Kuvendi, maxhoranca kalon ligjet me vetëm 67 deputetë

Gjatë votimit të djeshëm në Parlament
Parlamenti ka miratuar dje me 120 vota pro dhe asnjë kundër kërkesën e Komisionit të Reformës Zgjedhore për shtyrjen me dy javë të mandatit, konkretisht deri më 15 maj.
Demokratët dhe socialistët kanë bashkuar votat dhe kanë miratuar kërkesën e dy bashkëkryetarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, që veç pikave të mbetura, do të diskutojnë dhe për kërkesën e partive të vogla për korrektimin e sistemit zgjedhor. Por, ndryshe nga vullneti i opozitës, kryetari i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle dhe deputeti Arben Ahmetaj, nuk kanë marrë pjesë në votim. Edhe pse ishin prezentë në sallën e Kuvendit, dy figurat e larta të Partisë Socialiste, Ruçi, Dokle dhe deputeti Ahmetaj nuk kanë shprehur vullnetin e tyre, ndryshe nga deputetët e tjerë që bashkuan votat me maxhorancën. Ndërkohë, gjatë votimit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mbetur me 67 vota në sallën e Parlamentit dhe gjatë këtij procesi, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, nuk ka votuar. Shkak për tkurrjen e numrave të demokratëve janë bërë mungesat e shumta nga radhët e të djathtëve, të cilët gjatë votimit të rezolutës për Këshillin Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar nuk mundën ta kalojnë kufirin prej 67 votash. Në votimin paraardhës, rezoluta për vitin 2011 të Kontrollit të Lartë të Shtetit ka marrë në total 68 vota pro, një votë më shumë nga Partia Socialiste. Nga radhët e opozitës ka bashkuar votën, por jo qëllimisht, ish-kryetarja e Grupit të PS-së, Valentina Leskaj. Fillimisht votën pro, ndryshe nga Grupi i socialistëve, e ka dhënë dhe deputeti i PS-së, Ethem Ruka, por ky i fundit ka mundur ta ndryshojë votën në kohë, pas tërheqjes së vëmendjes nga kryetari i Grupit, Gramoz Ruçi. Vëmendja i është tërhequr dhe kryetares së Komisionit të Medias, e cila nuk mundi të korrigjojë gabimin, njësoj si kolegu.
Mungesat
Gjatës seancës së djeshme parlamentare kanë munguar 18 deputetë, dhe përkatësisht 7 deputetë demokratë dhe 10 deputetë të kampit socialist. Po ashtu mungesë ka marrë dhe deputeti i çregjistruar nga Grupi i PS-së, Kastriot Islami. Nga radhët e demokratëve ka munguar Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Amerikë, në takime me sekretaren e Shtetit Hilari Klinton dhe senatorë të tjerë të SHBA-ve. Ndërkohë mësohet se dhe ministri i Bujqësisë, Fatmir Mediu, ka udhëtuar drejt Amerikës, duke shënuar një mungesë të rëndësishme në radhët e kabinetit dhe e përkthyer në votë aprovuese ndaj projektligjeve të qeverisë. Listës së mungesave i është bashkuar kryetari i LSI-së, Ilir Meta dhe kryetari i Grupit të kësaj force, Lefter Koka. Në sallë ka rënë në sy mungesa e deputetit të larguar nga Grupi i PD-së, Gazmend Oketa, i cili ishte i pranishëm gjatë punimeve të Kuvendit, por ka munguar në momentin e votimit. Dy mungesa të tjera ishin dhe ajo e ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj dhe e deputetit, Dashamir Tahiri. Ky i fundit që mësohet se ka udhëtuar drejt SHBA-ve, në ceremoninë festive të Shoqatës Patriotike Vatra, me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Votat e pavarura në Parlament munguan për të dyja kampet, pasi kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka votuar vetëm prezencën, dhe jo projektligjet e tjera. Listës së deputetëve që nuk janë paraqitur në sallë iu bashkua dhe i larguari nga Grupi i LSI-së, Dritan Prifti. Nga radhët e socialistëve kanë munguar deputetët: Arben Malaj, Sajmir Tahiri, Andis Harasani, Qemal Minxhozi, Ndrec Dedaj, Ndue Kola, Ilir Gjoni dhe Gazmend Bizhga. Me konsensus, PD-PS kanë miratuar dhe ligjin Për mbrojtjen e të dhënave personale, e cila mori dritën jeshile të 120 deputetëve. Për këtë nismë nuk ka votuar Gramoz Ruçi dhe deputeti Ben Blushi.
