E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: Shqipëria ka bërë progres

Sipas Topit raport-progresi i cili u publikua javën e shkuar dhe që krijoi debate dhe u vlerësua në mënyra të ndryshme nga aktorë të ndryshëm politikë këtu në Tiranë, paraqet situatën reale të Shqipërisë. 

TIRANE- Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi thotë se vendi ka bërë progres dhe reforma në sistemin e drejtësisë duhet bërë në bazë të një strategjie të qartë. Duke folur për Zërin e Amerikës, presidenti Topi komenton raport-progresin e Komisionit Europian si dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri, çështjen e pavarësisë së institucioneve, përplasjet e shumicës me Prokurorinë si dhe grevën e urisë të nisur dje nga një grup deputetësh.

Sipas Topit raport-progresi i cili u publikua javën e shkuar dhe që krijoi debate dhe u vlerësua në mënyra të ndryshme nga aktorë të ndryshëm politikë këtu në Tiranë, paraqet situatën reale të Shqipërisë.

“Natyrisht, nga aktorë të ndryshëm politikë, kryesisht ata partiakë, raporti vlerësohet bardh e zi, ndërsa unë e kam detyrim institucional ta vlerësoj raportin në një mënyrë realiste, me ngjyra, çka do të thotë që raporti shënon patjetër një arritje të re në marrëdhëniet midis Komisionit Europian dhe Institucioneve të Shqipërisë” – tha Topi.

Sa i përket pavarësisë së Institucioneve, Topi tha se: “Unë besoj që beteja për pavarësinë e institucioneve është një betejë afatgjatë. Pra, Shqipëria është në një moment shumë të rëndësishëm kur del në fokus nevoja për arritjen e pavarësisë së institucioneve të pavarura. Dhe besoj që është një çështje e kulturës së dialogut politik, e kulturës së nevojës për të komunikuar dhe për të vlerësuar që disa institucione detyrimisht të shkojnë në standardet që kanë edhe institucionet homologe në Perëndim” – tha ai.
(O.Zh BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›