Intervistë e Presidentit Topi dhënë për emisionin “Studio e hapur” në Televizionin Alsat

11 janar 2011
Gazetarja, Eni Vasili: Të nderuar teleshikues, mirëmbrëma! I ftuari special i “Studios së hapur” është Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Zoti Topi mirëmbrëma! Zoti President, falemnderit që jeni në televizionin tonë dhe keni zgjedhur programin tonë për të zhvilluar intervistën tuaj të parë për këtë vit, ku do të paraqisni sfidat dhe angazhimet e Presidencës tuaj për 2011!
Presidenti Topi: Mirëmbrëma! Mirë se keni ardhur! Është një kënaqësi gjithashtu!
Gazetarja: Falemnderit! Po fillojmë bisedën e parë për 2011, por me një vështrim ndoshta dhe pak retrospektivë, pra, le të kujtojmë 2010 se çfarë viti ishte në mendimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, për shqiptarët natyrisht.
Presidenti Topi: Si çdo gjë në jetë, qoftë në jetën familjare, në jetën private, në jetën shoqërore, në jetën politike, në jetën institucionale, gjërat kanë një vështrim relativ. Por, unë jam gjithnjë i prirur të shikoj këndin pozitiv të gjërave dhe, e thënë më thjeshtë, unë shikoj patjetër një vit ku kemi pasur progres. Progresi duhet parë pavarësisht situatave politike, sepse vërtetë politika është shumë e rëndësishme për jetën e qytetarit, por jo gjithçka duhet fokusuar tek politika. Kur them që ka qenë një vit përgjithësisht pozitiv për jetën e qytetarëve, natyrisht shikoj që gjërat shkojnë edhe në sensin privat. Pra, vërej që njerëzit, pavarësisht vështirësive ekonomike që kanë, shohin gjithmonë me optimizëm të ardhmen dhe po t’i shohësh gjërat në këtë kënd retrospektiv relativ, do të shikoni që çdo vit është më mirë se viti që kaloi. Për t’u futur pastaj në ngjarjet më të mëdha të këtij viti, padyshim e kemi thënë, dëshiroj ta rithem, pa e tepruar në përsëritje, dëshiroj të them se ajo që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të shqiptarëve padyshim që është një ngjarje madhore e vitit 2010. Pra, duket sikur gjërat thjeshtohen shumë kur ti komenton një dalje pa probleme jashtë kufijve të Shqipërisë. Por, po t’u kthehesh gjërave, të gjitha vështirësive në vite, po t’u kthehesh atyre torturave që kanë hequr shqiptarët, duke e çuar bisedën gati dy dekada më parë, kur njerëzit janë vrarë nëpër telat me gjemba të kufijve, pastaj atyre episodeve të pakëndshme që lidhen me trafikun klandestin të njerëzve në ngushticën e Otrantos, atyre tragjedive, ku njëra prej të cilave është përkujtuar pardje dhe ka të bëjë me 9 Janarin, mund t’ju them që gjërat duhen parë me shumë gëzim për sa i përket lëvizjes së lirë. Për të mos u futur pastaj në episode që kanë të bëjnë me jetën e çdo njeriu. Çdo njeri në jetën e tij familjare ka probleme të ndryshme që lidhen qoftë me një problem shëndetësor, qoftë me nevojën për të parë dikë jashtë, qoftë me nevojën e anasjelltë, dikush që është jashtë emigrant të kthehet për të parë njerëzit e vet. Jeta është e mbushur me gëzime, është e mbushur me hidhërime. Pra, të ndihesh i lirë për të lëvizur besoj që është momenti më esencial i jetës. Të ndihesh i lirë qoftë fizikisht, qoftë psikologjikisht, i krijon mundësi njeriut të mendojë më pas edhe për gjëra të tjera. Kështu që padyshim, e ripërsëris, momenti që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të shqiptarëve, është momenti më madhor i vitit 2010.
Gazetarja: Megjithatë, 2010 ka trashëguar një problem jo pak të vogël, sidomos në kontekstin politik, zoti President, në 2011, siç është ajo e ngërçit politik që ekziston ende në vend. Kalvari i gjatë “i djegim, apo jo” fletëvotimet ka marrë më në fund një përgjigje, cilado qoftë ajo, pra, fletëvotimet kanë filluar të digjen. Është një proces, i cili në një farë mënyre do të marrë një rrjedhë tjetër. Cili është mendimi juaj për këtë kontekst politik?
Presidenti Topi: Presidenti vërtet ka një “background” politik. Vjen nga politika. Jeni mësuar ta shikoni duke mbajtur pozicione të qarta politike, në një diskurs politik. Sot jam President dhe Presidenti flet gjithmonë me gjuhën e ligjit. Kështu që edhe këtë proces, unë jam shumë i motivuar që ta trajtoj në aspektin ligjor. Mjafton t’i kthehemi ligjit për ta parë, për ta interpretuar dhe ky është pozicioni i Presidentit.
Gazetarja: A keni ju një koment që ende palët politike në Shqipëri nuk kanë një kompromis mes tyre dhe cili është impakti që do të ketë kjo në jetën në vend?
Presidenti Topi: Sigurisht që opozita dhe pozita janë të ndërtuara në mënyrë të tillë për të pasur një debat politik. Sigurisht, nuk ka opozitë në botë që të mendojë se po lufton politikisht për të qëndruar në opozitë. Nuk mund të ketë mazhorancë në botë që me vullnet të dorëzojë pushtetin. Pra, këto janë ligje dhe ligjësi të jetës demokratike politike, kudo, sidomos në ato organizma, ku ne aspirojmë të futemi. Kështu që, e thënë ndryshe, jo domosdoshmërisht ju do të shikoni kompromise pa fund midis mazhorancës dhe opozitës. Por, këtu bëhet fjalë për mirëkuptime të një natyre të veçantë, që nuk bëhet në interes të thjeshtë për sa u përket interesave të mazhorancës dhe të opozitës, por në interes të institucioneve, në interes të shoqërisë, në interes të ekonomisë, në interes të mirëqenies së çdo njeriu. Pra, i referohem dhe një herë familjes. Në një familje ku ka kontradikta, sigurisht që fëmijët nuk rriten të shëndetshëm, qoftë fizikisht, qoftë moralisht, qoftë psikologjikisht. Duke iu referuar zhvillimeve politike, e njëjta gjë ndodh për shoqërinë. Pra, një politikë konfliktuale, një politikë, e cila në mjaft raste ka mungesë të argumentit, një politikë që në shumë raste thjeshtëzohet në terma, të cilat unë nuk dëshiroj t’i përsëris, sepse i marrim nga jeta e përditshme e politikës, besoj që e varfëron shumë atë për të cilën njerëzit sot vërtet edhe kanë nevojë edhe s’kanë nevojë. Kanë nevojë, sepse vendimmarrja politike është shumë e rëndësishme për njerëzit, por në disa raste nuk kanë nevojë, sepse jeta e tyre helmohet, intoksikohet vetëm nga debatet politike, ndërkohë që dimensioni i jetës nuk është thjesht politik. Kjo është arsyeja që edhe ju, në strukturën programore të televizioneve, që tentoni të jeni në konkurencë dhe të jeni bashkëkohorë, ndërtoni edhe programe politike, por ndërtoni edhe programe argëtuese informative. Por, dimensioni i njeriut, sidomos në kohët moderne është i tillë që duhet ta mbushë jetën me të gjitha gjërat: ta mbushë me politikë, ta mbushë me emisione edukative, ta mbushë me sport, me argëtim, me informacion, pra, ky është dimensioni i jetës. Mjerë ai njeri, ai individ, që e ka bërë veten të varur vetëm prej zhvillimeve politike! Por, kur gjërat marrin një rëndësi të veçantë për perspektivën e shoqërisë, atëherë me të drejtë njerëzit shqetësohen, sidomos ata që merren me jetën institucionale, shqetësohen që të kenë mirëkuptime për gjëra që kalojnë edhe përtej interesit të partive politike. Për ta ilustruar, që të mos jem shumë akademik në këtë lloj interpretimi të gjatë, mjafton të shikosh shqetësimin që ka biznesi dhe të tjerë për sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me Gjykatën Administrative, mjafton t’ju them shqetësimet që ka pasur KLD-ja për të pasur plotësimin e vendeve vakante, e cila vinte si pasojë e një detyrimi ligjor, një ligj, i cili nuk erdhi dhe nuk është miratuar akoma dhe sot e kësaj dite në Parlament, apo për ligje të tjera të cilat kërkojnë domosdoshmërisht, sipas Kushtetutës, një votim të cilësuar. Pra, e ndërtuar në këtë mënyrë, Kushtetuta, jo vetëm në Shqipëri, por edhe sipas modeleve të vendeve të përparuara, ka ligje që janë thjesht politike, ku mjafton që të kesh një numër mazhoritar të thjeshtë, atëherë ti ke mundësi të votosh këto ligje dhe me të drejtë kthehen ligje politike, që janë në programin e një qeverie të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme politike, por askush nuk i komenton si ligje që kanë të bëjnë me efekte të dukshme kushtetuese. Ndërsa, Kushtetuta ka parashikuar që disa ligje të kërkojnë votim të cilësuar, pikërisht sepse kërkon domosdoshmërisht një marrëdhënie pune, një marrëdhënie kompromisi midis mazhorancës dhe opozitës dhe këto janë pikërisht ligjet me votim të cilësuar. Fakti që këto ligje nuk kanë ardhur, tregon se politika këtu ka qenë shumë deficitare. Nuk futem në përgjegjësitë se ku është faji, sepse politika duhet të dijë që ta identifikojë vetë se ku është. Vetë analistët, vetë media duhet ta identifikojnë. Por, si President i Republikës, padyshim, kur nuk vjen një produkt, atëherë unë patjetër që e hedh fajin tek të gjitha palët.
