E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Sonte jam vetëm", kritika e një arti të thjeshtë

Autori i Lajmit: Redaksia

Unë i takoj një brezi, për të cilin dëgjoj për çdo ditë se ndodhi për herë të parë teatër në Kosovë, nga pjesa tjetër flitet për katastrofa teatrale, sikur me vite i kam futur veshët në lesh dhe nuk dua të dëgjoj kritika, po nuk dua të lexoj as gazeta, shkoj të shoh shfaqje duke parë me sy të mi se si po fundoset teatri në Kosovë. U ofrova pranë teatrit Dodona, pyeta jo me interesim aq të madh se çfarë ka në repertor, jo me ndonjë interesim të madh më thanë se është një shfaqje që quhet “Sonte jam vetëm” Andre Pol Antoan, e ky mosinteresim shprehte se Kosova me vite kishte humbur konceptin e teatrit, artistët e kësaj treve tani më i kishte tejkaluar imagjinatën e popullit, shfaqjet që punonin ata i kuptonin veç vet, populli nuk i kuptonte ndaj edhe nuk kishte arsye të vinte në teatër. Tekstin "Sonte jam vetëm" të cilën regjisori Enver Petrovci e ka inskenuar në Teatrin "Dodona" më la gojë hapur, me pëlqeu aq shumë sa me detyroj ta largoj leshin nga veshët dhe të ngre zërin tim prej artisti që të bëj me dije njerëzve se e vërtet qenka thënia se “ujku qimen e ndërron por huqin se harron”. Kështu ndodhi me artistin e madh Enver Petrovcin, shkojmë pra, me radhë. Pra “Sonte un jam vetëm” para kompjuterit po nuk dua të hesht, dua të dëgjoni të gjithë për këtë vetmi timen.
Fabula
Janë vetëm dy personazhe, karakteret e të cilave përfaqësojnë: Psikopati në fakt i cili nuk dihet se çfarë është, është shoku i Vanesës që e kishte dërguar ajo, ku prej kësaj ai na shndërrohet në hajdut, më tej në detektiv; producent, regjisor apo aktor filmi; mjek, në fund del psikopat i sëmurë në spital të cilin e kishte futur në elektroshok burri i saj. Mua shpesh më thoshte mendja se ky njeri ishte imagjinatë e aktores me të cilën donte të bënte seks, ndërsa personazhi i dytë ishte aktorja e vetmuar e cila kishte frikë nga vetmia dhe kërkonte ndihmë nga kolegia e saj ne telefon që të mos e lë vetëm, ajo i tregon se donte një djalë të pashëm tia dërgoi asaj, të cilin premtim nuk e mban. Kam përshtypjen se aktorja krijon me mendje personazhin gjenial të saj dhe ky njeri i shndërrohet në profesione të ndryshme po në të gjitha rastet i del impotent si burri i saj mjek i psikiatrisë i cili ishte në burg. Burri ideal i saj prap del i çmendur ngaqë në fakt ai ishte gjeniu ai i krijoj lumturi asaj, prandaj në fund edhe e merr atë me vete ngaqë të sëmurët psiqik silleshin të lirë nëpër botë.
Aktorët
Aktorët që luajnë në personazhet e "Psikopatit" janë Ilir Tafa dhe Niada Saliasi (aktorja e vetmuar). Ilir Tafa në rolin e psikopatit paraqitet me shumë kreativitet, duke përdorur mjeshtëritë e tij profesionale prej aktori. Duke kaluar nga një gjendje në tjetrën, ai me besueshmëri e luan frikën, ankthin, djersitjen, mashtrimin, dhembjen, bosin, detektivin, mjekun dhe, krejt në fund, të çmendurin. Nga ana tjetër, Niada Saliasi, pa asnjë dilemë ka ndërtuar rolin e saj si një zonjë e rëndë. Ajo është herë tragjike e herë komike, brutale dhe shumë seksi, krenare edhe e sëmurë mentale. Niada ia arrin ta zotërojë me sukses dhe elasticitet dinamikën mizanskenale të shfaqjes "Sonte jam vetëm”.
Loja
Gjatë një ore e pesëmbëdhjetë minuta, sa zgjati shfaqja, aktorët nuk e vunë re se luajtën, por ata bënin jetë në teatër. Gjatë gjithë shfaqjes, ata kalojnë nëpër gjendje të ndryshme emocionale, duke i ikur me sukses robotizmit dhe fjalëve teknike të personazheve, deklamimit të dialogut, lëvizshmërisë së panatyrshme. Që të dy tingëllonin krejt njerëzorë, me një dialog të qartë dhe preciz. Temporitmi i lojës së aktorëve imponohet nga vetë ideja e shfaqjes dhe mizanskenimi regjisorial që të jepte përshtypje se je duke parë një film në shtëpi. Në këtë shfaqjes funksionojnë të dy aktorët aq natyrshëm sa të bënte të hamendesh mos vallë është duke ndodhur diçka me të vërtetë.
Skenografia
Në skenë është më në fund një skenografi moderne e pasur e cila publikut i jep një mesazh se si duhet të rregullohej një dhomë aristokrati. Përshtypja e parë të dukej se nuk do të ketë hapësirë të mjaftueshme dhe aktorët nuk do të kenë hapësirë dhe vend të duhur të realizojnë mizansken sepse do të paraqiten pengesa. Por jo. Kjo demantohet në minutat e para të shfaqjes. Skenografia merrte rolin e një dekori me të cilën shumë lehtë manipulonin aktorët. Nëpër të kishte shumë detale. Nëpër të hiqej telefoni kthehej prap në vendin e vet, hapeshin dhe mbylleshin dyer, shikoheshin shumë rekuizita, të cilat ta merrte mendja se i kishin futur në skenë vetëm sa për të qenë, aty. Por jo, nuk kishte te rastit asgjë. Të gjitha arsyetoheshin. Të çmendin nga mendja se sa detale ka në këtë shfaqje. Të mos harrohet, më lehtë është të mbahet mend teksti se detalet e kësaj shfaqje.
Regjia
Regjia e Enver Petrovcit është precize dhe gati nuk vërehet fare në këtë shfaqje. Detajet në shfaqjen e tij janë tej mase të rëndësishme. Mizanskena tejet ekspresive, ku të dytë, në secilin kohë, bëjnë diçka jo pa motive të bazuar. krijojnë një lojë sa të natyrshme po aq edhe të besueshme e zbavitëse. Enver Petrovci në shfaqjen "Sonte jam vetëm" ka ndërtuar një lojë kompakte skenike. Enveri krijon një shfaqje ku nuk duket regjia. Është e zakonshme dhe aq shumë e zakonshme sa publiku nuk ka nevojë të mendoj për imagjinatën e pa arritshme të artistëve, por ka të bëjë me një lojë shumë të thjesht sa çdo kush e kupton dhe shumë lehtë e përvetëson. Fundja profesionalizmi në art thonë se është thjeshtësi.

Kastriot Saqipi (Regjisor teatri)

“Sonte jam vetem”

Autori : Andre Pol Antoan
Regjia:Enver Petrovci
Interpretojne :Ilir Tafa dhe Niada Saliasi
Skenografia:Blendina Xhema
Kostumet:Nora Qerreti
Muzika:Hekuran Krasniqi
Ky lajm është publikuar: 18/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›