Vdekja e Klosit, PS: Humbje për botën e fjalës së lirë

Partia Socialiste përmes një mesazhi ka ngushëlluar sot familjen e publicistit Ardian Klosi për ndarjen e tij nga jeta. “Duke ngushëlluar ngrohtësisht gruan,vajzat, motrat, të afërmit dhe miqtë e Ardian Klosit, Partia Socialiste ndjen dhimbje të thellë për humbjen tragjike të këtij njeriu mendjendritur e shqiptari të mirë. Kjo është një humbje e madhe për botën shqiptare të fjalës së lirë, për shoqërinë civile dhe për kulturën bashkëkohore të kombit tone” thekson PS-ja.
Më tej në mesazhin e ngushëllimit theksohet se Ardian Klosi krijoi një vlerë të çmuar me shembullin e vet të intelektualit të angazhuar në përpjekjet për demokraci e drejtësi shoqërore dhe për një Shqipëri të mbrojtur në bukuritë e në pasuritë e saj. “Ai do të mbahet mend nga bashkëkohësit si një qytetar i paepur në betejat civile kundër rrënimeve mjedisore, si edhe në angazhimet në vijë të parë për të bërë të dëgjohet zëri i pavarur i qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit. Publicistika e mprehtë, përkthimet mjeshtërore, botimet e vyera e bëjnë Ardian Klosin një protagonist të dorës së parë në letrat e shkruara shqipe. I paharruar gjithmonë kujtimi i tij për të gjithë ata që e njohën dhe e lexuan dhe për brezat që vijnë” përfundon mesazhi.