E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoroi sot në mbrëmje aktorin amerikan me origjinë shqiptare, Xhejms Belushi, me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

11 nëntor 2008

Sot në mbrëmje, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi aktorin e mirënjohur me origjinë shqiptare, Xhejms Belushi, me Urdhrin “Nderi i Kombit”, gjatë shfaqjes “Dua më shumë Shqipërinë” të organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Pas ceremonisë së dekorimit të z. Belushi me Urdhrin e lartë me motivacionin: “Me mirënjohje dhe krenari, aktorit të shquar, me famë botërore në kinematografinë, teatrin dhe televizionin amerikan, njeriut që trashëgoi dhe ruajti me dinjitet dashurinë për prejardhjen e tij shqiptare dhe për Shqipërinë”, Presidenti Topi, në fjalën e mbajtur me këtë rast, u shpreh:

“Mirëmbëma të gjithëve!
Duke qenë në një pozicion, unë ju shikoja me shumë vëmendje. Shikoja që ishit njeriu më i lirë në këtë sallë gjatë pauzave, lëvizje pa asnjë lloj ndroje dhe rezerve. Unë e kuptoj shumë mirë që juve e bëni këtë sepse ndjeheni në familjen tuaj, në shtëpinë tuaj. Rreth dy muaj më parë, në një mbrëmje në Boston ku ishin më shumë se një mijë shqiptarë, ku unë natyrisht jam takuar për herë të parë me Xhimin, por duke marrë në konsideratë që, prej dekadash keni ndjekur famën e familjes suaj, karrierën tënde të mrekullueshme, në një moment kur juve thërritnit me shumë pathos, për një moment njeriu mendon se është pjesë e ekzibicionit artisitik. Por padyshim që nuk është kështu. Nuk është e vështirë që njeriu të dallojë tek njeriu që e thotë me aq sinqeritet, që i del nga shpirti ‘Jam shqiptar!’. Dhe duke eksploruar në jetën tuaj artistike, natyrisht me një motivacion të veçantë, për atë që do të them pak më vonë, edhe juve gjatë një interviste në një televizion presitigjoz europian, vite më parë, deklaronit emocionet e përjetuara në Shqipëri në një vizitë që kishit bërë me babain tuaj dhe realisht aty shikoje emocione shumë të thella. Ju i shpreheshit gazetarit gjerman: ‘Unë kudo ku shikoja shqiptarë, në të gjithë ambientet, më dukej sikur shikoja veten time në pasqyrë’. Në mënyrë shumë intuitive ju shkonit pikërisht në rrënjët e famijes suaj, pikërisht tek gjaku juaj, shkonit në filogjenezën tuaj dhe ju jeni një rast i mrekullueshëm për të cilin ne krenohemi. Kjo është arsyeja që sonte unë dëshiroj të bëj një gjest simbolik, natyrisht në emër të të gjithë shqiptarëve, që ju i doni dhe ata ju duan shumë. Por jam i bindur që duke bërë këtë gjest, unë padyshim vlerësoj të gjithë artistët, të gjithë njerëzit e letrave, inxhinierët, mjekët, shkencëtarët, profesorët e nderuar, kudo ku ata janë, ata që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, ata që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë, kualitete me të cilat ne krenohemi dhe në momente të veçanta si kjo natë magjike, vlerësojmë që ne kemi shumë kualitete dhe padyshim ju jeni ambasadorët më të mirë të Shqipërisë.

Më shumë se kaq unë nuk dëshiroj të them asgjë, sepse vepra juaj flet shumë shumë më tepër se ç’mund të flas unë. Dhe në fund para se të përfundoj fjalën time, dëshiroj të jap një falenderim të veçantë për zonjën Vera Grabocka, e cila së bashku me bashkëshortin e saj, Timo Flloko, për shkak të identitetit të tyre të fortë, human dhe artistik, mbajnë mbiemra të ndryshëm, bënë të mundur që t’i japin simbolikën e këtij takimi shumë të rëndësishëm, sepse ju jeni shembull i qartë, një shembull elokuent, që keni ditur të ndërtoni karrierën tuaj këtu, edhe ato vite që i shpenzuat jashtë Shqipërisë, juve i përdorët për të rritur kualitetin tuaj. Faleminderit të gjithëve, faleminderit të gjithë artistëve, personaliteteve të nderuara, edhe njëherë nga zemra faleminderit sepse juve të gjithë i bëni një nder të jashtëzakonshëm Shqipërisë”.

Ndërsa aktori i shquar, Xhejms Belushi, mes emocionesh të mëdha e në prani të qindra të pranishmëve, u shpreh:
“Faleminderit shumë të gjithëve. Faleminderit! Ky është një çmim shumë i rëndësishëm dhe me peshë, dhe një nder i madh. Është një përgjegjësi e lartë. Nuk e di nëse e meritoj. Unë jam krenar për atë që jam dhe për atë se nga jam. Jam lindur e rritur në Amerikë, por genet e mia janë shqiptare. Gjaku im është gjak shqiptar dhe do të jetë i tillë përgjithmonë. Ju faleminderit dhe njëherë. Faleminderit z. President!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›