E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dekoron mësuesit më të shquar

Gjirokastër

Gjatë vizitës së tij në prag të 7 Marsit, ditës kombëtare të mësuesit, në Universitetin “Eqrem çabej” të qytetit jugor të Gjirokastrës, Presidenti i Republikës, prof.dr.Bamir Topi, dekoroi disa mësues, mësuese dhe personalitete në fushën e arsimit me rastin e 7 Marsit, festës së mësuesit. Kreu i shtetit nderoi me “Medaljen e Mirënjohjes” Adelina Ahmet Barxon, me motivacionin "Për përkushtim dhe arritje të rëndësishme profesionale, nëpërmjet aplikimit të metodave të përparuara pedagogjike”; Jorgo Dhimitër Karamanon, me motivacionin "Për arritje të rëndësishme në ngritjen e nivelit shkencor e pedagogjik, si arsimtar dhe drejtues”; Liljana Petraq Kaçin, me motivacionin "Për arritje të rëndësishme në profesionin fisnik të mësueses nëpërmjet aplikimit të metodave të përparuara pedagogjike”; Mihal Niko Zhulatin, me motivacionin "Për kontribut të vyer në zhvillimin e arsimit në Qarkun e Gjirokastrës, duke pasqyruar ndryshimet progresive në vend”. Ndërsa me urdhrin “Naim Frashëri i Artë” u nderuan Viktor Theodhori Terpo (pas vdekjes), me motivacionin "Për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit, veçanërisht në përgatitjen e brezave të mësuesve dhe pedagogëve”, dhe Vasil Sevo Bilushi (pas vdekjes), me motivacionin "Për kontribut të rëndësishëm në themelimin, drejtimin dhe shndërrimin e universitetit “Eqrem çabej” në një qendër të rëndësishme të arsimit të lartë”. Medalja “Për Merita të Veçanta Civile” iu dha Vjollca Neshet Kokalarit, me motivacionin "Për kontribut të veçantë në zhvillimin e arsimit në zonën e Gjirokastrës dhe më gjerë”; Ksanthipi Spiro Kabilit, me motivacionin "Për kontribut të veçantë në zhvillimin e arsimit në zonën e Gjirokastrës dhe më gjerë”.

Personalitetet e dekoruara dhe familjarët e tyre shprehën mirënjohjen, duke e falënderuar kreun e shtetit nga zemra për këtë nderim që u bëhet atyre dhe sidomos profesionit të nderuar e fisnik të mësuesisë dhe misionit të vyer të edukuesve të brezave të rinj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›