Gazetarja: Por, si President ama mendoni se palët kanë pasur angazhimin e duhur secila për të gjetur një zgjidhje, pra angazhimin që duhet të kishte secila palë me përgjegjësitë përkatëse?
Presidenti Topi: Vërtetë që unë jam President i Republikës, por nuk jam supervizori i profilit dhe i dinamikës politike të ngjarjeve. Përderisa nuk vjen një produkt, patjetër që gjërat kanë qenë difektoze në një linjë komunikimi. Dikush mban një qëndrim politik, dikush nuk futet në një proces për shkak të defekteve procedurale, pra, është një proces, i cili realisht nuk ka ardhur. Përderisa bëjmë bilancin e vitit 2010, atëherë gjërat i kemi të qarta. Pra, nuk shkojmë, nuk e shtrijmë diskutimin tonë në vitin 2009, 2008. Pra, gjërat i kemi fare të qarta. Ligje, të cilat vazhdojnë të trashëgohen nëpër procedurat parlamentare dhe ende s’kanë akoma një kompromis për t’u realizuar.
Gazetarja: Megjithatë, fryma e Presidencës, fryma edhe e juaja dhe vullneti për të zgjidhur problemet politike është transmetuar edhe publikisht, edhe në tentativat që ju bëtë për të ulur palët në një tryezë dialogu, apo jo zoti President? Çfarë duhet të bëjnë partitë kryesore në vështrimin gjithmonë të Presidentit të Republikës për të gjetur një zgjidhje, kur kjo, sipas jush, pasi edhe ju e përmendët, afekton në një farë mënyre edhe jetën e qytetarëve shqiptarë, sepse një jetë e paqetë politike transmetohet në qeverisje, transmetohet në mënyrën se si bëhet opozitë dhe në përditshmërinë e gjithkujt?
Presidenti Topi: Unë do e perifrazoj ndryshe këtë situatë. Presidenti ka detyrimin që të jetë transparent, sikurse çdo institucion tjetër, të jetë komunikues me mediat, por në rast se unë nuk do të kisha vullnetin për të qenë në një emision televiziv këtu me ju, natyrisht që nuk do të ishim së bashku sot. Pra, partitë politike kanë detyrimin të ndërtojnë shtetin, të miratojnë ligje, sepse është detyrim që vjen pikërisht nga vokacioni i popullit që ka marrë pjesë në zgjedhje dhe e ka përcaktuar se kush do të jetë profili politik i partive politike. Por, nëse nuk ekziston vullneti për gjëra të caktuara, atëherë nuk ka shanse që këto gjëra të realizohen. Kjo është arsyeja që herë pas here ne i jemi drejtuar nxitjes së vullneteve politike, pra, të kemi gadishmërinë për t’u ulur. Gjërat nuk bëhen në distancë. Kjo ndodh kudo. Në distancë ka vetëm deklarata, të cilat kanë tendencën që edhe të deformohen rrugës, të marrin një nuancë tjetër, ndërsa tavolina të jep shansin edhe të japësh opsionet e tua, edhe të gjesh pikat e takimit dhe të demonstrosh që në këto pika nuk bie dakord, por, tek e fundit ka një vullnet që i ul palët në tavolinë. Fakti që gjërat nuk vijnë, kuptohet që mungon ai vullnet politik. Pra, unë, edhe një herë, në këtë bisedë me ju, bëj thirrje që t’i shkojnë me një predispozicion qytetar, politik, vullnetit të tyre, me një predispozicion për t’u afruar dhe për të biseduar. Pastaj, çështja se si zgjidhen gjërat janë çështje që i takojnë në mënyrë ekskluzive partive politike.
Gazetarja: A do të jetë Presidenca zoti President dhe ju personalisht një shtysë për dialog, a do të ndërmerrni ndoshta ju një hap tjetër konkret për t’i ulur palët në tryezën e bisedimeve, sidomos para zgjedhjeve lokale, të cilat po konturohen si problematike, ndoshta dhe të rrezikuara?
Presidenti Topi: Unë nuk kam munguar të jap në mënyrë frekuente apele. Nuk kam gjetur një moment, ku sigurisht, atëherë kur ka qenë e arsyeshme për ta bërë, që të mos jap apel për klasën politike shqiptare, sepse tek e fundit vullneti dhe predispozicioni i partive politike përkthehet nesër në mbështetjen qytetare. Pra, sa më shumë gadishmëri, sa më shumë vullnet të kesh, vërtetë rezultati momental mund të jetë i padukshëm, por nesër njerëzit e shikojnë që në këtë sjellje politike, njëra palë ka pasur vullnet, pala tjetër s’ka pasur vullnet. I flas gjërat në parim. Nuk kam parasysh asnjë gjë konkrete. Pra në politikë nuk duhet parë cdo gjë si një konsumim i politikës dhe i rezultatit të ditës. Politika është afatgjatë. Edhe në mos qofshin aktorët afatgjatë, politika është afatgjatë. Kështu që, nëse ne bëjmë diçka të mirë duke projektuar një të ardhme më të mirë, atëherë dhe rezultati do të vijë. Kjo është arsyeja që nuk duhet të ketë ngërçe të kësaj natyre. Çfarë nënkupton një komunikim qytetar? Nënkupton që takohesh, përshëndetesh, nuk është e thënë që ti të kesh mendimet e mia dhe unë të tuat, por tek e fundit, aty ku na takon të bashkëpunojmë dhe bashkëpunimi nuk është thjesht në Parlament, bashkëpunimi është edhe në Këshillin Bashkiak, bashkëpunimi është dhe në struktura të tjera, ku marrin pjesë më shumë se sa dy institucione, sepse vetë shteti është ndërtuar në mënyrë të tillë, sipas modeleve të shtetit të së drejtës, që organizmat nuk janë monokratike, por organizmat janë kolegjiale dhe në fund fare shkohet tek një vendimmarrje.
