E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti, Rama: Procesi të jetë politik, përcakton statusin

TIRANE- Në mbledhjen e sotme të Grupit të Partisë Socialiste, kryetari Rama e ka ndalur vëmendjen e tij tek zgjedhja e Presidentit të ri të vendit, duke deklaruar se vendi ka hyrë në fazën e zgjedhjes së tij, ndërsa shton se ky proces duhet të jetë politik, i bazuar në konsensus pasi është përcaktues për marrjen e statusit të BE.

“Për ne kjo është cështje përcaktuese për fatin e statusit kandidat. Ne kemi energji për një proces gjithëpërfshirës, që t’i japim vendit një president në frymën e Kushtetutës dhe jo një noter partiak. Është koha të flasim për identikitin e presidentit të ardhshëm. Nga mënyra se si do zgjidhet varet fati i statusit”, tha Rama.

Kryesocialisti nënvizoi se, “Kam kërkuar takim me krerët e palëve, që të arrihet një konsensus i gjerë për mënyrën se si palët do të duhet ta trajtojnë këtë proces, është herët të flitet për emra, kjo është faza përgatitore për këtë proces”.

Për liderin e të majtëve, presidenti i ri duhet të plotësojë tre kërkesa, për të qenë i zgjedhuri i tyre.

Rama tha se ai duhet të jetë: “Shtysë vendimtare e procesit të marrjes së statusit kandidat në BE, ku të zgjidhet në një proces politik e jo në mënyrë mekanike nga numrat. Të jetë garant i Kushtetutës dhe jo në varësi të shumicës qeverisëse. Të përbëjë garanci për të gjitha palët në zgjedhjet e ardhshme”, shtoi ai. 

Kjo mbledhje sic tha Rama, përkoi edhe me 3 vjetorin e vrasjes së deputetit të PS-së Fatrmir Xhindi, ndërsa kërkoi zbardhjen e këtij krimi.
“Mos zbardhja e vrasjeve të bujshme, sa më shumë vite kalojnë aq më pak mund të përjashtohet sfondi politik i saj. Nuk ka asnjë iluzion se në këtë pushtet do të ndëshkohen vrasësit e tij”, tha Rama.
“Le të angazhohemi që qeveria jonë nesër do ta zbardhë këtë krim makabër. I paharruar qoftë Fatmir Xhindi”, shtoi kryesocialisti.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›