E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi apelon për më tepër mundësi integruese në shoqërinë shqiptare të jetimëve.

18 maj 2010

Nën kujdesin e posaçëm të Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë organizoi sot një mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit një veprimtari kulturore e humanitare në përkujtim të 20 Majit, Ditës Kombëtare të Jetimëve Shqiptarë. Në respekt të kësaj dite të shënuar për gjithë shoqërinë, të pranishëm në programin artistik me këtë rast ishin drejtues të tjerë të lartë të institucioneve në vend, personaliteteve të shquara të artit, kulturës, sportit, përfaqësues të shoqatave dhe organizmave të shoqërisë civile në vendin tonë, si dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Shqipëri.

Në prani të tyre, Presidenti i Republikës u shprehu fëmijëve urimet më të mira në këtë ditë përmes një fjale, në të cilën ndër të tjera vuri në dukje: “Natyrisht edhe unë kam një emocion të veçantë. Kjo skenë e bukur ka vendosur në qendër fëmijë me bluza të bardha, të cilët simbolizojnë pikërisht atë për të cilën ne jemi mbledhur sot. Dhe regjisori është kujdesur mjaft mirë që këta fëmijë që unë i shoh shumë mirë nga ky pozicion, të jenë të rrethuar nga kujdesi i shoqërisë. Dhe jo rastësisht sot, në këtë auditor, në këtë sallë të nderuar, kemi mjaft personalitete të botës së artit, të kulturës, të pedagogjisë, Shkëlqesi Ambasadorë, njerëz të medias, që i japin një vlerë të veçantë kësaj dite. Unë dëshiroj t’ju falenderoj pamasë! E kam marrë ftesën dhe e kam pranuar me një ndjesi të veçantë.”

Pasi shprehu konsideratën e tij për organizatorët e kësaj veprimtarie dhe për të gjithë ata që jetën dhe punën e tyre ia kanë përkushtuar edukimit dhe arsimimit të këtyre fëmijëve, Presidenti Topi u shpreh në vijim:

“Ne, në mënyrë shumë të patjetërsueshme kemi një referencë njerëzore, e cila është autoktone. Është figura e Nënë Terezës dhe është një monument njerëzor, të cilit sot tentohet t’i referohet e gjithë bota. Jo më kot ajo quhet ‘Nëna e Popujve’, dhe jo më kot ajo quhet ‘Bija e Kombit tonë.’ Kështu që ne kemi rast, që në 100-vjetorin e lindjes së saj t’i rikthehemi si një reference të rëndësishme njerëzore, sepse diviza e Nënë Terezës ishte ‘Të mbrojmë dashurinë’. Ta mbrojmë këtë dashuri, t’i japim jetë kësaj dashurie, sepse kemi nevojë të gjithë për të shkëmbyer mesazhe dashurie, nga prindërit tek fëmijët, nga fëmijët tek fëmijët, nga politika tek fëmijët dhe anasjelltas.
Sot, ne natyrisht që do të flasim dhe për politikë. Por jeta është shumë komplekse. Jeta është shumë dimensionale. Ka nevojë të flitet për politikë, ka nevojë të bëhet debat politik, por ka nevojë që jeta t’i ruajë proporcionet e saj. Nganjëherë vërtet me idenë, mesazhet për fëmijët jetimë i lëmë në planin sekondar dhe kjo është një autokritikë që vjen nga unë së pari, pastaj duhet të vijë dhe nga të tjerët, sepse kjo është kategoria, e cila ka nevojë për më shumë mbështetje, sepse sot jeta është shumë komplekse dhe fëmijët të cilët, për shkak të ndonjë fati dhe të një kombinacioni tragjik nuk i kanë prindërit e tyre. Por shteti, shoqëria, sikurse ka bërë në këto 20 vite, ka bërë shumë, duhet të bëjë akoma më shumë dhe falë këtyre pedagogëve, falë këtyre institucioneve, fëmijët ndjehen më të integruar, ndjehen më të suportuar dhe besoj që do të jenë pjesë e rëndësishme e një shoqërie e cila nesër patjetër do të jetë shoqëri e vërtetë evropiane.

Unë edhe njëherë ju përgëzoj për këtë ditë. Këtë ditë ta përkujtojmë gjithmonë. Paçim sa më pak drama familjare, sepse me emancipimin e shoqërisë unë shpresoj që njerëzit do të bëhen më të ndjeshëm. Do të bëhen më të ndjeshëm për familjet e tyre, për fëmijët e tyre dhe për shoqërinë që ne dëshirojmë të bëjmë. Edhe njëherë urime për këtë ditë!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›