Gazetarja: Pra, ju mund të themi se ju jeni i gatshëm për t’i ftuar palët në një tryezë politike, nëse ato do e shprehin këtë vullnet për të cilin folët?
Presidenti Topi: Nuk është e nevojshme që ta ripërsëris, sepse vetë sjellja politike ka qenë e tillë. Unë nuk bëj apele që “ejani këtu”! Unë bëj apele që “gjeni kompromis”! Nëse palët dëshirojnë që të prezantojnë diçka tek Presidenti, unë këtu jam, jam gjithmonë i pranishëm.
Gazetarja: Zoti President, a mund të mbahen zgjedhje pa opozitën? Është një togfjalësh që aktualisht në diskursin politik të ditës po shprehet rëndom edhe nga analistët e politikës. Pra, zgjedhjet lokale kanë mundësinë që të bojkotohen nga opozita për shkak të një konteksti politik që të gjithë e njohim mirë tashmë. Ju jeni garant i Kushtetutës. A mund të thuhet se respektohet Kushtetuta nëse bëhen zgjedhje pa opozitën?
Presidenti Topi: Unë kam një respekt të plotë për analistët, sepse i njoh jo thjesht nga ky pozicion si President, por i njoh nga afër gjatë gjithë jetës sime politike. Por, unë nuk mund t’i referohem asaj që thonë analistët. Me gjithë dëshirën që mund të kem në jetën time private për t’iu referuar këndvështrimeve të ndryshme, si President unë nuk dëshiroj të vë në dyshim zhvillimin e zgjedhjeve. Zgjedhjet janë dekretuar nga Presidenti për në datën 8 maj dhe këto zgjedhje do të zhvillohen. Halucinacione nëse mund të ketë ndryshim date, nuk duhet të ketë askush, sepse ...
Gazetarja: Kemi precedentë të tillë, apo jo?
Presidenti Topi: Unë flas për mënyrën e sjelljes sime institucionale dhe partitë politike, cilido analist ... Për të bërë një parantezë këtu. Unë nuk e kam luksin të ngrihem nga krevati kur të dua. Analisti mund të ngrihet edhe në 12 oo, në mesditë, me pretendimin që ka bërë jetë nate nëpër zyra. Unë jam i detyruar që të vij në zyrë atëherë kur e kërkon rregulli zyrtar. Në këtë kuptim, formati i zyrës është i tillë që nuk më lejon të bëj interpretime të interpretuesve. Jo! Këtu janë çështje të një karakteri shumë zyrtar, shumë institucional. Kushtetuta të detyron që të respektosh disa afate dhe përderisa i referohem Kushtetutës dhe është diçka shumë e formatuar, atëherë unë nuk kam shansin që si President të dal dhe të interpretoj jashtë Kushtetutës. Kjo është arsyeja kur ju thatë pak më parë lidhur me fletët e votimit, Presidenti nuk bën komente jashtë ligjit. Pra, referojuni ligjit për gjithçka! Unë nuk shkoj me hamendje nëse dikush merr pjesë, apo jo. Është çështje e vullnetit të partive politike. Zgjedhjet administrative, apo zgjedhjet e pushtetit vendor, para se të jenë zgjedhje të partive politike, janë zgjedhje në funksion të qytetarit, sepse qytetari kërkon të jetë i administruar në jetën e tij, kërkon të jetë i administruar në nevojën për dokumentacion, të jetë i administruar në jetën e tij publike në qytet. Kjo është arsyeja që ka këshilla bashkiakë dhe komunalë. Qytetari nuk do të dijë nëse ka pafundësisht prej vitesh “e ke ti, e kam unë” lidhur me Unazën e Madhe të qytetit. Nuk i intereson më askujt, se çfarë oreksi ka njëri apo ka tjetri. Kjo është një çështje që u takon qytetarëve, të cilët mbeten të bllokuar në trafik, konsumojnë bashkë me fëmijët e tyre gazra pa fund. Nuk është një çështje thjesht e oreksit individual. Çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e jetës së qytetarit janë çështje të një përgjegjësie politike publike. Askush nuk mund të verë në dyshim atë që është projektuar të ndodhë. Pra, në rast se është projektuar me ligj, me dekret që data 8 maj e vitit 2011 parashikon zgjedhje të pushtetit vendor, askush nuk mund të luajë rolin e Kasandrës. Interpretime nëpër tavolina, nëpër kafene, nëpër studio janë çështje që nuk më takojnë mua. Është e drejta absolute e gjithsekujt në këtë vend të lirë, të diskutojë i lirë. Uroj që të jenë të lirë edhe analistët, që të mos bëjnë interpretime as të kamufluara, as të shtyra nga “background”-et politike, por të jenë absolutisht njerëz të lirë për të diskutuar një gjë që duhet të ndodhë. Jo se është në interes të një personi. Zgjedhjet, qofshin këto të përgjithshme politike, qofshin këto administrative, që barazohen me zgjedhjet e pushtetit vendor, ne duhet t’i kemi si një vend i lirë, demokratik, për të rritur nivelin e shërbimit të qytetarit dhe për të mos pasuar pastaj me ngërçe, të cilat nga ngërçe politike na kthehen pastaj në ngërçe individësh nëpër pushtete, që janë shumë të rëndësishme për qytetarin. Bllokohet Këshilli Komunal, bllokohet Këshilli Bashkiak, diku shkojnë fondet ashtu siç e do një shumicë e caktuar, diku nuk mund të lidhet dhe nuk mund të realizohet një projekt i caktuar. Pra, gjërat duhet t’i bëjmë të menduara mirë, sepse është viti 2011. Nëse janë bërë gabime në të kaluarën, nuk duhet t’i përsërisim. Ky është apeli që vjen jo thjesht si President i Republikës, vjen si qytetar, vjen si politikan, vjen si një njeri që konsumon shërbimin, të cilin e paguan. Unë edhe sot e kësaj dite që jam President i Republikës, i paguaj të gjitha taksat. Banoj në shtëpinë time, jo në rezidencë qeveritare. Kam librezë uji, librezën e energjisë elektrike, pra, jam njësoj si gjithë tjetër. Kjo është arsyeja që unë flas sot jo thjesht nga një rezidencë. Jo! Unë sot flas si President dhe si interpret i interesit qytetar, flas si qytetar.
Gazetarja: E kuptoj. Ju keni të drejtë e megjithatë presidentët shqiptarë janë ata që janë. Ju, ju kujtohet shumë mirë në 2007, kur keni qenë nënkryetar i Partisë Demokratike, në orët e vona të natës, duke dalë nga zyrat e kësaj Presidence, keni komentuar zhvillimet e asaj kohe.
Presidenti Topi: Pikërisht në këtë sallë kemi qenë. E kujtoj shumë mirë.
Gazetarja: Po, në këtë sallë keni qenë e keni bërë negociata, apo jo, me opozitën, si nënkryetari i Partisë Demokratike? Një President tjetër u detyrua t’i shtyjë zgjedhjet në atë kohë, pra, e kemi një precedent, pra, nga fundi i 2006 u shtynë për në fillim të 2007?
