Presidenti Sejdiu priti ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë

Presidenti Fatmir Sejdiu gjatë një takimi me Arben Imamin, ministër i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, ka theksuar edhe një herë falënderimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për ndihmën e pakursyer që Republika e Shqipërisë i ka dhënë vendit tonë në të gjitha fushat.
Po kështu, ai e ka quajtur si shumë të rëndësishme përkrahjen e Shqipërisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si një forcë që po ndërtohet sipas parimeve më moderne, e gatshme për të kryer të gjitha detyrat.
Në këtë kontekst, Presidenti Sejdiu ka përsëritur edhe një herë qëndrimin që FSK-ja të marrë pjesë në operacionet e ndryshme jashtë vendit, duke përmendur në këtë rast angazhimin e pjesëtarëve të kësaj force në ndihmë rajoneve të përmbytura në Shqipërinë e veriut muajin e kaluar.
Ministri Imami ka shprehur edhe një herë falënderimin e institucioneve dhe të popullit të Shqipërisë për ndihmën e ofruar me rastin e përmbytjeve nga uji në rajonin e Shkodrës, si dhe ka çmuar shumë lart profesionalizmin e pjesëtarëve të FSK që morën pjesë në operacionet e shpëtimit në rajonet e përmbytura.
Ai gjithashtu shprehu përkushtimin e institucioneve të Shqipërisë për ta ndihmuar këtë forcë, për çka do të nënshkruhet edhe një marrëveshje bashkëpunimi.