E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moratoriumi i skafeve, sot debati në Parlament

Komisioni i sigurise

Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare do të shqyrtojë sot projektligjin e propozuar nga Partia Socialiste për shfuqizimin e moratoriumit të skafeve. Nisma në fjalë është përfshirë në kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe pritet të diskutohet në të katër komisionet parlamentare dhe më pas ti nënshtrohet kartonëve të deputetëve në seancë. Projektligji i socialistëve është refuzuar nga Kryeministri Sali Berisha dhe nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, të cilët e kanë quajtur moratoriumin e skafeve si një ndër arritjet e parandalimit të trafikut të qenieve njerëzore. Ndërkohë, socialistët në daljet e tyre mediatike kanë pohuar se për këtë projektligj gëzojnë edhe mbështetjen e aleates së qeverisë, Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas socialistëve, moratoriumi i skafeve do të testojë dhe rezistencën e koalicionit midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. Ndërkohë që Partia Demokratike ka reaguar dje me anë të zëdhënëses së saj, duke e quajtur si një nismë të skafo-deputetëve, që sipas saj, me porosi dhe në interesa direkte të mafias së trafiqeve të drogës, me të cilën ndajnë me sa duket fitimet, kanë marrë nismën për të anuluar moratoriumin e ndalimit të skafeve. Në një komunikim për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, u shpreh se Partia Demokratike denoncon këtë nismë të skafo-deputetëve që duan të shndërrojnë Shqipërinë në skafo-republikë, vetëm e vetëm për pasurimin e tyre me paratë e drogës dhe trafiqeve të tjera kriminale, që kërcënon interesin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Europë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›