Presidenti Qarri prezanton trajnerin Malko dhe ekipin e Kamzës
Kamzalinjtë ruajnë pjesën më të madhe të grupit të sezonit të shkuar dhe me Malkon në krye kërkojnë ngjitjen në kategorinë superiore
Përpos politikës dhe planeve që po ndjek bashkia për Kamzën e sezonit të ri, presidenti Naim Qarri, që nuk pajtohet me ndryshimet e bëra, dje ka nisur punën për përgatitjet e edicionit 2012-2013.
Në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamzë, presidenti Naim Qarri ka prezantuar trajnerin e ri të ekipit, Sajmir Malko, si dhe futbollistët me të cilët do të niset puna, ku padyshim, pjesa dërrmuese është grupi i sezonit të fundit.
Në këtë prezantim i pari fjalën e ka marrë presidenti Naim Qarri, i cili ndër të tjera u shpreh: Sajmir Malko nuk ka shumë nevojë për prezantim, pasi ai ka një karrierë të shkëlqyer si lojtar, por edhe si trajner.
Prandaj shpresoj që së bashku të ndërtojmë një ekip pretendent për tu rikthyer në Superligë. Kam besim të plotë tek zoti Malko, pasi ky ndërtoi një ekip pretendent edhe gjatë sezonit të kaluar tek Lushnja.
Gjithashtu së shpejti bashkë me trajnerin do të studiojmë lojtarët, që do të kemi në dispozicion dhe do të bëjmë përforcimet e nevojshme të ekipit. Primare mbetet përforcimi i sulmit, pasi në këtë repart kemi pasur mangësi edhe në sezonet e fundit.
Kapiteni Tafaj. Pas presidentit Qarri, fjalën e mori kapiteni Fatjon Tafaj: Më vjen mirë që më së fundi nisi stërvitja dhe kënaqësi këtij starti i jep edhe trajneri i ri, pasi Saimir Malko ka qenë një futbollist i suksesshëm, por edhe me eksperiencë si trajner. Shpresojmë se do të ndërtojmë një skuadër pretendente, që sigurojë ngjitjen në Superligë.
Gjithashtu dua të bëj edhe një herë apel drejtuesve të klubit, që të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit dhe të bashkëpunojnë së bashku për ekipin. I uroj punë të mbarë trajnerit Malko dhe së bashku ta ringjisim Kamzën në superiore
Trajneri Malko Në fund e mori fjalën trajneri Sajmir Malko, që për herë të parë foli si i pari i pankinës së Kamzës:Me presidentin Qarri na ka lidhur Partizani që nga viti 1989, kur luaja tek ky ekip dhe që në atë kohë kam pasur marrëdhënie shoqërore mjaft të mira.
Për sa i përket Kamzës, dua të shpreh kënaqësinë time që jam pranë këtij ekipi, pasi është një ekip serioz dhe me një histori të hershme në futbollin shqiptar.
Sezonin e kaluar Kamza hyri në histori, duke u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar. Shpresoj që në bashkëpunim me presidentin Naim Qarri dhe me drejtuesin tjetër të klubit të futbollit të Kamzës, kryebashkiakun Mziu, të arrijmë të ndërtojmë një ekip që me të vërtetë të bind dhe në fund të sezonit të kthehet në Superligë.
Pas prezantimit të trajnerit të ri skuadra bëri një seancë të lehtë stërvitore ku morën pjesë 17 futbollistë, të gjithë nga grupi i sezonit të shkuar: Bytyçi, Pasha, F. Tafaj, E. Tafaj, Beqiri, Kacolli, Biba, Kënga, si dhe më të rinjtë Mehmeti, Lika, Koleci, Ritzvani, Lame, Karrosi, Luli, Leka, etj.