Presidenti Topi: Kam rastin të kujtoj pjesëmarrjen dhe involvimin e jashtëzakonshëm të Presidentit Moisiu, që vërtet e kam parë në një situatë shumë impenjative, sepse duhej të merrte mbi supe padrejtësisht mënyrën e sjelljes së individëve politikë. Por, sot jemi katër vjet nga ai moment dhe gjithmonë duhet të jemi të gatshëm që të mos kthehemi tek ato momente, të cilat na kanë mbushur me kujtime të hidhura.
Gazetarja: Jam dakord, por simptomat politike janë aty-aty. A keni frikë se mund të kondicionoheni?
Presidenti Topi: Unë nuk mund të bëj parashikuesin e gjërave, edhe një herë dal në atë që thashë pak më parë se asnjë lloj justifikimi nuk do të kishte për askënd që do të paralajmërojë qoftë dhe indirekt që nuk do të marrë pjesë. Unë nuk e kam dëgjuar deri më sot. Ju e keni dëgjuar. Në këtë moment që jemi duke bashkëbiseduar, mund t’i referohemi zyrave konkrete. Unë nga ky pozicion nuk e kam dëgjuar nga askush që nuk do të merret pjesë. Të gjithë kanë thënë se do të marrin pjesë dhe unë jam i detyruar të them që pres datën 8 maj, ku partitë politike duhet patjetër që t’i krijojnë kushte jo vetëm vetes, por qytetarëve për të ndërtuar jo vetëm klimën parazgjedhore, por duhet të ndërtojnë edhe klimën për të administruar edhe ditën e zgjedhjeve dhe rezultatin e tyre.
Gazetarja: Pra, ju si President do të refuzoni çdo mundësi për të prekur datën 8 maj? Kjo është e rëndësishme.
Presidenti Topi: Mua më duket se jam shumë i qartë, shumë eksplicit në atë që po them.
Gazetarja: Zoti President, siç thashë ju vini nga një karrierë politike brenda Partisë Demokratike si nënkryetar i saj në këtë post. Zgjedhjet lokale po afrojnë dhe duket se zoti Basha do të jetë dhe ai kandidati përfundimtar ndoshta i kësaj partie. Ju njiheni si një ndër personazhet më me influencë në Partinë Demokratike në fakt, në Tiranë. Nuk di nëse do t’ju gjente një mbështetës të tillë edhe nëpërmjet mbështetësve tuaj zotit Basha në Tiranë?
Presidenti Topi: Unë e mendoj të tepërt këtë koment që po bëni, sidomos nga ana e Presidentit. Për ta ilustruar dua t’ju them që kam qenë President i Sportklub “Tiranës”. Jeta sportive nuk ka lidhje fare me atë politike por, për të hequr çdo lloj dyshimi që Presidenti i Republikës mbështet këtë skuadër, duke krijuar ndoshta një hije dyshimi që mund ta mbështes edhe në mënyrë të pamerituar, unë kam dhënë menjëherë dorëheqjen si Presidenti i këtij klubi futbolli, Tiranës. Përfytyroni, kur e kam bërë me sportin, kur e kam bërë me ekipin tim të zemrës, kur jam rritur me pasionin për atë ekip, përfytyroni se sa mund të ndërhyj në politikë. Pra, gjërat janë shumë të qarta. Unë kam një pozicion shumë të përcaktuar kushtetues. E bëj me dije edhe një herë që nuk ka asnjë lloj motivimi tek unë për të qenë i kujdesshëm, për të mbështetur dikë, apo për të kundërshtuar dikë. Jo! Absolutisht! Ky është pozicioni i Presidentit të Republikës deri në momentin që do të jem në karrigen e Presidentit të Republikës.
Gazetarja: Kur jeni zgjedhur si President i Republikës në fakt ju jeni cilësuar si një individ që do e bëni Presidencën shumë blu, ose të paktën më tepër blu sesa rozë e bëri zoti Meidani si një President i ardhur nga Partia Socialiste. Në fakt, le të themi të vërtetën, Partia Demokratike nuk e sheh me dashamirësi mënyrën se si ju e drejtoni Presidencën, ose nuk mendon se e keni bërë blu, ndërkohë po kështu dhe opozita nuk mendon se ju e keni pikturuar me atë ngjyrë aq sa ata e prisnin. Ndjeheni keq zoti President që shumë njerëz në mazhorancë, shtëpia juaj politike, le ta quajmë kështu, e djathta, apo jo, kanë pritur diçka tjetër nga ju?
Presidenti Topi: Jo! Unë mendoj që pjesa më racionale dhe besoj që kjo është shumicë, kanë pritur që individi politik që shkon në Presidencë të jetë ai që do garantojë ligj dhe barazi. Kjo është arsyeja që edhe në statutin e Partisë Demokratike nuk parashikohet që një njeri të mbajë dy funksione, të jetë edhe President, të jetë edhe në strukturat e Partisë Demokratike. Fakti është që ne kemi qenë shumë të kujdesshëm, pasi menjëherë pas marrjes së votave për të qenë President i Republikës, është bërë një mbledhje urgjente e Kryesisë së Partisë Demokratike për të hequr dorë nga funksionet, ose për të ngrirë anëtarësinë, sepse është kusht i domosdoshëm që duke qenë President nuk je pjesëmarrës në jetën politike. Dhe unë besoj që pjesa e shëndoshë, racionale nuk besoj që të mendojë në këtë mënyrë. Tani, njerëzit nuk janë të gjithë në një etalon. Dikush mendon ndryshe, dikush mendon në mënyrë racionale, dikush në mënyrë iracionale. Unë jam gjithnjë i prirur që të mbart gjithmonë pjesën racionale të kontingjenteve racionale.
Gazetarja: A keni gjetur ju në Presidencë habitatin e duhur politik për të shprehur mendimet tuaja, vokacionin tuaj si President zoti Topi, apo keni qenë herë pas here i detyruar të merrni vendime, të miratoni akte vetëm se një President duhet ta bëjë këtë?
Presidenti Topi: Absolutisht! Jo! E kam thënë dhe herë tjetër që askush nuk e detyron Presidentin që të veprojë sipas vullneteve të të tjerëve. Jo! Kam respektuar vullnetin institucional. Kjo është tjetër gjë. Dhe sigurisht që kam qenë i lirë që të veproj në të gjitha opsionet e mia kushtetuese lidhur me dekrete, lidhur me sjelljen time institucionale. Asnjëherë nuk e kam quajtur sjellje politike, kam thënë sjellje institucionale, ç’ka do të thotë që i kam dhënë shumë rëndësi kontureve të Presidencës. Ju e shikoni edhe në profilin e trupës politike, që është pjesë e këshilltarëve të Presidentit. Është e ndërtuar në mënyrë të tillë, qoftë nga “background”-et e këtyre njerëzve, qoftë dhe nga shpërndarja gjeografike. Nuk kam qenë në një drejtim. Kam qenë gjithmonë shumë harmonik, sepse, kush më shumë se sa Institucioni i Presidentit është përfaqësues i të gjithë interesave, pa marrë parasysh asnjë lloj tifozllëku, në asnjë lloj sensi. Kështu që unë mendoj se kam qenë absolutisht i lirë në këtë drejtim, për të ushtruar të gjitha kompetencat e mia kushtetuese.
Gazetarja: Zoti President, vini siç thashë nga karriera juaj politike si nënkryetar i Partisë Demokratike, i njohur për pikëpamje shumë të forta antikomuniste. Sa i keni trupëzuar, sendërtuar këto pikëpamje në Presidencë?
