E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron “Shoqatën Durrësi” dhe personalitete të shquara durrsake

26 dhjetor 2011
Durrës

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi u ndalën sot edhe qytetin e Durrësit, ku u mikpritën nga Kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor, këshilltarë bashkiakë dhe qytetarë të shumtë durrsakë.

Pasi një takimi të veçantë në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, në Teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku ishin të pranishëm Kryebashkiaku Dako, Prefekti Genc Alizoti, deputetë dhe qytetarë durrsakë, u zhvillua ceremonia e dekorimeve të “Shoqatës ‘DURRËSI’” me Medaljen “Për Merita të Veçanta Civile” me këtë motivacion: “Për kontribut të çmuar në evidentimin, ruajtjen dhe transmetimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, atdhetarizmit dhe qytetarisë durrsake, për merita të veçanta në organizimin e një veprimtarie të gjerë për rritjen e ndjeshmërisë dhe solidaritetit shoqëror.”; të zonjës Aishe Stari me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” "Për kontribut të veçantë në artin skenik shqiptar, veçanërisht në atë të humorit, për interpretimin me origjinalitet e realizëm të shumë roleve, tipave e karaktereve, duke u bërë një artiste e mirënjohur për publikun.”; të zotit Roland Koça me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë me motivacionin “Aktorit të mirënjohur, njërit ndër themeluesve të Teatrit dhe Estradës së qytetit të Durrësit, i cili me mjeshtëri dhe profesionalizëm ka realizuar dhjetëra role, në teatër dhe estradë, duke spikatur sidomos në vizatimin e karaktereve të larmishme.” dhe zotit Nikolla Profkola me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” “Për kontributin dhe vlerat e paraqitura në aktivitetet e basketbollit, si lojtar, trainer dhe specialist i mirënjohur me merita të jashtëzakonshme.”

Duke përshëndetur këtë veprimtari artistike e festive, të mbushur edhe me këngë e valle të interpretuara mjeshtërisht nga artistë durrsakë, Kryetari i Shteti u shpreh:

“I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së Durrësit,
I nderuar zoti Prefekt,
Të nderuar zotërinj deputetë,
I nderuar zoti Metani, Kryetar i Shoqatës "Durrësi",
Zonja dhe zotërinj,

Natyrisht për mua është një moment i veçantë që ndodhem këtu, midis jush, në Durrës dhe, patjetër impresioni i parë është ai, që e konstaton gjithmonë në Durrës, një mjedis qytetar, një mjedis intelektual, që vjen jo rastësisht. Unë gjithmonë e lidh me historinë e lashtë të këtij qyteti, sikur e tha dhe zoti Hoxha, një qytet 3400 vjeçar. Kjo lashtësi, kjo traditë e jashtëzakonshme e qytetarisë, patjetër që bën që të krenohet çdo shqiptar, aq më shumë durrsakët. Një qytet, që e gjen të pasqyruar, natyrisht me emra të ndryshëm, diku Epidamnus, diku Dyrrahu, sot Durrësi, në të gjitha hartat më të vjetra të historisë. Pra, ky qytet i lashtë, vjen në ditët e sotme me një trashëgimi të jashtëzakonshme, jo vetëm të vlerave qytetare të kulturës, të historisë, por edhe të së artit, edhe të sportit. Unë e konstatova edhe sot gjatë kësaj shfaqjeje mjaft interesante, ku patjetër duket dora e profesionistit dhe patjetër vjen nëpërmjet kësaj përvoje që kjo skenë. Unë dëshiroj që, pa ju mërzitur, të citoj emrat e nderuar, emrat që i kanë dhënë jetë kësaj skene, i kanë dhënë nder kësaj skene dhe këtij qyteti, duke filluar me regjisorin Gjergj Vlashi, me regjisorin Haxhi Rama, me Ramazan Ngjalën, me Nikolin Xhojën, me Spiro Stratin dhe me ata, që i kemi prezent, me Fadil Hasën, me Muharrem Hoxhën, por edhe me ata që nderojmë sot me Roland Koçën, me Aishe Starin. Pra, i përmenda këto emra dhe do më ndjenin nëse ndonjëherë nuk i kam përmendur. Dhe jam i bindur që nuk i kam përmendur, sepse vlerat e artit qytetar, qoftë të teatrit, qoftë të estradës, natyrisht që nuk vijnë të vetëm. Vijnë vetëm mbi bazën e punës në ekip, filozofisë dhe traditës. Të gjithëve ju uroj për atë emër të madh që i keni dhënë estradës së Durrësit, teatrit të Durrësit, artit të Durrësit. Patëm rastin këtu të dëgjojmë një nga zërat brilantë dhe të shohim Zija Saraçin, por edhe të tjerë më të rinj dhe jam i bindur që kjo traditë do të vijë duke u ripërtërirë edhe me brezat e tjerë më të rinj.