Rezoluta e KLSH-së
Rezoluta e Kontrollit të Lartë të Shtetit është miratuar dje vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës, duke marrë një total prej 68 kartonësh jeshilë dhe 52 kundër. Rezoluta Për vlerësimin e veprimtarisë së KLSH për vitin 2011 ka marrë dhe votën aksidentale të deputetes së PS-së, Valentina Leskaj, e cila votoi ndryshe nga Grupi i PS-së.
Braçe: KLSH të hetojë privatizimin e ARMO-s
Opozita kërkoi dje në Kuvend që Kontrolli i Lartë i Shtetit të hetojë kontratat koncesionare të qeverisë, që mundësuan privatizimin e disa kompanive, si OSSH, ARMO, ALBPETROL, Agjencinë Nacionale të Trafikut Ajror. Nënkryetari i Grupit të PS-së, Erjon Braçe, deklaroi dje se KLSH-ja gjatë vitit 2012 duhet të angazhohet që të luftojë korrupsionin dhe shpërdorimin e taksave të qytetarëve nga zyrtarët në buxhetin e shtetit. Pjesë e hetimeve të KLSH-së socialistët kërkuan që të ishte dhe linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, gjithashtu dhe kontrata e Ministrisë së Transporteve për linjën e fibrave optike të internetit.
Ligjet miratojnë me konsensus ngritjen e Administratives
Gati ndryshimi i ligjit për KSHC

Komisioni i Ligjeve
Komisioni i Ligjeve miratoi dje nen për nen dhe në tërësi ligjin për ngritjen e gjykatave administrative. Pas rreth një muaji pune në Komision, deputetët i dhanë fund diskutimit duke miratuar 71 nenet e draftit të kërkuar me ngulm si nga biznesi, ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Miratimi i këtij ligji ishte një nga pikat e marrëveshjes së 14 nëntorit mes PS-së dhe PD-së, si dhe një nga 12 rekomandimet e KE-së për marrjen e statusit. Në përfundim të mbledhjes së djeshme, relatori i projektligjit, deputeti i PS-së, Armando Subashi, tha se Gjykata Administrative është konceptuar në tri nivele, në Shkallë të Parë, Apel dhe në Gjykatë të Lartë. Në Shkallë të Parë është konceptuar në 6 gjykata rrethesh, me një Apel dhe një Kolegj Administrativ të veçantë në Gjykatën e Lartë. Me këtë parashikim besoj ne kemi kënaqur edhe kërkesat e grupeve të biznesit, edhe kërkesat e grupeve të interesit, duke nisur që nga shoqatat e gjyqtarëve, që nga shoqata e avokatëve dhe kështu me radhë. Unë besoj dhe shpresoj që ne kemi bërë gjënë më të mirë të mundshme në funksion të dhënies të drejtësisë administrative, tha Subashi. Miratimi i këtij ligji e detyron Parlamentin që të ndryshojë edhe ligjin për Gjykatën e Lartë, ku do të rritet numri i gjyqtarëve të kësaj gjykate. Në të njëjtën kohë do të ndryshojë edhe ligji për KSHC-në, i cili nuk do të ketë më të drejtë të shqyrtojë çështjet e pushimit nga puna të punonjësve të administratës.
Ligji
Data e fillimit të funksionimit të gjykatave administrative caktohet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë. Ministri i drejtësisë bën propozimin pasi të jenë plotësuar kërkesat e pikës 2 të këtij neni dhe të ketë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, thuhet në pikën 5 të nenit 68.
Topalli: Konomi me dy mandate, të japë dorëheqje