Presidenti Topi: Unë i kam dhënë hapësirën e duhur edhe këtij momenti për të rikujtuar, për të vlerësuar pikërisht ato ngjarje dhe ato figura, të cilat realisht kanë qenë pjesa më e persekutuar e sistemit komunist. Kështu që, të gjitha gjërat janë bërë në masën e duhur dhe besoj që janë bërë me një vullnet të plotë. Kam parasysh këtu një rast konkret. Unë kam dekoruar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” Komunën e Postribës. E kam bërë duke u nisur nga një histori shumë tragjike e asaj zone. Pra, nuk është dekoruar një individ. Është dekoruar një Lëvizje, ku natyrisht, sipas të gjitha detyrimeve ligjore, i ka takuar asaj Komune. Por, janë dekoruar edhe individë. Pra, është bërë një politikë shumë e kujdesshme për të mos pasur edhe abuzivizëm në këtë linjë me individë të veçantë, por përkundrazi, është shkuar në ato drejtime ku qoftë lëvizjet, qoftë individët kanë qenë ato që faktikisht janë në memorien e të gjithëve.
Gazetarja: Rikthehemi në këtë bisedë me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Zoti President, nuk ju pyeta më kot për vokacionin tuaj në fakt antikomunist, pasi do të doja të kaloja në një pjesë tjetër të bisedës. Do të flisnim tani për emërimet në Gjykatat Supreme të vendit, disa emërime tuajat të rrëzuara në Parlament, pa filluar të flasim se ku shkon e drejta ligjore, ku fillon e juaja, ku mbaron e Parlamentit etj, etj. Pyetja është kjo: a ka bërë Presidenti emërime që shkojnë përkundër vokacionit të tij si një antikomunist i betuar, duke emëruar në këto poste njerëz që kanë shërbyer në regjim?
Presidenti Topi: Unë mendoj që kjo temë është shumë e konsumuar. Pra, në gjithë këto muaj që kanë shoqëruar këtë proces, patjetër që jam pyetur në të gjitha variantet e mundshme. Jam përgjigjur për këtë çështje, por po e bëj sërish gjithmonë duke ju respektuar, sepse çdo emision ka formatin e tij, ka këndvështrimin e tij. Gjithmonë, në çështje që kanë të bëjnë me gjykatat, që i takojnë të gjithëve, pra dalim dhe njëherë të flasim për sistemin e gjykatave në Shqipëri, gjithmonë është artikuluar një binom shumë i rëndësishëm, që nuk e artikuloj vetëm unë, por e artikulojnë edhe profesionistë, edhe politikanë ndërkombëtarë. Në gjykata kërkohet një binom kompatibël, ku duhet të ketë profesionalizëm dhe ndershmëri. Brenda kontigjentit të atyre njerëzve që plotësojnë parametrat ligjorë të atyre që bëjnë kërkesën, të atyre që futen në një filtër institucional, padyshim që, në të drejtën time kushtetuese, janë zgjedhur ata njerëz që kanë plotësuar pikërisht kushtet ligjore. A folëm deri tani që Presidenti shikon vetëm ligjin? Unë nuk mund të shkoj me opsionet e subjekteve politike, është çështje e tyre. Kjo është arsyeja që s’kam bërë asnjëherë komente për mënyrën se si janë zgjedhur apo mënyrën se si janë rrëzuar. Por, ju më pyetët se si e ka zhvilluar Presidenti kompetencën e tij dhe kompetenca e Presidentit është në linjën kushtetuese, në linjën e ligjit dhe në linjën e atij kontigjenti që ekziston në Shqipëri, duke marrë relativisht më të mirët e këtyre dy linjave që thamë, profesionistë dhe me integritet. Kjo është arsyeja që dekretet e Presidentit shkojnë në Parlament për të marrë verdiktin final. Është një çështje e marrëdhënieve midis institucioneve që i ka zgjidhur në mënyrë të qartë Kushtetuta. Por, asnjëherë nuk mund të dyshohet se si ka qenë Presidenti. Ka qenë i motivuar të dalë jashtë kornizave ligjore? Jo, absolutisht. Në asnjë moment!
Gazetarja: Ju flisni për ligjin, por folëm edhe për vokacione, ndërkohë që në Shqipëri ende nuk ka një ligj dosjesh, nuk është bërë ende një pastrim i themeltë nga pikëpamja ligjore e kësaj çështjeje, apo jo? Le ta quajmë çështje e papërfunduar. Nëse nuk është kështu si thoni ju, pra, pretendimet e mazhorancës nuk janë të drejta sa u takon njerëzve që i kanë shërbyer në regjimit, të cilët sipas mazhorancës nuk duhet të drejtojnë gjykatat supreme. Do të thotë që ju, si President keni një problem me mazhorancën, përsa kohë shumë prej emërimeve tuaja rrëzohen në Parlament?
Presidenti Topi: Unë nuk e vazhdoj linjën e këtij debati që, më shumë se sa nga politika, mbahet gjallë nga media. Pra, e rëndësishme është që Presidenti ka zbatuar në mënyrë shumë rigoroze të gjithë të drejtën e vet kushtetuese mbi bazën e një kuadri ligjor. Pse mendoni ju që nuk do të flitej, së pari nga juve të medias, që Presidenti ka thyer këtë pjesë të ligjit? Në rast se unë do të kisha dalë jashtë kuadrit ligjor? Sigurisht që ashtu do të ishte. Por fakti që Presidenti ka zbatuar Kushtetutën dhe ligjin për këtë punë, unë i shmangem çdo lloj komenti tjetër se cili është intensioni, se cili është komenti. Ato natyrisht që janë jashtë, janë jashtë institucionit të Presidentit.
Gazetarja: Po keq ju ka ardhur për këto rrëzime të emërimeve tuaja?
Presidenti Topi: Pse, ju mendoni që do të them të kundërtën? Më ka ardhur mirë. Mendoni të më keni parë ndonjëherë në një pozicion hipokrit? Jo! I kam thënë gjërat ashtu siç kanë qenë.
Gazetarja: A ka një tendencë që këto emërime apo rrëzime të bëhen për të mbajtur nën kontroll sistemin? Sa e rrezikshme është kjo, zoti President?
Presidenti Topi: Sigurisht, kur të keni të tjerët në studio, mund t’i pyesni për këtë punë. Unë nuk jam njeri i paragjykimeve. Aq më shumë, nuk futem në subkoshiencën e të tjerëve, për të parë se cili është mendimi apo qëllimi. Unë bëj komente për ushtrimin e kompetencave të mia institucionale.
Gazetari: A ka tensione sot mes institucioneve shqiptare, zoti President? Ju pyes sigurisht në kontekstin e figurës suaj si President i Republikës, i unitetit kombëtar, edhe i një vullneti gjithëpërfshirës. A ka tensione mes institucioneve shqiptare sot, sidomos, a janë problematike institucionet e pavarura?
Presidenti Topi: Ju vazhdimisht keni parë që ka pasur komente. Ka pasur komente se cila është shkalla e pavarësisë së institucioneve të pavarura. Unë mendoj që përgjithësisht institucionet e pavarura e kanë të drejtën e plotë, ku individët që janë në krye të institucioneve, të shprehin në liri të plotë performancën e tyre. Unë nuk mendoj që ka ndonjë presion që t’i detyrojë ata në atë cilësi që kanë, që të jenë të nënshtruar. Këtë koment e kam bërë edhe për institucionet e drejtësisë. Sot ekziston e tërë klima që, nëse një individ në drejtësi apo në një institucion tjetër të jetë i ndershëm dhe profesionist, mund ta zhvillojë në mënyrë të plotë detyrën e tij. Në rast se kërkon të jetë i varur, ndonjëherë varësia është dhe me dëshirë, askush nuk kërkon që ti të jesh i varur, ti shkon me dëshirë. Ti ke analistë “të pavarur” që s’i detyron askush të jenë të varur nga dikush, edhe shkojnë me dëshirë.
