenë të parët në listat për deputetë, duke mos sjellë as njerëzit e familjes së tyre në LSI. E vërteta është se znj.Uruçi ka qenë e komandur në degën e LSI në Shkodër dhe jo e zgjedhur sipas parimit një anëtar-një votë, siç pretendon ajo. Mesa duket Uruçi nuk e përballoi dot fluksin e madh të anëtarësimeve të reja, afrimit në LSI e Shkodrës të mjaft intelektualëve të mirënjohur në këtë qytet”, deklaroi Ylli në deklaratën e tij.
Sipas tij largime të tilla të dy apo tre njerëzve të kapur nga paratë e pista të betonizimit të Tiranës, apo nga paratë e projektbuxhetit që Edi Rama nuk pranon ta detajojë, nuk e frenojnë aspak rritjen e pandalshme të LSI, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë.