E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi apelon për solidaritet dhe kërkon ndëshkimin e plotë të shkaktarëve të tragjedisë së Gjirokastrës.

10 nëntor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit të tij, zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Gjirokastrës për të parë nga afër pasojat e ngjarjes së rëndë, që ndodhi një ditë më parë në lagjen “11 janari” ku si rezultat i shembjes së një pallati, humbën jetën viktima të pafajshme.

I shoqëruar nga Prefekti i Qarkut Gjirokastër, Spiro Ksera, Kryebashkiaku, Flamur Bine, Drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli dhe drejtues të tjerë vendorë, Kreu i shtetit pasi vërejti dëmet e shkaktuara nga shembja e pallatit, vizitoi dhe u takua me familjet Aliaj, Dhoçko dhe Papadhopulli, që të gjithë të mbijetuar nga tragjedia dhe të sistemuar përkohësisht në një nga hotelet e qytetit. Presidenti Topi i siguroi të mbijetuarit për mbështetjen e plotë nga të gjitha strukturat e shtetit duke u garantuar njëkohësisht për zgjidhjen e plotë dhe të drejtë të kësaj situate paprecedent.

Më pas, Kreu i shtetit zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencës Civile në mjediset e Prefekturës ku Prefekti Ksera e informoi me masat e marra për përballimin dhe kapërcimin e situatës së rëndë. Gjatë këtij takimi, Presidenti Topi u shpreh: “Natyrisht që jam këtu sot në radhë të parë me preokupacionin njerëzor, së dyti me detyrimin zyrtar për të qenë afër njerëzve, të cilët kanë përjetuar dje një tragjedi të vërtetë. Dhe me këtë rast dëshiroj t’ju shpreh familjeve të viktimave ngushëllimet më të sinqerta! Natyrisht në këto çaste të rënda dëshiroj t’ju inkurajoj për ruajtjen e qetësisë dhe nga ana tjetër t’i inkurajoj të gjitha strukturat shtetërore dhe ato lokale që të bëjnë ç’është e mundur që t’u japin një suport të vërtetë, suport moral, suport material familjeve, të cilat kanë humbur të dashurit e tyre, por nga ana tjetër ka dhe mjaft familje të tjera, të cilat kanë patur dëme të konsiderueshme materiale, të cilat në rastin konkret konsiderohen dëme materiale të parikuperueshme.

Në të njëjtën kohë, unë dëshiroj të përgëzoj Shtabin e Emergjencave Civile, të gjithë njerëzit që janë angazhuar në një rast të tillë, ndoshta shumë specifik për aq sa kemi parë! Dëshiroj të falenderoj forcat e policisë, të zjarrfikësave dhe një falenderim të veçantë dëshiroj ta bëj për forcat speciale të specializuara për të tilla raste, që erdhën nga shteti fqinjë! Dëshiroj të falenderoj edhe autoritetet e Janinës, që u gjendën dhe vazhdojnë të gjinden në çaste të vështira pikërisht në vendin e ngjarjes, aty ku, me aq sa kemi konstatuar edhe me shikim të drejtpërdrejtë nga afër, rreziku vazhdon të jetë i lartë.