Gazetarja: Dakord. Analistë të pozicionuar ka kudo në botë, por nuk ka prokurori të varur, por ndoshta nuk ka ..., nëse kjo nuk është e ligjshme.
Presidenti Topi: Mora një paralelizëm. Aq më shumë ku një institucion sot e ka plotësisht të mundur që, nëse ai vërtet dëshiron të shfrytëzojë të gjitha atributet që i ka dhënë Kushtetuta dhe ligji për të qenë i pavarur, natyrisht relativisht i pavarur, sepse pushtetet sot vërtetë kanë statusin e pavarësisë, por edhe kontrollohen, sepse prodhohen, dalin nga Parlamenti, por herë pas here sipas detyrimit kushtetues dhe ligjor, shkojnë dhe japin llogari në Parlament, nëpër komisione. Kjo është çështja e monitorimit, e ekuilibrit të institucioneve që unë mendoj që është plotësisht e mundshme dhe është në dorë të individëve për t’i çuar këto institucione vërtetë në parametrat e pavarësisë institucionale.
Gazetarja: Në dorën e individëve që i drejtojnë, pra të Kryeprokurores, të Kryetarëve të Gjykatave?
Presidenti Topi: Të të gjithëve pa përjashtim.
Gazetarja: Cili është vlerësimi juaj për këto institucione dhe si Kryetar i KLD-së, zoti President?
Presidenti Topi: Unë vlerësimet e mia i bëj mbi bazën e konteksteve të caktuara. Dhe sot nuk jam këtu për të bërë një koment të përgjithshëm, duke futur të gjitha profilet, por ju e keni parë. Sipas temave që trajtohen, sipas çështjeve që caktohen, ka dhe artikulime për performancën e institucioneve. Në rast se ne jemi në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, trajtohen gjëra që kanë të bëjnë me problematikën që trajton Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në rast se jemi diku tjetër, flasim për ato probleme.
Gazetarja: Në një vështrim të përgjithshëm, do të doja të dija: a jeni ju, si President dhe si Kryetar i KLD-së, i kënaqur sot me performancën e drejtësisë, gjithë sistemi i drejtësisë që ka sot Shqipëria, ku futen prokuroritë, gjykatat ...?
Presidenti Topi: Kush është i kënaqur në Shqipëri, që të jetë sot Presidenti? Po juve, e keni parë që herë pas here unë kam folur për problemet e drejtësisë. Bile, kam folur në mënyrë frekuente për këtë punë. Kam shfrytëzuar takimet e KLD-së, tryeza publike. Nuk ka çështje që të mos lidhet sot me problemet që ka drejtësia, sepse çdo njeri është produkt i një shoqërie, i një shteti të së drejtës, dhe të gjitha interesat e veta publike e kam fjalën. Kështu që patjetër që ka progres, por ka dhe probleme. Dhe kur diskutohet për drejtësinë, natyrisht janë shumë aktorë që duhet të flasin për drejtësinë.
Gazetarja: Cili është problemi më i madh që ka drejtësia shqiptare, nëse ka një të parë, për Presidentin e Republikës, sigurisht?
Presidenti Topi: Problemet janë komplekse dhe nuk dëshiroj që të vë në piedestal një problem dhe të lë një problem tjetër në fund. Jo. Problemet janë komplekse, janë duke filluar nga vullneti për të miratuar ligje, gjithmonë për të reformuar ligjet në sistemin e drejtësisë, por dhe të performancës individuale të gjyqtarëve, të prokurorëve. Dhe duhet të kuptojmë që është një detyrë, e cila është e një rëndësie shumë të veçantë për një shtet të së drejtës, sidomos për një shtet, i cili është në përfundim të tranzicionit të tij.
Gazetarja: A janë ndërhyrjet politike, ndoshta një nga këto probleme të mëdha, me të cilat përballet sot drejtësia shqiptare, zoti President?
Presidenti Topi: Nuk mendoj, jo nuk mendoj. Mund të ketë ndërhyrje segmentare, po. Por nuk mendoj që është problemi i drejtësisë ky sot, i ndërhyrjeve. E kam thënë dhe vazhdoj ta them me zë të lartë: nuk është çështje e ndërhyrjeve. Unë jam Presidenti i Republikës dhe nuk bëj ndërhyrje për asgjë. Sa herë mua më vijnë probleme, letra, i drejtoj pikërisht tek ato institucione që e trajtojnë në mënyrë ligjore problemin. Nuk kap telefona. Nuk ka ndërhyrje nëpërmjet këshilltarëve. Po të keni një rast të tillë, bëjeni publik! Këtë e kam thënë me zë të lartë. Kur nuk e bëj unë, nuk besoj ta bëjë as dikush tjetër. Por është çështja tek integriteti i vetë gjyqtarëve. Ata e kanë në dorë, ju siguroj për këtë! E kanë në dorë ata, që të mos jenë as të intimiduar, as të varur, nëse dikush do ta interpretojë në këtë mënyrë apo jo. Dikush të mos jetë i varur as nga interesat materiale. Ka zëra qytetarë që flasin, sidomos tek çështjet e pronësisë. Të them që nuk ka ndërhyrje të kësaj natyre? Jo! Them që ndërhyrja politike është gati-gati minimale, për të mos thënë inekzistente. Kanë prevaluar gjëra të tjera, po.
Gazetarja: Korrupsioni?
Presidenti Topi: Po natyrisht që ka, në rast se unë flas për ndërhyrje me anë të mekanizmave të tjera. Prandaj ju thashë që gjyqtari duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Kur flasim për integritet, nuk është thjesht pavarësia politike për të thënë që unë jam i pavarur politikisht. Jo, është një lloj pavarësie tjetër, që është pavarësia që ka të bëjë me problemet ekonomike. Pak çështje ke në gjykata, që kanë të bëjnë me zgjidhje të çështjeve pronësore? Është një nga problemet më madhore që ka Shqipëria sot, çështja e pronësisë, dhe patjetër që ka grupe interesi, ka individë që kanë interes të caktuar që tentojnë të ndërhyjnë. Të them që s’është kështu, këtë nuk e them. Prandaj, sistemi i drejtësisë duhet të përballojë së bashku me të gjithë aktorët e tjerë, me të gjitha mekanizmat që kanë të bëjnë me transparencën e proceseve gjyqësore, me mekanizmin që ka Ministria e Drejtësisë, me mekanizmin që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për të verifikuar performancën, çështjet konkrete, të verifikojnë nëse ka çështje që vijnë nga njerëzit. Nëse mund të faktohen, atëherë të futen në një proces që e njeh ligji, procesi i penalizimit. Dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka një numër të caktuar njerëzish që punojnë në drejtësi, që janë penalizuar nëpërmjet Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që tregon se sistemi funksionon.
Gazetarja: Sigurisht nga KLD-ja, varet nga emërimet, nga emërimet tuaja me integritet ose jo, apo jo, zoti President, për të gjetur zgjidhjen e këtyre problemeve që juve sapo cituat. Vazhdojmë me një element tjetër të bisedës sonë. Do të doja të ndaleshim disi në raportet tuaja me qeverisjen. Si janë raportet tuaja me qeverinë? Si janë raportet tuaja me Kryeministrin? A ka dialog mes jush, sigurisht për çështje dhe zhvillime që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrave respektive?
Presidenti Topi: Natyrisht është thënë në mënyrë reciproke që ne i ruajmë me korrektësi marrëdhëniet institucionale. Besoj që është një përgjigje minimalisht e majftueshme për të treguar që institucionet bashkëpunojnë.
