E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi takohen me bashkësinë shqiptare në Kroaci.

21 maj 2009
Zagreb, Kroaci

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi pritën sot në mëngjes në Rezidencën shtetërore një përfaqësi të bashkësisë shqiptare në Kroaci duke zhvilluar me ta një takim të ngrohtë e vëllazëror.

Presidenti Topi bëri një përshkrim të shkurtër të reformave të ndërmarra në Shqipëri, si ajo në fushën e drejtësisë, reforma zgjedhore, ekonomike, etj, duke vënë në dukje konsensusin e gjerë dhe bashkëpunimin midis mazhorancës në pushtet dhe opozitës për arritjen dhe përmbushjen e standardeve integruese dhe realizimin e aspiratave të shqiptarëve me synin futjen në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Kreu i shtetit shqiptar theksoi se: “Shqipëria e konsideron pakicën kombëtare shqiptare në Kroaci si një urë lidhjeje dhe bashkëpunimi tradicional mes dy vendeve dhe popujve tanë” duke vlerësuar lart njëkohësisht kontributin që ka dhënë kjo pakicë për pavarësimin e Kroacisë dhe për demokratizimin e fuqizimin ekonomik të shoqërisë kroate. Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve duke vënë në dukje faktin se Presidenti Mesiç është një avokat i jashtëzakonshëm i shqiptarëve dhe çështjes së Kosovës dhe kjo është një garanci shumë e madhe për zhvillimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kroacisë. Kreu i shtetit theksoi rëndësinë që kanë ruajtja dhe thellimi i vlerave tradicionale shqiptare si paqja shoqërore, harmonia dhe bashkëjetesa fetare që na karakterizojnë, ruajtja dhe pasurimi i gjuhës shqipe nëpërmje arsimit të brezave të rinj, traditat dhe zakonet tona aq të vyera e të vjetra.

Përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare në Kroaci, në radhët e të cilëve numëroheshin artistë, intelektualë, aktivistë të shoqatave të ndryshme, sipërmarrës, shkrimtarë, mjekë e ushtarakë, pasi shprehën ngazëllimin e tyre për këtë vizitë kaq të rëndësishme të Kreut të shtetit amë, vlerësuan arritjet dhe transformimin rrënjësor të Shqipërisë gjatë viteve të fundit, sidomos futjen me të drejta të plota në NATO dhe rrugëtimin e pandalshëm drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë takim u disktua edhe mbi situatën në rajon, mbi realitetin e ri gjeopolitik pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, si dhe mbi rëndësinë dhe rolin moderator të faktorit shqiptar në Ballkan në funksion të ruajtjes së paqes dhe qëndrueshmrisë afatgjatë, duke synuar gjithmonë rritjen dhe zhvillimin ekonomik, si dhe integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euro-atlantike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›