Kosova kërkon vëmendje

Në
dëshminë e paraqitur në Kongresin e SHBA-ve, shefi i Inteligjencës Kombëtare,
Denis Bler, ka paralajmëruar se "ngjarjet në Ballkan sërish do të
paraqesin sfida kryesore për stabilitetin në Evropë, më 2010-ën", duke
përmendur këtu Kosovën dhe Bosnjën. Gjendja e tensionuar ndëretnike në Bosnjë
dhe çështja e pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri, vazhdojnë të mbeten
burime tensionesh", ka thënë Bler
Ngjarjet në Ballkan sërish do të paraqesin sfida kryesore për stabilitetin në
Evropë më 2010-ën, ka thënë drejtori i Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të
Bashkuara, Denis Bler, në dëshminë me shkrim që e ka paraqitur para Kongresit
të Shteteve të Bashkuara.
Gjendja vazhdimisht e tensionuar ndëretnike në Bosnjë dhe çështja e pakicës
serbe në Kosovë, veçanërisht në veri të Kosovës, vazhdojnë të mbeten burime
tensionesh që kërkojnë angazhim diplomatik dhe të sigurisë nga
Perëndimi, ka thënë Bler.
Ne vlerësojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë ndikim thelbësor në
Ballkanin Perëndimor. Natyra e angazhimit të tyre - përfshirë këtu edhe
mundësinë e Uashingtonit, Brukselit dhe vendeve kyçe anëtare të BE-së për të
punuar bashkërisht dhe për të prezantuar një front të përbashkët - do të
ndikojnë thelbësisht në kursin e ardhshëm të rajonit, ka thënë shefi i
Inteligjencës Amerikane.
Duke rikujtuar se mbi 60 vende në botë, përfshirë këtu edhe 22 vende anëtare
nga 27 sa ka Bashkimi Evropian, e kanë njohur tashmë shtetin e Kosovës, zoti
Bler, megjithatë, ka tërhequr vërejtjen se Prishtina do të vazhdojë të
mbetet e varur nga ndihma e komunitetit ndërkombëtar për ekonominë dhe
zhvillimin e përgjithshëm, sikurse edhe për diplomacinë dhe mbështetjen
potenciale për sigurinë për të konsoliduar edhe më shumë shtetësinë e saj.
Një pjesë e madhe e popullatës serbe vazhdon të shikojë kah Beogradi dhe
reziston integrimin në institucionet e Kosovës, edhe pse kjo qasje duket se po
ndryshon ngadalë në jug të Kosovës. Ndikimi i Qeverisë së Kosovës në rajonet e
banuara me shumicë në veri të vendit është ekstremisht i dobët, ka thënë
Denis Bler në dëshminë e tij.
Prania e NATO-s, edhe pse e reduktuar, është ende e nevojshme për të shmangur
dhunën dhe mbikëqyrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës është thelbësore për
efektivitetin e kësaj force dhe zhvillimin demokratik.
Liderët e Serbisë mëtojnë të ardhmen evropiane dhe presidenti Tadiq synon një
përparim të shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por Beogradi nuk
po jep shenja se do të pranojë pavarësinë e Kosovës apo të pranojë
konstruktivitetin".
"Beogradi duket se është në pritje të mendimit këshillëdhënës nga Gjykata
Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë nga
Prishtina mendim ky i cili pritet nga mesi i vitit para se të vendosë se si
ti qaset Kosovës. Serbia në vazhdimësi mbështetet te Moska për përkrahje
politike dhe mbështetje ekonomike, ka thënë zoti Bler.
Ai ka ngritur edhe çështjen e Bosnjës, duke thënë se ndasitë etnike atje
përbëjnë sfidë për stabilitetin në Evropë.
Në dëshminë me shkrim, zyrtari më i lartë i Shërbimit të Inteligjencës ka thënë
se kundërshtitë ndërmjet bashkësive kroate, myslimane dhe serbe të Bosnjës,
janë në rritje dhe se ngurtësimi i mundshëm i qëndrimeve mund ta kërcënojë
stabilitetin e këtij shteti ballkanik.
Bler ka thënë se në procesin politik në Bosnjë ende dominojnë agjendat
etnike, ndërsa reformat kanë ngecur për shkak të dallimeve ndërmjet tri
grupeve më të mëdha.
Ai ka shtuar se tensionet ndërmjet myslimanëve dhe serbëve të Bosnjes
janë "sfidat kryesore" për stabilitetin evropian në vitin 2010.
Duke folur për Afganistanin, Bler ka thënë se aftësimi i forcave të sigurisë do
ta rrisë përgjegjësinë e tyre për bartjen e sigurisë tek autoritetet afgane.
Për afro katër vjet, talibanmët e kanë rritur ndikimin e tyre dhe e kanë
përhapur kryengritjen. Sfidat, me të cilat po përballemi, janë të qarta. Ta
ndalim hovin e tyre dhe ta përforcojmë sigurinë në pjesët tjera", ka thënë
Bler.
Në pjesën për Rusinë, Bler ka theksuar përpjekjet e Moskës për të ushtruar
ndikimin e saj në ish-fqinjët sovjetikë, veçanërisht Gjeorgjinë.
Bler ka thënë se pikëpamja e presidentit rus, Dmitri Medvedev, që ish-fqinjët e
Moskës të shihen si zonë e interesit të privilegjuar, është një arsye tjetër
për brengosje dhe mund të përbëjë kërcënim për marrëdhëniet me Uashingtonin.
Zyrtari i lartë i kundërzbulimit gjithashtu ka vërejtur se vazhdon dhuna
sporadike e shkallës së ulët në rajon, e cila mund të nxisë kthimin e
luftimeve.
Sipas Bler, luftimet mund të shpërthejnë edhe ndërmjet Armenisë dhe
Azerbajxhanit, për shkak të rajonit të kontestuar të Nagorno Karabahut.
Në pjesën për Kinën, Bler ka thënë se Kina e ka shtuar grumbullimin e
informatave dhe operacionet e procesimit kundër Shteteve të Bashkuara.
Bler ka thënë se sulmet e fundit kibernetike ndaj kompanisë Google janë thirrje
alarmi dhe se Qeveria amerikane e as sektori privat nuk mund ta mbrojnë
plotësisht infrastrukturën kibernetike të Amerikës.
Aktiviteti malicioz kibernetik po ndodh në një shkallë të paparë me sofistikim
të jashtëzakonshëm, ka thënë Bler. /rfe/