E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: Linjë ajrore me Kuvajtin

Presidenti Topi me sheikun Sabah Al-Kalid Al-Sabah

Në ditën e dytë të qëndrimit në Kuvajt, Presidenti Bamir Topi zhvilloi një takim me përfaqësues të kompanisë më të madhe kuvajtiane Alimtiaz Investment Group dhe me drejtues të tjerë të bizneseve të ndryshme të Shtetit të Kuvajtit. Kreu i shtetit vuri në dukje periudhën shumë të favorshme ekonomike që po kalon Shqipëria dhe mundësitë që ajo u ofron investimeve në çdo fushë. Me këtë rast, Topi theksoi se në Shqipëri ekziston kuadri i duhur ligjor, si edhe politikat fiskale përsa i përket hapjes së bizneseve të reja dhe thithjes së kapitaleve të huaja. Për të përmbushur këtë synim nevojiten projekte dhe hapa konkretë si vendosja e linjës ajrore direkte Tiranë-Kuvajt Siti, si dhe liberalizimi i vizave për qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë nga pala kuvajtiane, u shpreh Presidenti. Në të njëjtën kohë Topi u takua me zv.kryeministrin, njëkohësisht ministër i Jashtëm dhe ministër Shteti i Çështjeve të Kryeministrisë kuvajtiane, sheikun Sabah Kalid Al-Hamad Al-Sabah. Presidenti Topi dhe zëvendëskryeministri kuvajtian ndanë të njëjtën pikëpamje përsa i përket situatës në rajonin e Ballkanit, duke vlerësuar njëkohësisht edhe rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon për paqen dhe qëndrueshmërinë afatgjatë, duke nënvizuar faktin se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, njohjes së saj nga mjaft vende të botës, përfshi ato arabe e veçanërisht Kuvajtin, dhe krijimit të një shteti të ri demokratik e shumetnik të Kosovës që respekton të gjitha të drejtat e pakicave, rajoni ballkanik duhet të projektojë të ardhmen e tij të sigurt e të qetë në Bashkimin Europian, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›