E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: “Tryeza e dialogut do të vazhdojë”



Presidenti Bamir Topi është përpjekur dje ta vlerësojë me tone pozitive tryezën politike të bisedimeve mes maxhorancës dhe opozitës, ndonëse nga kjo tryezë, për momentin, nuk ka pasur asnjë rezultat pozitiv thelbësor, përveç aspektit formal të takimit Berisha-Rama. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë presidenti Topi, sipas të cilit, pozitivja e kësaj tryeze, si fillim, është “rifillimi i një komunikimi të drejtpërdrejtë jo nga distancat, por në tavolinë”. I vetmi emërues i përbashkët i kësaj tryeze duket se ka qenë fakti i pranimit nga Berisha dhe Rama që Presidenti të punojë me të dyja palët për të parë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje. Sipas presidentit, është rënë dakord që ai të mund të eksplorojë për të parë pikat e afrimit mes palëve. “Do të kërkoj pikat ku palët mund të gjejnë gjuhën dhe mund të bashkëpunojnë. Sigurisht kjo jep shpresë që kjo tryezë, së bashku me elemente të tjera që kanë të bëjnë jo thjesht vetëm me faktorët politikë, por edhe ekspertizë, gjithmonë mbi bazën e vullnetit politik të shprehur, të vazhdojë dhe të japë garanci që demokracia në Shqipëri do të jetë funksionale, të jetë efikase në funksion të interesave më madhore të popullit shqiptar”, - ka deklaruar presidenti. Sipas tij, pritshmëria për këtë takim ka qenë e lartë për të parë një rifillim të dialogut politik të munguar prej kohësh dhe se momenti me pozitiv i ditës së djeshme ka qenë predispozicioni për t’u ulur në tryezë, rifillimi i dialogut politik midis dy elementeve substanciale të demokracisë, mes maxhorancës dhe opozitës. “Takimi angazhoi në më shumë se tri orë, në bisedime të hapura, në bisedime pa komplekse të aktorëve kryesorë të politikës shqiptare, të cilët diskutuan për opsionet e tyre dhe natyrisht dhanë një element shumë të rëndësishëm që tryeza e dialogut do të vazhdojë. Ky ishte një angazhim reciprok i palëve, të cilat vlerësuan tryezën, iu referuan në mënyrë të qartë pikave të Rezolutës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, natyrisht duke shprehur edhe pozicionet e tyre specifike”, - sqaroi presidenti disa detaje të tryezës politike Berisha-Rama.
Bashkëpunimi
Kreu i shtetit me këtë rast është përpjekur të komentojë edhe mungesën e rezultateve të prekshme të kësaj tryeze. Sipas tij, duhet të jemi të vetëdijshëm që i gjithë “background”-i i marrëdhënieve Berisha-Rama, në një kontekst të caktuar, nuk ka mundësuar për momentin që dialogu të dalë në përfundime ekstremisht pozitive. “Por, mendjet racionale duhet të kuptojnë që është realizuar një moment shumë i rëndësishëm i demokracisë: rifillimi i një komunikimi të drejtpërdrejtë jo nga distancat, por në tavolinë, sepse ne kemi shembuj shumë pozitivë se si aktorët politikë edhe në të kaluarën kanë realizuar komunikime dhe vendimmarrje shumë të rëndësishme”, - ka nënvizuar presidenti. Sipas tij, është substanciale për demokracinë në Shqipëri, për institucionet e saj, që ky bashkëpunim të vazhdojë në të mirë të së ardhmes së shoqërisë shqiptare, të fëmijëve, të cilët në mënyrë të qartë, aspiratën e tyre e kanë orientuar dhe po e realizojnë hap pas hapi në vizionin euroatlantik. Presidenti ka vlerësuar rolin e partnerëve ndërkombëtarë, të institucioneve ku Shqipëria bën pjesë, në mënyrë të veçantë Këshillin e Europës ku Shqipëria është anëtare nga korriku i vitit 1995, përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kontributin që ata kanë dhënë që të realizohej tryeza politike e ditës së djeshme.

15 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›