Presidenti, PS: Rama do nisë komunikimin me palët

Rama dje në konferencë për shtyp
PS publikon deklaratë zyrtare rreth takimit për Presidentin e ri.
Duhet President me votat e më shumë se një pale
Pak minuta pas përfundimit të takimit mes Fatos Nanos dhe kryetarit socialist, Edi Rama, selia rozë publikoi një deklaratë zyrtare rreth përmbajtjes së bisedës.
Sipas saj, kreu socialist dhe kreu i Grupit Parlamentar, Ruçi, janë njohur me platformën e Nanos për President, ndërsa drejtuesit e lartë të PS kanë këmbëngulur në ndërtimin e një procesi të hapur dhe transparent me të gjitha palët për Presidentin e ardhshëm të vendit. Deklarata zyrtare e PS duhet lexuar me kujdes për të nxjerrë konkluzionet rreth këtij takimi, pas të cilit palët nuk u shprehën qartë nëse Grupi Parlamentar i PS do të japë mbështetjen e saj për Fatos Nanon, apo Nano do të dalë si kandidat në garë me 20 firma nga deputetë të majtë të Parlamentit shqiptar. Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryetari i Grupit Parlamentar Socialist patën sot në selinë rozë një takim me zotin Fatos Nano.
Dy përfaqësuesit më të lartë socialistë kanë dëgjuar me vëmendje gjithë çfarë dëshironte tu përcillte zoti Fatos Nano lidhur me platformën e tij për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës mbi palët e jashtë palëve politike. Nga ana e tyre ata i kanë thënë zotit Fatos Nano se Partia Socialiste synon krijimin e kushteve për një proces politik, ku publiku të mos ndjehet i përjashtuar dhe ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv. Socialistët do të jenë të angazhuar për ti dhënë Republikës sonë një President me votat e më shumë se një pale, si edhe vetë Shqipërisë një argument bindës në mbështetje të kërkesës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian, thuhet në deklaratën e Partisë Socialiste.
Për selinë rozë, e rëndësishme është procesi dhe për këtë vetë Rama do të angazhohet që të komunikojë direkt me krerët e tjerë të të gjitha partive parlamentare për ndërtimin e tij, përtej emrave të përveçëm. Për Partinë Socialiste është shumë e qartë se nga një proces sa më gjithëpërfshirës duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës. Prandaj edhe Partia Socialiste do të kontribuojë për këtë proces të domosdoshëm duke vënë mbi gjithçka interesin e vendit. Partia Socialiste do të aktivizohet së shpejti publikisht përmes kryetarit të saj Edi Rama dhe drejtuesve të tjerë të mandatuar nga forumi më i lartë i PS, për të komunikuar drejtpërdrejt me palët e tjera parlamentare pa dallim. Qëllimi i këtij komunikimi do të jetë eksplorimi i të gjitha mundësive për një proces politik dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe ku e ka vënë Shqipërinë dhe politikën shqiptare si e tërë zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës, thuhet në deklaratën zyrtare të PS.
Deklarata e PS: PS e bën publike 10 minuta pas takimit
Partia Socialiste duket se ishte e qartë rreth përfundimit që do të sillte takimi me Fatos Nanon. Kjo u duk qartë në deklaratën që u bë publike vetëm 10 minuta pasi Nano doli nga zyra e Edi Ramës, ku qëndroi për rreth dy orë në bisedë me të dhe Gramoz Ruçin. Deklarata e hartuar me terma të një qëndrimi parimor për zgjedhjen e Presidentit vetëm tregon angazhimin e lidershipit të saj për ndërtimin e një procesi që do të sillte një kandidat mbi palët dhe me konsensus të gjerë. Ndërsa sa i takon kandidaturës së Nanos, ashtu siç është shprehur në mënyrë të përsëritur, deklarata ka qëndrimin e Ramës se emrat e përveçëm duhet të vijnë pas procesit.
PD kundër votimit me zarf
Votimi me zarf për Presidentin, i kërkuar nga socialistët, duket se do të mbetet një kërkesë në letër. Demokratët deklarojnë votimi me zarf nuk gjendet asgjëkund në Rregulloren e Parlamentit Europian. Ka vetëm një model, modeli i Rregullores së Parlamentit Europian. Në parim, ne skemi gjë kundër, mjafton që mënyra, procedura, të gjendet e shkruar, nga ajo çka ne kemi para në Rregulloren e Parlamentit Europian, gjë e cila nuk është e shkruar, u shpreh bashkëkryetari i grupit të punës për Rregulloren e Kuvendit, Jemin Gjana.
ARISTIR LUMEZI