Si Presidenti i Republikës dëshiroj të vë theksin që ngjarje të tilla kanë nevojë për hetim për një hetim të pastër, një hetim profesional, por do të ketë nevojë edhe për një gjykim të drejtë dhe korrekt për të respektuar atë që ne e kemi konsideruar gjithmonë dhe që e themi çdo ditë si lajtmotiv: shtetin e së drejtës. Unë i bëj apel Prokurorisë së Gjirokastrës. I bëj apel në avancë Gjykatës së Gjirokastrës, që me këtë çështje duhen të merret seriozisht me moralin që u takon të kenë organet e drejtësisë, me profesionalizmin duke i siguruar ato që do të kenë një monitorim shumë të rreptë nga autoritetet, të cilat komandojnë ose monitorojnë punën e tyre, ç’ka do të thotë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Është shumë e rëndësishme që në situtata të tilla të dhimbshme, njerëzit të ngrihen në lartësinë e përgjegjësisë së tyre dhe këto ngjarje të mos të na shërbejnë thjesht për të furnizuar opinionin publik me atë që ka ndodhur dhe që shkon deri aty ku siç thuhet në fjalën e urtë popullore “Harresa shkon përtej tragjedisë”. Në mënyrën më absolute jemi këtu që të evidentojmë pikërisht këtë moment shumë të dhimbshëm dhe kritik, që ka ndodhur në qytetin e Gjirokastrës dhe nga ana tjetër duhet të bëjmë të gjithë analizën e kësaj situate: Si erdhi kjo situatë, çfarë neglizhencash ka, duke filluar me përgjegjësinë e strukturave specifike në strukturat e pushtetit vendor, por duke shkuar edhe përtej. Duke shkuar përtej pikërisht aty ku jepen licensat për njerëz amatorë, për njerëz të papërgjegjshëm, njerëz që janë gati të krijojnë situata tragjedie për shkak të një fitimi pa moral. Ky është apeli që vjen jo thjesht nga Presidenti i Republikës, por ky është apeli mbarë shoqëror sot. Ekonomia e tregut natyrisht i ka bërë njerëzit të jenë të lirë në aktivitetet e tyre të biznesit, por jo të pakontrollueshëm. Ekonomia e tregut kërkon rregull të fortë, kërkon një shtet ligjor të fortë, kërkon një ekuilibër të fortë midis asaj që realizon dhe fitimit, kërkon një rregull dhe një ekuilibër të plotë në marrëdhëniet midis strukturave dhe individit, që përfiton lejen dhe aksesin për të ushtruar një aktivitet. Ky është një rast, tek i cili duhet të përqendrohen të gjithë, sepse vitet e tranzicionit na kanë përballur patjetër edhe me probleme të karakterit urban, me një dëshirë të shfrenuar për të ndërtuar vend e pavend dhe natyrisht përgjegjësia është shumë komplekse, është edhe tradicionale. Po t’i futemi rasteve specifike dhe për t’i analizuar, natyrisht do të shikoni që brenda momenteve kur ndërtohet një pallat ka dhe një pretendim, ka dhe një kontestim jo thjesht duke prishur raportet e ndërtimit të betonit me natyrën, por çka është më e rëndësishme, duke prishur interesat jetike të banorëve. Dhe rasti i Gjirokastrës është një rast flagrant, një rast që flet vetë, është një rast elokuent. Një rast ku bashkëjeton dëshira për fitim me mungesën e përgjegjshmërisë totale. Kjo duhet t’i bëjë strukturat, të gjitha ku ato kanë përgjegjësitë e veta specifike në këtë linjë që të bëjnë një ridimensionim aty ku duhet forcimi i ligjit, atëherë le të forcojmë ligjin. Është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë që duhet të forcohet fuqishëm edhe Kodi Penal. Nuk mund të ketë njerëz që të punojnë me papërgjegjshmëri totale duke shkaktuar drama të kësaj natyre. Autoritetet, të gjitha pa përjashtim duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, duhet të bëjnë profilaksinë e mjaft ndërtimeve të tjera qoftë edhe këtu në Gjirokastër. Autoritet qendrore dhe sidomos ato të pushtetit vendor duhet të bëjnë një monitorim të të gjitha ndërtimeve, që janë bërë në Gjirokastër për të marrë masat për përforcimin e terrenit. Natyrisht këto janë gjërat që do jua thonë specialistët, por ju vetë duhet ta organizoni punën në mënyrë që ngjarje të tilla të hidhura të mos përsëriten më. Ky vjen si apel nga Gjirokastra, por ky është apel që vlen për gjithë Shqipërinë. Sidomos për zonat që kanë një ndërtim tepër intensiv sikurse është Tirana, sikurse është Durrësi, sikurse janë zonat në bregdet, por sot jemi këtu për t’u fokusuar pikërisht në këtë ngjarje të rëndë dhe të hidhur. Unë jam i bindur që të gjithë së bashku, juve do të bëni të mundur që të organizoni në radhë të parë nxjerrjen e viktimës së fundit, që dyshohet të jetë brenda në gërmadha. Ky është momenti më i rëndësishëm, sepse familjarët kërkojnë që ta mbyllin këtë kapitull me tragjedinë. Pastaj ata do ta konsumojnë me veten e tyre. Këto janë trauma familjare, shoqëria bën të pamundurën, strukturat bëjnë të pamundurën, por njeriu i konsumon tragjeditë e veta dhe kush më shumë se ai, që e ka tragjedinë në shtëpi nuk e përjeton në mënyrën më të rëndë. Pra duhet të vendosemi që të gjithë pikërisht në këtë situatë që kanë këto familje, këta njerëz të thjeshtë, këta që po vuajnë papërgjegjshmërinë e individëve të veçantë, që kërkojnë të pasurohen pikërisht mbi viktimat e tyre.

