Partizani mbushet me shkodranë, humbet miqësoren me Tërbunin
Të kuqtë e kryeqytetit janë në fazën e seleksionimit të grupit dhe miqësorja e djeshme ishte test për të parë të ardhurit dhe elementët me moshë të re
Partizani nën drejtimin e trajnerit Nikolin Çoçlli vijon përgatitjet për sezonin e ri.Por, sipas stafit teknik dhe aksionarit Paro Laçi, i cili është marrë me merkaton dhe financat, është ende herët për të folur për ekipin, që do të përfaqësojë fanellën e kuqe në Kategorinë e Parë, pasi ata janë në fazë seleksionuese.
Prej ditësh në radhët e kryeqytetasve ka nisur spastrimi si nga radhët e futbollistëve që mbeten nga sezoni i kaluar, por edhe të aspirantëve.
Në kuadër të kësaj pune, dje Partizani ka zhvilluar një ndeshje miqësore me Tërbunin, takim i cili është zhvilluar në mëngjes në ish-kompleksin Dinamo. Të kuqtë e nisën ndeshjen me këtë formacion: Nasufi, Grizha, Alcani, Duqi, Xite, Xhepa, Gjeçi, Lini, Martins, Bleta, Ivanaj.Takimi u fitua nga pukjanët me rezultatin 4-3.
Për stafin ky takim pati rëndësi, pasi ata patën mundësi të grumbullonin më shumë të dhëna rreth futbollistëve, që po përgatiten, ku pa dyshim jo të gjithë do të mbeten. Pjesa e parë përfundoi në barazim 1-1 dhe golin për të kuqët e shënoi mesfushori Lini, ndërsa dy golat e pjesës së dytë u realizian nga Gjoka dhe Lifja. Në pjesën e dytë të shumta ishin zëvendësimet.
Shkodranizim Gjatë kësaj merkato verore, që për Partizanin konsiderohet thjeshtë fillimi, të shumtë kana qenë të ardhurit te të kuqtë e kryeqytetit. Por ajo që spikat në këtë merkato është orientimi tek futbollistët e rinj shkodranë.
Prej ditësh radhët e Partizanit janë shtuar me Olti Bishanin, Orges Linin dhe Ergys Buliq, por këta nuk janë shkodranët e vetëm, pasi dje fanellën e kuqe e kanë veshur edhe sulmuesi Denis Lifja, që shënoi edhe golin e tretë, si dhe mesfushori i ri, Armir Tafa, që ka lenë shije të mirë me lojën e tij.
Por në ditët në vijim pritet të vijnë edhe dy shkodranë të tjerë të rinj, me të cilët aksionari Paro Laçi është në bisedime me drejtorin sportiv të Vllaznisë, Armir Grima, pikërisht bëhet fjalë për Abaz Karakaçin dhe Edon Hasani.
Stërvitja Duke filluar nga sot përgatitjet e të kuqve do të zhvendosen në Kamzë, ku në orën 17:30 nisin stërvitjen në qendrën stërvitore të ekipeve kombëtare. Mendohet se në Kamzë përgatitjet do të vijojnë deri me 1 gusht, pasi më pas është thënë se Partizani do të kryejë një fazë përgatitore dy-tre javore në Pogradec.
Tifozët e kuq: Topi e nisi si president i shqiptarëve, e mbylli si i KF Tirana
Në ditën e fundit të mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, Zoti Bamir Topi, dekoroi dhe shpërndau tituj për disa figura të futbollit kryeqytetas dhe atij shqiptar. Përpos këtyre figurave, vlerësim pati edhe për klubin e Tiranës, por ajo që ka irrituar më shumë tifozët e Partizanit është një nga motivacionet, ku thuhej se Tirana është klubi më popullor në Shqipëri. Tifozët e kuq në veçanti, por edhe shoqata e tifozëve të FK Partizanit kanë reaguar për këtë motivacion të fundit të ish- Presidentit të Republikës, Z. Bamir Topi. Zoti Topi e nisi detyrën si president i të gjithë shqiptarëve dhe e la si president i KF Tirana, post të cilin e ka mbajtur edhe para detyrës së fundit. Se kush është klubi më popullor në vend e di gjithë Shqipëria, ku ndonëse ishte në Kategorinë e Dytë, Partizani mirëpritej dhe mbështetej në çdo rreth. Tifozë të Partizanit gjen në çdo cep të Shqipërisë dhe epitetin klubi më popullor nuk bëhet me dekorata, por me vepra,. Ky ishte një përmbledhje e reagimit të tifozëve të kuq rreth dekorimit të Z. Bamir Topi i bëri klubit bardheblu.