Dëshiroj që në këtë kontekst të vlerësoj një punë të jashtëzakonshme të Shoqatës “Durrësi”, një punë e bërë me shumë pasion. Kam pasur rastin që gjatë këtyre viteve, qysh nga momenti i themelimit të Shoqatës, sepse në një farë mënyre, Shoqatat “Durrësi” ka shkuar në një lloj sintonie me Shoqatën “Tirana” dhe me shoqata të tjera, të shoh një punë të jashtëzakonshme impenjative të drejtuese: zotit Myderrizi, zotit Metani, të gjithë atyre që i kanë dhënë jetë. Dhe sot, kur shikon që Shoqata “Durrësi” është promotori i veprimtarive, mban gjallë traditën e këtij qyteti dhe e ripërtërin, është vlerësuese jo vetëm në momente gëzimi, por është asistuese edhe në momente dhimbjeje për familjet durrsake. Natyrisht me Durrësin më lidh shumë. Zakonisht, ne politikanët rrëfehemi nëpër studio, por këtë rrëfim po e bëj në mënyrë shumë të sinqertë midis jush. Asnjëherë nuk e kam ndarë dashurinë për Tiranën dhe Durrësin. Kam pasur edhe disa nga arsyet e mia specifike, sepse disa nga paraardhësit e mi janë lidhur me Durrësin. Kështu që unë mbaj mend nga Durrësi shumë gjëra. Kam qenë fëmijë. Po i thoja Kryetarit të Bashkisë se, kur flija në Durrës, tek tezja, orën, këmbanën e orës së Durrësit, që sot nuk kumbon, por duhet që të rikumbojë. Mbaj mend atë moment të jashtëzakonshëm të zbulimit të amfiteatrit, në mos gaboj ka qenë viti 1966-1967, mbaj mend zhurmën e lokomotivës së trenit, ka qenë treni me avull në atë kohë. Pra, mbaj mend shumë gjëra, por ajo, që mbetet e pashlyeshme nga Durrësi, është pikërisht qytetaria durrsake. Njerëz për të cilët ruaj një respekt të jashtëzakonshëm. Unë mbaj mend edhe gjëra të tjera. Natyrisht, mbaj mend dhe të madhin Niko Profkola, e mbaj mend. Zakonisht, njeriu kur ka shumë gjëra dinamike, është vetë fiziologjia e trurit, që disa gjëra i pastron. Por, në memorien time, figura e Niko Profkolës ka qenë, mbetet dhe besoj do të jetë e pashlyeshme. Zakonisht, ekipet e mëdha punojnë me forcën e grupit. Edhe Durrësi, “Lokomotiva” e Durrësit, ka pasur forcën e grupit, por, ajo që e dallonte nga ekipet e Tiranës, ku të gjithë ishin titullarë, apo “Partizani”, që arrinte të mblidhte shumë lojtarë, nga e gjithë Shqipëria, Niko Profkola, në kujtesën time mbaj mend që, shumë gjëra i zgjidhte edhe vet, individualisht. Kjo tregon që ai ka qenë një talent dhe sot, jo mbi bazën e thjesht vullnetit të Presidentit, por mbi bazën e propozimeve që vijnë nga strukturat e qytetit të Durrësit dhe nga respekti e dashuria e qytetarëve, sot, ne e nderojmë Niko Profkolën, së bashku me Aishe Starin, së bashku me Roland Koçin, së bashku me ta dhe Shoqatën “Durrësi”.

Unë, edhe një herë ju falënderoj, ju falënderoj dhe ju siguroj që, gjithmonë do të nderoj, brenda afatit tim presidencial, figura të tjera, sepse Durrësi ka aq vlera, i në shumë drejtime, në shumë fusha, që i bëjnë nder, jo vetëm qytetit të Durrësit, por i bëjnë nder memories kombëtare! Edhe një herë faleminderit! Gëzuar!

Meqë jemi në prag të Vitit të Ri, unë i uroj gëzuar çdo familjeje durrsake, familjeje të vjetër, apo familjeje të ardhur rishtazi në qytet, që e kanë bërë këtë qytet , një qytet me dimensione të vërteta evropiane. Sot Tirana dhe Durrësi nuk kanë më kufij. Tirana dhe Durrësi janë një metropol dhe ky metropol patjetër do të jetë një forcë e madhe e zhvillimit të Shqipërisë. Edhe një herë faleminderit dhe urime të gjithëve!”

Pas ekzekutimit të himnit të flamurit si dhe leximit të dekreteve presidenciale nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit u dorëzoi urdhrat e lartë të dekoruarve, të cilët shprehën mirënjohjen e thellë për Presidentin Topi dhe për vlerësimin e vazhdueshëm që i bën Durrësit e qytetarisë së shquar të tij në veçanti si dhe figurave të shquara të artit, kulturës dhe sporteve në përgjithësi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›