E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Vlerësimet e Ramës për diplomacinë, aspak realiste

27-04-2012 / Gazeta 55

Ministri i jashtëm Edmond Hashinasto i është përgjigjur akuzave të kreut të PS-së Edi Rama gjatë tryezës së organizuar dje për diplomacinë dhe shërbimin e diplomatik të Shqipërisë.
Sipas Haxhinastos, Rama injoron faktin se është pikërisht ky shërbim dhe politika e jashtme që ai zbaton, të cilat po realizojnë një rol gjithnjë në rritje e më të respektuar të Shqipërisë në rajon dhe përtej tij, rol i cili vlerësohen aq lart nga partnerët tanë europianë dhe euroatlantikë. “Pikëpamjet e zotit Rama dhe mungesa e vlerësimit të tij për shërbimin diplomatik nuk janë aspak realiste dhe as qëndrim kombëtar e patriotik ndaj këtij aseti kombëtar të Shqipërisë”, thekson Haxhinasto.
Sipas tij, Rama nuk kupton faktin se shërbimi diplomatik dhe veprimtaria e tij aktive përgjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve nuk i përket një shumice të caktuar qeverisëse apo një tjetre, por i përket Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Do të kishim mirëpritur me shumë kënaqësi propozime dhe kontribute nga zoti Rama për forcimin e kuadrit ligjor dhe rritjen e profesionalizmit të diplomacisë shqiptare, që është objektiv i përhershëm i Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme”, shton Haxhinasto.
Kreu i diplomacisë shqiptare thekson më tej se pavarësisht nga këto deklarime të zotit Rama, Ministria e Punëve të Jashtme do të vazhdojë me atdhetarizëm dhe profesionalizëm të rrisë rolin e Shqipërisë dhe prestigjin e saj ndërkombëtar, duke qëndruar e paepur ndaj sulmeve dhe goditjeve për interesa politike të ditës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›