Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve për rehabilitimin e qendrës së Dhërmiut
Kryeministri Berisha inauguroi sot fillimin e punimeve për rregullimin dhe sistemimin e qendrës së fshatit Dhërmi, një investim i qeverisë qëndore dhe asaj vendore, me vlerë 7.3 milionë lekë.
Kryeministri vlerësoi se ky është një projekt bashkëkohor që do ta shndërrojë Dhërmiun në një qytezë të vërtetë turistike. “Ky projekt do të ringrejë infrastrukturën e plotë të këtij fshati, duke i dhënë atij tiparet e një qyteze turistike”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri garantoi përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe banorët e këtij fshati se qeveria është e vendosur të investojë dhe të financojë çdo projekt për të përmirësuar infrastrukturën dhe jetën e tyre. “Kjo është kontrata jonë me ju”, theksoi Kryeministri.
Më pas, Kryeministri vizitoi shtëpinë e shkrimtarit të mirënjohur Petro Marko, ku u shpreh se ajo duhet të rindërtohet dhe të kthehet në shtëpi muze. “Jeta e tij është një nga më të pasurat dhe të veçantat; shkrimtar, intelektual dhe luftëtar i lirisë që nuk u mposht asnjëherë, por u qëndroi besnik parimeve që besoi. Petro Marko është krenari, jo vetëm për Dhërmiun por për gjithë Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri.
Në nderim të figurës së shkrimtarit të madh, Kryeministri u propozoi përfaqësuesve të pushtetit vendor që sheshi qëndror i Dhërmiut të marrë emrin “Petro Marko”, pas rikonstruksionit. Gjithashtu, Kryeministri kërkoi nga Ministri i Kulturës shpalljen e një konkursi për gdhendjen e një busti të shkrimtarit Petro Marko, për ta vendosur në qendër të sheshit të Dhërmiut.