E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron me “Medaljen e Mirënjohjes”, Drejtorin e Misionit të USAID-it në Shqipëri, Eduard T. Landau.

26 gusht 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka dekoruar me “Medaljen e Mirënjohjes” zotin Eduard T. Landau, Drejtor i Misionit të USAID-it në Shqipëri.

Pas nderimit të hymnit kombëtar dhe leximit të dekretit nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, z. Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës i dorëzoi “Medaljen e Mirënjohjes” z. Eduard T. Landau dhe dekretin me motivacionin: “Për kontribut të vyer në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të miqësisë tradicionale shqiptaro-amerikane”.

Vetë z. Landau, iu drejtua të pranishmëve në këtë ceremoni: Zoti President,
Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë medalje! Ndiehem jashtëzakonisht i nderuar për këtë nder që po më bëni, për punën që qeveria e SHBA-ve ka bërë përmes agjencisë së USAID-it në ndihmë të qytetarëve të Shqipërisë. Suksesi i përpjekjeve tona është vërtet një rezultat i vlerave që ne ndajmë së bashku, si qytetarët e Shqipërisë dhe ata të SHBA-ve. Ne besojmë në lirinë, drejtësinë përmes forcimit të institucioneve demokratike. Besojmë në tregun e lirë dhe në rritjen ekonomike, duke shfrytëzuar shpirtin ndërmarrës të qytetarëve të këtij vendi. Besojmë në një qeverisje që funksionon në mënyrë efikase. Besojmë në veprime të përbashkëta për të përmirësuar situatën ndërkombëtare. Në të gjitha këto përpjekje Shqipëria ka qëndruar si një aleat i vërtetë i SHBA-ve dhe besoj se një ndër arsyet e suksesit tonë në Shqipëri ka qenë, se të gjithë shqiptarët ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen afatgjatë të vendit. Besojmë në hyrjen në institucionet ndëratlantike dhe në luajtjen e një roli konstruktiv në skenën ndërkombëtare. Kjo ka qenë ajo ç’ka na ka ndihmuar që të kapërcejmë çdo pengesë në zbatimin e programeve tona si dhe të arrijmë rezultate të mira në realizimin e tyre.

Për mua kjo ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Besoj fuqishëm në prosperitetin dhe rritjen e Shqipërisë, si dhe në rolin e rëndësishëm që ajo do të luajë në komunitetin ndërkombëtar.

Zoti President ju falënderoj dhe një herë!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›