Gazetarja: ǒpërfaqëson për ju Partia Demokratike, zoti President? A është ajo familja juaj politike, në kuptimin primar të fjalës sot dhe a do të jetë nesër familja juaj politike, kur angazhimi juaj në Presidencë të mbarojë?
Presidenti Topi: Nuk mendoj që i takon bisedës së sotme për të bërë diskutime të kësaj natyre, qoftë për retrospektivën, qoftë për perspektivën. Ne e thamë që do të jem në komunikim, gjithmonë në funksion të kohës. Por në këtë pozicion, si President, natyrisht që nuk mund dhe nuk duhet të futem në diskutimin apo në trajtimin e temave që prekin staturën institucionale të Presidentit të Republikës.
Gazetarja: Po me opozitën, si janë raportet tuaja, zoti President? Ajo ka ndryshuar pothuajse rrënjësisht, mund të themi qëndrimin ndaj jush. Fillimisht, ju ka cilësuar si një President të zgjedhur me trafik votash, ndërkohë tashmë është vlerësuese ndaj figurës suaj. Si e gjykoni këtë?
Presidenti Topi: Unë besoj që dhe me opozitën kam marrëdhënie institucionale. Nuk ka ndryshuar asgjë nga ana ime. Mënyra ime e sjelljes ka qenë konstante. Ndryshe duhet pyetur, që, pse kanë ndryshuar qëndrim, duhen pyetur pikërisht ata që ju mendoni që mund të kenë ndryshuar. Pozicioni i Presidentit ka qenë konstant, ka qenë i drejtë, korrekt dhe besoj që, shumë në ekuivalencë, qoftë përsa i përket institucionit të mazhorancës dhe të opozitës. Kjo është detyra e Presidentit.
Gazetarja: Cili është mendimi juaj për cilësinë e qeverisjes sot në Shqipëri, zoti President?
Presidenti Topi: Kjo, e realizuar në një pyetje kaq të thjeshtë, patjetër që kërkon një përpunim relativisht të gjatë, sepse kur diskutohet për qeverisjen, së pari duhet diskutuar në atë që i takon Presidentit për t’u shprehur. Ndërsa hapësira që kanë politikanët, edhe njëherë analistët, është shumë e gjerë se kaq. Unë mendoj që të gjitha këto raporte, unë i kam shprehur në mënyrë të herëpashershme në të gjitha komunikimet që kam pasur, qoftë nëpër institucione, qoftë në raste të ndryshme, ku jam i detyruar të dal në një prononcim publik dhe besoj që duhet t’i merrni këto fragmente për të ndërtuar se cili është opinioni i Presidentit.
Gazetarja: Ju jeni Presidenti i vendit. E mirëkuptoj faktin që duhet të përcillni moderimin më të mirë të termave dhe të mbajtjes së kontekstit tuaj, si President i Republikës. Ju e shprehët dhe gjatë kësaj bisede shumë diplomatike në këtë kuptim, ashtu siç ndoshta i takon vërtet një presidenti. Në këtë kontekst po ju pyes: si e shikoni gjuhën me të cilën zhvillohet debati politik në Shqipëri, zoti President?
Presidenti Topi: Jam shprehur dhe për këtë. Mund të rishprehem pa problem. Natyrisht që politika është një art shumë interesant, është një art ose kthehet në art pikërisht kur ai fjalori i zakonshëm i ditës shkon në nivelin më të lartë, apo për të përpunuar teza politike. Fjalori duhet të jetë shumë i zgjedhur, sepse të bësh politikë, natyrisht nuk është profesion i thjeshtë. Kështu që unë mendoj që ata që i futen rrugës së politikës, në radhë të parë duhet të rrezatojnë sjellje qytetare që dialogu politik të mos kthehet në sherre politike. Kështu që unë mendoj që, pavarësisht se vetë natyra e politikës në institucione ku ngrihet tensioni për çështje të caktuara, siç ndodh edhe në parlamente të tjera, - e shohim edhe në parlamente të tjera, - por unë nuk inkurajoj personalisht që fjalori politik të degjenerojë. Kam qenë në Parlament, së paku jap eksperiencë individuale. Argumenti politik, sipas meje, është ai që duhet të predominojë në një debat politik. Çështja se si përthithet nga qytetarët, është çështje që u takon qytetarëve.
Gazetarja: Epo, qytetarët e shprehin me votë ... (20.00)
Presidenti Topi: Ideja është shumë e qartë. Unë jam gjithmonë për një gjuhë të moderuar në politikë, por meqë jam unë kështu, nuk është e thënë që të jenë të tjerët, sepse pozicionet politike janë ... Kjo është arsyeja që quhet ‘spektër politik’. Nuk është shumë i kufizuar. Spektri politik është jashtëzakonisht i gjerë, shumë i gjerë. Atje ka individë të moderuar, ka individë që janë më dinamikë, ka individë që përdorin një gjuhë të zgjedhur, ka individë që s’e mbajnë gjuhën të ekuilibruar. Pra, nuk dëshiroj që të futem në komente të profileve të caktuara. Jo! Unë mendoj që kjo është vetë natyra e jetës politike. Unë personalisht do të kisha zgjedhur, sikurse e kam demonstruar edhe në të kaluarën, një gjuhë të moderuar mbi bazën e argumentave të forta. Por, gjithmonë pastaj, në Parlament vendos numri. Pra, është vendimmarrje. Gjithmonë në demokraci është vendimmarrje. Një gjë që vërtet ti nuk mendon që duhet zgjidhur në atë mënyrë, nuk është e thënë që të artikulohesh në mënyra nga më të ndryshmet, sepse duhet të arrihet qëllimi. Jo! Qëllimi arrihet mbi bazën e numrave.
Gazetarja: Në këto 20 vite, nëse kemi patur pak progres, në këtë kuptim, të debatit të shtruar politik, kemi patur shumë progrese të tjera si vend. E thamë dhe gjatë bisedës. Tashmë, qytetarët mund të lëvizin të lirë, pa viza. Marrëdhënia jonë me Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera është në një stad tjetër, etj, etj. Mirëpo kultura politike, niveli i korrupsionit, zoti President, ofrimi i kujdesit shëndetësor, nuk e di, apo shfaqjet sociale të jetës së përditshme, agresiviteti në rrugë, dhuna në shkolla, ndoshta dhe në foltore publike, dhuna verbale e kam fjalën, mungesa e humanizmit, mungesa e bamirësisë, etj, janë fenomene që hasen në përditshmërinë tonë. Ajo që dua t’ju pyes, pa dashur të hyj ndoshta edhe në pikëpamje shumë filozofike, a mos jemi duke ecur përpara, duke u matur vetëm materialisht me vetveten dhe pa vlerësuar dhe investuar në vlera të tjera që kanë të bëjnë edhe me shpirtin e një kombi?
Presidenti Topi: Kam frikë se do të jem gati në sinkron me ju në këtë. Nuk do të dëshiroja që ta konfirmoja këtë që thatë ju, në mënyrën më absolute, por mesa duket është etapa e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, ku predominon interesi për zhvillimin materialist. Nuk them që gjërat e tjera nuk merren në konsideratë, por përsa i përket raporteve, secili element predominon mbi tjetrin, kam frikë se predominon thjesht interesi i zhvillimit materialist. Por unë mendoj që është një krizë momentale, do të thoja, dhe është e pashmangshme që, të gjithë elementët që kanë të bëjnë me ndjeshmëritë e shoqërisë, patjetër që do të rikthehen me tone shumë të forta në axhendën e politikës dhe institucioneve. Ajo që thatë juve, çështjet që kanë të bëjnë me interesat sociale, nuk është se nuk merren njerëzit, por duhet të merren më shumë. Është detyrim i politikës së institucionit që duhet të merren më shumë. Nuk mjafton të shkosh të bësh një kronikë për të parë se si jeton një familje. Jo! Këto janë çështje që duhen kapur në mënyrë shumë harmonike për të gjithë shoqërinë, pavarësisht nëse një familje jeton në mes të Tiranës apo jeton diku në periferi. Kjo është arsyeja që në tërë kuptimet e fjalës, ne duhet të ndërtojmë vërtet shtetin e së drejtës, që nuk është thjesht çështja e të drejtës së ligjit, por edhe i një kujdesi më të madh përsa i përket disa fushave, për të cilat ne vërtetë duhet të bëjmë më shumë.
