E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: “Kosova, progres në njohjen e saj”

Autori i Lajmit: Redaksia

Presidenti shqiptar, Bamir Topi ka zgjedhur Radio Televizionin e Kosovës për të uruar të gjithë shqiptarët e Kosovës për dyvjetorin e Pavarësisë. Ndër të tjera Topi e cilësoi 17 shkurtin një ditë historike. Në përgjigje të gazetarit, Topi u shpreh se, “Unë besoj që po të bëjmë një analizë racionale, këto dy vite Kosova ka bërë një progres të dukshëm edhe për sa i përket njohjeve të reja. Në rast se do të marrim në konsideratë që Kosova është njohur nga shtetet më të fuqishme dhe më të rëndësishme të botës, tregon që në këtë sens ka pasur shumë kualitet. Dhe, besoj që edhe sasia është e rëndësishme, por kjo mesa shohim do të vijë hap pas hapi. E kam thënë edhe diku tjetër, që kjo nuk ka të bëjë thjesht me pozicionin e shteteve të ndryshme për ta njohur ose jo Kosovën, se sa me konjuktura të momentit që gjithsesi, me kalimin e kohës do të kthehen në konjuktura pozitive për Kosovën”. Presidenti Topi tha po ashtu se, “Unë nuk besoj që të jetë ky momenti substancial i mungesës ose i pamjaftueshmërisë së njohjeve të reja. Unë besoj që është një moment që duhet marrë në konsideratë përderisa ekziston ky institucion. Por, sikurse e kanë thënë të gjithë zërat e rëndësishëm, që nuk do të ketë efekte të karakterit juridik për statusin e Kosovës. Mendoj që statusi i Kosovës, marrja e pavarësisë është një moment i pakthyeshëm në çdo lloj situate. Por, sikurse thashë jo vetëm që ka pasur një konjukturë të caktuar politike në vende të ndryshme, por besoj që ka pasur edhe një diplomaci aktive edhe në të kundërt, pra për ta kundërshtuar. Gjithsesi unë mendoj se diplomacia e Kosovës ndonëse ka qenë në hapat e para institucionalë, ka pasur, ka shënuar progres, sepse autoritetet e Kosovës janë pritur në zyrat më të rëndësishme të globit, janë pritur në Uashington, janë pritur në kancelaritë e Europës, që do të thotë të marrësh kredenciale të forta për vazhdimësinë e këtij shteti të ri, i cili e ka perspektivën në euroatlantizëm”. Presidenti ka konsumuar dhe të tjera çështje që kanë lidhje me diplomacinë dhe njohjen e Kosovës nga vendet e tjera të BE-së, ndërsa në fund ka uruar dhe njëherë për festën e madhe të shqiptarëve të Kosovës.
Ky lajm është publikuar: 18/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›