Unë dëshiroj t’ju inkurajoj, juve që keni qenë vazhdimisht, sidomos ata që janë marrë me emergjenca civile, që kemi parë njerëz që shkojnë tek zjarri, që shkojnë tek përmbytjet shkojnë tek situata të tilla dhe të shpreh një admirim për këto forca, për forcat e policisë, admirim për ata njerëz, që vazhdojnë tek pallati, të rrezikuar nga momenti në moment që ai pallat mund të bjerë, por apelin kryesor e kam që këta njerëz, që sot janë pa strehë sidomos njerëzit që kanë viktima në familje, duhet të mbështeten me të gjitha mënyrat, të mbështeten nga shteti. Sikurse e thatë dhe ju zoti Prefekt po mbështeten nga biznesi dhe nga shoqëria. Këto janë momente për të dhënë kurajo dhe solidaritet. Shqiptari ka ditur të tregojë në momente tragjedie, që di të japë solidaritet, por ne të gjithë duhet të dimë të përgatitemi që të bëjmë profilaksinë e ngjarjeve të tilla. Të mos mblidhemi thjesht për të dhënë solidaritet në situata të tilla, se ky është një element tradicional, por shoqëritë moderne bëjnë parandalimin e situatave të tilla. Unë jam i bindur që bashkëpunimi i strukturave qendrore, i Qeverisë dhe i strukturave të pushtetit vendor edhe me ato që juve thatë, me siguri që do të ketë një vendim të Këshillit të Ministrave për rastin konkret për të dhënë të gjithë suportin e duhur, për të eleminuar këtë tragjedi, e cila uroj për të gjithë, për banorët e Gjirokastrës dhe për banorët e gjithë Shqipërisë që të mos përsëriten më. Por apelin më të fortë, sikurse e thashë, dhe vazhdoj ta them edhe një herë në përfundim të fjalës time, e kam për Prokurorinë dhe për Gjykatën, pra e kam për drejtësinë, të cilët do të bëjnë një zbardhje, një hetim dhe një gjykim në një kohë të shkurtër të kësaj ngjarje që nuk ka nevojë shumë për zbardhje sepse është e dukshme, por nga ana tjetër një bashkëpunim të të gjitha strukturave që të mos japin leje aty ku nuk jepen dhe që të mos japin dhe kjo është shumë e rëndësishme, tek njerëzve që janë të papërgjegjshëm. Njerëz, të cilët edhe pasi kanë konsumuar tragjedinë bëjnë hapin tjetër fatal të imoralitetit duke tentuar që të largohen. Kjo tregon që kanë qenë në kushte totale të papërgjegjshmërisë për ndjenjë qytetare dhe vetëm “ të përgjegjshmërisë” për të fituar.

Dëshiroj edhe një herë t’u jap kurajo të gjithë banorëve të përfshirë në këtë tragjedi dhe t’u siguroj për mbështetjen e plotë të shtetit dhe të mbarë shoqërisë”!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›