E Diel, 1 Nëntor 2026

Bano: Vonë me përgatitjet, por starti e gjen gati Lushnjen

Nga JULIAN KASAPI

Lushnjarët i pret një fazë me ngarkesë, e cila do të zhvillohet në Divjakë, por pritet që grupi të përforcohet me të tjerë lojtarë cilësor

Emërimi i stafit të ri teknik dhe afrimi i donatorëve përkrah bashkisë, ka bërë që ekipi i Lushnjes të jetë joshës për shumë futbollistë, të cilët vite më parë kanë qenë pjesë e lagunarëve.

Kështu, vetëm  në harkun kohor të një jave, kanë firmosur për skuadrën lushnjare, në kuadër të sezonit të ri, 16 futbollistë që menjëherë janë vënë nën drejtimin e trajnerit Artan Bano dhe ndihmësve të tij Çuko dhe Hysko.

Nevojës së teknikut lushnjar për përforcime të tjera, kryesisht në mbrojtje dhe sulm, i janë përgjigjur pozitivisht dhe donatorët që janë shprehur për afrimin e futbollistëve cilësore për të kompletuar përfundimisht grupin dhe Lushnja të shkojë drejt objektivit madhor,  ngjitjen në superligë.

Koha në dispozicion të pankinës lushnjare është e shkurtër, pasi dihet se kampionati i kategorisë së parë nis me 1 shtator. Pra këtë pesë javë të mbetura nga strati kërkohen një shfrytëzim maksimal nga të gjithë faktorët e skuadrës lushnjare.

Trajneri Bano Lushnja dje është stërvitur në ambientet e stadiumit dhe duke nisur nga dita e hënë, përgatitjet e skuadrës do të zhvendosen në Divjakë. Por gjatë kësaj kohe priten edhe  përforcimet e duhura, në mënyrë që skuadra të konsolidohet si grup para nisjes së kampionatit.

Për numrin një të pankinës lushnjare punët janë duke ecur ashtu si ishte parashikuar dhe pritet që ajo pjesë e stërvitjes që do të zhvillohet në Divjakë, të japë frytet e duhura.

Jemi vonë me përgatitjet, por mendoj se do ta kapim ritmin e punës dhe do tia dalim që të kemi një skuadër të gatshme në fillim të sezonit të ri.

Do të kryejmë 2 javë stërvitje në plazhin e Divjakës dhe siç e keni parë ekipi po kompletohet dita ditës dhe kështu jemi të kënaqur me akordin e donatorëve për afrimin e futbollistëve cilësorë. Na mbetet të shfrytëzojmë mirë kohën që na ka mbetur. Në Divjakë na pret një përgatitje me ngarkesë të lartë, ku do të ketë kros mëngjesi në orët e para të ditës, stërvitje paradite dhe pasdite.

Mendoj se me planin e stërvitjes që kemi përgatitur dhe me stafin tim, do tia dalim që të kemi një skuadër kompetitive për të arritur objektivin e ngjitjes në superligë u shpreh dje trajneri Artan Bano pas stërvitjes së fundit në qytetin e Lushnjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›