Presidenti Topi: Mirëpres vullnetin e shprehur për dialog nga Rama dhe Berisha

Tiranë, 4 shkurt, NOA - Presidenti i
Republikës, Bamir Topi përmes një deklarate për shtyp, ka treguar mbështetjen e
tij ndaj gadishmërisë dhe vullnetit të treguar prej dy figurave kryesore
politike në vend për zgjidhjen e krizës së krijuar që prej 28 qershorit.
Lajmi i konfirmuar prej drejtorisë së
Informimit Publik të Presidencës, sqaron më tej se kreu i shtetit paraqitet i
gatshëm për të negociuar mes palëve për ti shërbyer këtij qëllimi të përbashkët.
Presidenti duke ndjekur me vëmendje
zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin
e shprehur për dialog të kryeministrit Berisha dhe liderit të opozitës Rama,
thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Presidenca.
Duke përfunduar se në kontekstin e ri politik
që është krijuar, presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet
paraprake të punës me kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës si dhe me
bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen
gjatë tryezës së përbashkët.
n.e/NOA