Presidenti Topi: 20 vjet pas 2 prillit, demokracia ende e pakonsoliduar
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është shprehur se, 20 vjet pas 2 prillit, kur në demonstratat kundër regjimit komunist u vranë katër persona, demokracia në Shqipëri nuk është konsoliduar ende.
Sipas presidentit Topi, rruga për të ndërtuar demokracinë në vend, vazhdon që të jetë ende sfida më e rëndësishme për shoqërinë shqiptare, edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga kjo demonstratë.
Në 20 vjetorin e demonstratës antikomuniste të 2 prillit në Shkodër, mendimi ynë shkon në nderim e respekt të kujtimit të katër dëshmorëve të demokracisë që u vranë pabesisht gjatë asaj proteste, studentit të dhjetorit Arben Broci dhe tre bijve të tjerë të Shkodrës Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka. Ata janë tashmë pjesë e pashlyeshme e qëndresës antikomuniste, e shpirtit shkodran që nuk pranoi kompromis për demokracinë e shumëpritur, por edhe e shpirtit shqiptar në përgjithësi që për lirinë ka luftuar e sakrifikuar në shekuj.
20 vjet nga ajo demonstratë që pati si protagonistë kryesorë studentë e gjimnazistë të Shkodrës, rruga për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri vazhdon të jetë me sfida të rëndësishme, të cilat kërkojnë impenjimin e gjithsecilit. Përpjekjet e të gjithëve duhet të bashkohen për ta konsoliduar demokracinë tonë të re, si një garanci se po ecet në drejtimin e duhur, atë drejt familjes së madhe euroatlantike.
Nderim dhe respekt për katër dëshmorët e demokracisë dhe për të gjithë ata ish nxënës, studentë e qytetarë të Shkodrës, që 20 vite më parë demonstruan duke kërkuar siguri për të ardhmen e pluralizmit dhe sistemit demokratik të fituar në dhjetor 1990.
I paharruar qoftë kujtimi i Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës, thuhet në njoftimin e Presidencës.