E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet koleksioni i GAK

Mbrëmë, në Galerinë e Arteve të Kosovës, është hapur ekspozita, për nder të Ditës së pavarësisë, me punime të arkivuara, koleksion, të artistëve të ndryshëm kosovarë e të huaj.

Për shumë kohë ato ishin të mbyllura. Drita vështirë se depërtonte derisa pluhuri i kishte mbuluar. Një pjesë e tyre nga kjo mosdalje kishin filluar dhe vazhdojnë të shkatërrohen. Por pas disa vjet izolimi dhe mos daljeje, një pjesë e tyre po i shfaqen publikut kosovar. Në Galerinë e Arteve të Kosovës po hapet një pjesë e koleksionit që disponon ky institucion.

“Sipas shënimeve që unë disponoj, hera e fundit që u ekspozua një pjesë e koleksionit të Galerisë ishte muaji korrik i vitit 2003. Pse, në vitet vijuese nuk u bë një gjë e tillë, duhet pyetur udhëheqësin si dhe bordin e mëparshëm të Galerisë”, thotë Fahredin Spahiu, drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës.
Me regjistrimin e fundit bërë nga GAK del se numri i veprave që posedon Galeria janë mbi 830, ndërsa në koleksionin e prezantuar do të shfaqen 126 vepra.
Cilët janë emrat e krijuesve që do të prezantohen?

Muslim Mulliqi, Ibrahim Kodra, Omer Kaleshi, Nebih Muriqi, Rexhep Ferri, Ymer Shaqiri, Esat Valla, Ibrahim Ponosheci, Xhevdet Xhafa, Fatmir Krypa, Nysret Salihamixhiqi, Zake Prelvukaj, Shaip Çitaku, Gjelosh Gjokaj, etj.

Kurse nga autorët e huaj më të veçantit janë: Vazareli, Uorholl, Mur, Murtiq, Ciuha, Xhentilini, Veliçkoviq, etj.

“Këto vepra të përzgjedhura për këtë ekspozitë do të qëndrojnë të ekspozuara për një muaj dhe mëpastaj duhet t’i vendosim, prapë, në ambientin e mëparshëm, aty ku ruhen edhe veprat tjera”, shpjegon Spahiu. Lokacioni ku ruhen veprat shumë të rëndësishme të fondit të Galerisë nuk i përmbush as për së afërmi standardet e duhur.

Por, sipas Spahiut kjo hapësirë është planifikuar të renovohet në fazën e dytë të renovimit të objektit të Galerisë.

Vlera materiale dhe monetare e veprave që do të ekspozohen është shumë e madhe. Andaj duket se Galeria e Arteve e Kosovës tashmë ka shtuar masat e sigurisë.

“Ne disponojmë me pjesën teknike të stafit, i cili gjithnjë ka ditur të përkujdeset për veprat e ekspozuara. Natyrisht, gjendja e gatishmërisë është ngritur në nivelin më të lartë dhe ky staf di të jetë i përgjegjshëm karshi detyrave që ka rreth kësaj ekspozite”, sqaron Spahiu.
Ndërkohë, piktorja Zake Prelvukaj e sheh me shumë emocion dhe entuziazëm këtë aktivitetet.

“Për gjeneratën e re është një vetëdijesim, që të mos flasin me paragjykime, por ta vlerësojnë artin e disa gjeneratave që i kanë mbijetuar kohës dhe qëndrojnë si vlerë artistike. Flas për ata që vërtet e kuptojnë artin e vërtetë”, thotë Prelvukaj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një muaj rresht.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›