E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabisin 10 mijë euro te BKT, polici ishte në kafe

Autori i Lajmit: Redaksia
Polici i sigurisë së një dege të Bankës Kombëtare Tregtare ka lënë për pak kohë kabinën ku shërbente dhe ka menduar të pijë një kafe aty afër. Por, kjo i ka kushtuar shtrenjtë atij, por edhe BKT-së, pasi dy persona me maska kanë hyrë në këtë filial dhe nën kërcënimin e armëve kanë mundur të grabisin të paktën 10 mijë euro. “Sapo kishim ardhur në punë, nuk kishim as 20 minuta, ishte ora rreth 08:20 kur dy persona hynë dhe na kërcënuan. I dhamë të gjitha paratë që kishim në arkë. Nuk e di me saktësi sa mund të ishin, sepse dita sapo kishte nisur dhe nuk kishim bërë shumë xhiro ditore”, shprehet Shpresa, e cila është punonjëse pranë BKT-së, filial pranë “Myslym Shyrit”. Edhe policia saktëson se grabitësit kanë hyrë në filialin e bankës të armatosur dhe të maskuar dhe pasi kanë kërcënuar arkëtaren kanë hyrë në kasafortë, duke tërhequr prej andej shumën e konsiderueshme të parave, disa lekë shqiptare dhe të tjerat valutë e huaj. Policia tha jo zyrtarisht se lloji i grabitjes klasifikohet paraprakisht si i veçantë, pasi referuar ngjarjeve të mëparshme grabitësit e filialeve veprojnë në orët e pasdites dhe larg qendrave të banimit. Por, ndërsa për Tiranën kjo është grabitja e katërt e ndodhur që prej janarit 2009. Bankat e nivelit të dytë janë më të goditurat në rrethe. Në mars 2009 në Lezhë punonjësi i postës sulmohet nga dy persona të maskuar në dalje të bankës dhe i rrëmbehen 5 milionë lekë, që duhet tu shpërndaheshin pensionistëve. Grabitësit u kapën një muaj më pas dhe rezultoi se ishin persona me precedentë për vjedhje të shumta.

Ky lajm është publikuar: 18/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›