Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu inspektojnë së bashku punimet në Rrugën Rrëshen-Kalimash.

4 nëntor 2008
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili po zhvillon vizitën e parë zyrtare në Shqipëri, inspektuan sot së bashku punimet në Urën e Repsit, të shoqëruar nga delegacioni zyrtar i Republikës së Kosovës, një grup deputetësh të parlamentit shqiptar dhe këshilltarë të Presidentit.
Të dy Presidentët u pritën nga Kryetari i Komunës së Repsit, Aleksandër Lalaj, deputeti i zonës, Gjovalin Prenga dhe nga administrues të lartë të Bechtel-Enka. Në qendër të Komunës së Repsit, të dy Presidentët u mirëpritën në një atmosferë festive edhe nga banorë të zonës dhe punonjës të ndërtimit të kësaj arterie të rëndësishme lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Pasi inspektuan ecurinë e punimeve në Urën e Repsit, të dy Presidentët u prononcuan për mediat e pranishme:
Presidenti Topi:
“I nderuar President Sejdiu,
Të nderuar deputetë të Parlamentit të Kosovës dhe të Parlamentit të Shqipërisë,
Të nderuar miq, përfaqësues të medias,
Të nderuar përfaqësues të kompanisë “Bechtel”,
Është një kënaqësi e veçantë që jemi sot këtu në Reps, në aksin e autostradës që do të lidhë Durrësin me Kosovën. Kjo padyshim është pjesë e asaj që e kemi konsideruar ëndërr shqiptare, të cilën e shikojmë çdo ditë që po realizohet dhe shumë shpejt do të kemi një rrugë të përfunduar, një rrugë që do të lidhë jo vetëm Shqipërinë me Kosovën, por një rrugë që do të japë mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi e komunikimi, në radhë të parë komunikimi njerëzor, komunikimi në botën e biznesit. Kjo rrugë do t’i japë pse jo gjithë kësaj zone një zhvillim të paparë, një zonë që dikur ka qenë e harruar, e braktisur. Por unë besoj që kjo rrugë do të japë bukuri edhe më shumë, do t’i japë kuptim këtij peisazhi të mrekullueshëm.
Unë jam personalisht shumë i lumtur, zoti President, që jemi së bashku këtu sot. Kjo është vizita juaj e parë në Shqipëri si President i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike. Ka simbolikën e vet kur vizitoni Shqipërinë, por ka dhe simbolikën e vet kur vizitoni pikërisht këtë rrugë. Kjo është rruga që ne kemi ëndërruar sikurse thashë, kjo është rruga që e kemi ëndërruar së bashku, është një ëndërr e përbashkët e realizuar, është gjëja më e mirë që ne po përjetojmë. Shumë breza e kanë ëndërruar këtë rrugë, fatkeqësisht një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk ia kanë arritur kësaj dite, kështu që jemi me fat, por më me fat do të jenë brezat që do vijnë, të cilët do të kenë mundësinë të ndihen shumë afër me njëri-tjetrin. Kemi qenë me zemër, me mendje, me shpirt, shumë afër, por sot jemi realisht edhe fizikisht, jemi shumë, shumë afër për të realizuar ato ëndrra të mëdha që kemi pasur, dhe ashtu sikurse e thamë edhe dje së bashku, - për të cilën bien dakort sot edhe personalitetet më të rëndësishme të botës - Shqipëria dhe Kosova sot janë kontribuese të paqes në rajon. Jam i bindur që do të jenë pjesë e padiskutueshme e ëndrrës euroatlantike, ëndërr që realizohet edhe nëpërmjet realizimit të kësaj vepre, e cila përpara se të jetë vepër e madhe inxhinierike me një teknologji të përparuar, është vepër e shpirtit të të gjithë shqiptarëve. Unë jam shumë i gëzuar dhe dëshiroj tani që të dëgjoj dhe emocionet e Presidentit Sejdiu”.
Presidenti Sejdiu:
“Ju faleminderit zoti President! Janë të ngjashme.
Të nderuar miq,
Përfaqësues të pushtetit lokal,
Deputetë,
Inxhinierë dhe punëtorë të “Bechtel”-it dhe të gjithë partnerëve tuaj,
Është vërtet një ditë me emocione të veçanta edhe për mua, edhe për delegacionin e Republikës së Kosovës, që të jemi këtu dhe të shohim këtë ecje dhe këtë qasje kaq aktive, që kjo rrugë të përfundojë sa më parë. Rruga ka qenë dhe mbetet në qasjen e vet themelore, arterie e rëndësishme e një trungu, e një jete. Është me shumë rëndësi që hap perspektivën, hap proceset e zhvillimit, hap proceset e lëvizjeve të lira të qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme, komunikimet e tyre, bashkon njerëzit. Prandaj ajo që është dhënë si ide edhe në fazat më të hershme dhe që Presidenti Topi e quajti me të drejtë ëndërr të gjeneratave të shumta, vjen dhe bëhet realitet në këtë kohë me një përkushtim tepër të përgjegjshëm të qeverisë shqiptare dhe besoj po në të njëjtën kohë, një përkushtim që do ta ketë edhe qeveria e Kosovës, që rruga Durrës-Prishtinë do të jetë e kryer për një kohë optimale dhe jashtëzakonisht të shkurtër. Për ne është me shumë rëndësi që njerëzit do të vijnë nga Prishtina dhe qytetet e tjera në Kosovë, ta kenë Durrësin, ta kenë Tiranën, ta kenë Shkodrën dhe qytetet e tjera shumë më afër, dhe kjo rrugë do ta mundësojë. Është tepër e rëndësishme që pikërisht kjo rrugë do të ofrojë dhe shansin e madh për banorët e zonave që të gjejnë perspektivën e zhvillimit dhe të ekzistencës së tyre në këto mjedise, që me këto bukuri të natyrës, t’i shtohet po ashtu një vepër e veçantë edhe nga dora e njeriut dhe nga përcaktimi i tij, që praktikisht njerëzit të gjejnë mundësi më të mira për zhvillimet brenda qyteteve dhe në lokalitetet që përshkohet.
Prandaj do të dëshiroja që me këtë rast të përkujtoj edhe një herë gjithë këtë punë të madhe që është bërë, të përkujtoj idenë që Presidenti Rugova e pat thënë që në fillim të viteve ’90, që duhet të ketë një veprim të koordinuar energjik të përbashkët për ta parë këtë rrugë të kryer, që lidh Kosovën dhe Shqipërinë, dhe që lidh dy vendet edhe në qarkullimin apo në ecjen drejt Evropës.
Ju faleminderit edhe një herë për punët e mëdha që janë bërë. Përgëzoj po ashtu edhe të gjithë njerëzit e kësaj kompanie të rëndësishme që ka marrë përsipër që të kryejë në afat punimet, dhe besoj që nuk do të jetë e largët dita që do jemi të gjithë së bashku për të kapërcyer shumë shpejt me makinë nga Prishtina në Tiranë dhe në Durrës.
Ju falemnderit!”