Gazetarja: Meqënëse po flasim për shtetin e së drejtës, doja të qëndroja dhe në kontekstin që po flasim. Në ç’nivel e mendoni ju korrupsionin dhe sa janë gjykatat dhe Prokuroria të angazhuara në këtë kuptim? Pasi do të doja të shprehesha më tej, në burgjet shqiptare për shembull sot, ju jap një shembull të thjeshtë, zoti President, gjenden shumë vjedhës të rëndomtë apo njerëz të akuzuar për trafiqe të vogla, nuk e di, mbjellje të hashashit, por në këto 20 vite, në burgjet tona nuk janë ata që kanë shkatërruar bregdetet tona, që kanë shkatërruar qytetet tona, që kanë varfëruar jetën tonë, që janë akuzuar për lidhje të forta me politikën, për lidhje të forta me krimin. Si ndiheni ju në këtë kuptim?
Presidenti Topi: Në këtë kuptim, unë besoj që qëndroj në të njëjtin pozicion, duke respektuar punën specifike që kanë institucionet specifike. Pra, janë ato që duhet të zhvillojnë pikërisht politikën e zbatimit korrekt të ligjit të tyre. Dhe patjetër, nëse të gjitha këto institucione do të punojnë në këtë linjë, patjetër që nuk do të ketë diferenca midis trajtimit të elementëve që janë të rëndomtë apo kanë një emër publik, siç ndodh në shoqëritë e përparuara, ku janë mësuar që para ligjit të jenë gjithë të barabartë. Me këtë lidhet edhe apeli që kam bërë herë pas here, që ka të bëjë qoftë me pengesat artificiale që krijohen në proceset e monitorimit, që ka të bëjë me imunitetin. Kjo ka qenë arsyeja që herë pas here kam thënë që të çlirohet realisht dhe psikologjikisht, qoftë shoqëria, qoftë institucionet që merren me zbatimin e ligjit, të gjithë njerëzit duhet të jenë pa imunitet. Është vend i vogël, i ka rregullat e qarta. Për të mos penguar procese, për të mos çuar në atë që më shumë debatohet mediatikisht se sa në kanalet e këtyre institucioneve, besoj që është një element që duhet ta bëjnë.
Gazetarja: Ju, çfarë mendoni se na duhet për të patur një situatë të tillë në drejtësi? Na duhen ligje më të mira, apo përveç gjykatësve më të fortë dhe me integritet, siç thatë ju pak më parë në bisedë, apo një vetëdije më e madhe kombëtare, një kompromis më i madh kombëtar?
Presidenti Topi: Së pari, unë mendoj që institucionet e së drejtës kanë ligjin përballë. Pra, ata janë të detyruar të studiojnë dhe të respektojnë ligjin ashtu siç e kanë. Kështu që, plus atyre dy elementëve që unë thashë, patjetër është nevoja që klasa politike të reformojë në mënyrë të vazhdueshme të gjithë kuadrin ligjor që ka të bëjë vetëm me sistemin e drejtësisë. Sepse ne çdo ditë shohim që ka elementë të veçantë, ku na duhet patjetër që të rakordojmë me legjislacionet e Bashkimit Evropian. Por, edhe vetë vendet e Bashkimit Evropian, megjithëse kanë dekada e dekada para nesh në këto fusha, e ndiejnë të nevojshme të revizionojnë të gjithë legjislacionin e tyre. Është një proces në vazhdim. Kështu që unë mendoj që përveç atyre elementëve, këto janë elemente që duhet të trajtohen në mënyrë komplekse nga mbarë shoqëria, qoftë nga institucionet, nga klasa politike, nga vetë njerëzit e sistemit të drejtësisë, nga media, edhe nga qytetarët, për të krijuar të gjithë klimën e nevojshme që ky problem të atakohet nga të gjitha krahët.
Gazetarja: Zoti President, do të doja që në këtë pjesë të fundit të ndaleshim dhe të hidhnim një vështrim përtej kufijve tanë, tek shqiptarët e Kosovës. Shumë shpejt Kosova do të nisë bisedimet me Serbinë. Janë bisedime mjaft delikate. ǒprisni ju nga këto bisedime dhe çfarë mund t’i sugjeroni klasës politike atje?
Presidenti Topi:Së pari unë pres që Kosova të formatojë sa më shpejt të gjitha institucionet e veta, që dalin nga zgjedhjet e përgjithshme politike. Dhe besoj që nga këto zgjedhje do të dalin institucione, të cilat do të dinë të përballojnë, sikurse kanë përballuar edhe në të shkuarën, të gjitha sfidat e rëndësishme politike dhe historike që ka Kosova si një shtet i lirë, sovran, i pavarur. Janë tema të cilat janë konsoliduar edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare në korrikun e vitit 2010, që e kanë forcuar pozitën e Kosovës. Patjetër duke marrë në konsideratë edhe Rezolutën e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e sponzorizuar dhe e mbështetur nga vendet e Bashkimit Evropian që demonstron se Kosova është një shtet i lirë, sovran, i pavarur. Kemi dëgjuar të diskutohet për nevojën e bisedimeve. Për bisedime që duhet të jenë tërësisht të karakterit teknik, të cilat në mënyrën më absolute nuk do të venë asnjëherë në dyshim sovranitetin territorial të Kosovës. Kemi dëgjuar edhe zërat e politikës ndërkombëtare, por kemi dëgjuar gjithashtu edhe shprehjet e Presidentit serb, Boris Tadiç, i cili sidomos në muajt e fundit të vitit 2010, i komentonte këto zhvillime të rëndësishme përsa i përket fillimit të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Natyrisht gjatë kësaj kohe të gjithë ne jemi ndeshur me zhvillime të reja, madje ajo që ka tronditur skenën politike, ka qenë ai raport i deputetit zviceran, i cili është anëtar i Parlamentit të Këshillit të Evropës – i Dik Martit, për të cilin janë bërë mjaft komente. Sigurisht që janë shprehur të gjithë zërat institucionalë. E kemi komentuar atë raport si një raport anakronik. Një raport i ndërtuar nga një personazh, i cili me kohë është deklaruar kundër pavarësisë së Kosovës. Kështu që në tërësinë e tij, në motivimin e tij, ai ka qenë patjetër pro disa elementeve, të cilat kanë dashur të diskreditojnë politikën e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë duke sajuar gjëra, të cilat jo vetëm nuk kanë ekzistuar, por edhe janë hetuar në të kaluarën. Ju mendoni që këto gjëra po hidhen sot në një terren të virgjër? Jo! Këto gjëra janë diskutuar edhe më parë. Këta individë, kur vendosen në pozicione të tilla, duhet të jenë të drejtë në radhë të parë, sepse Këshilli i Evropës është një organizëm jashtëzakonisht serioz. Ne jemi anëtarë të Këshillit të Evropës prej vitit 1995 dhe ka qenë një nga arritjet më të mëdha politike të Shqipërisë hyrja në Këshillin e Evropës me të drejta të plota dhe jemi pjesëmarrës aktivë. Por individë të tillë, sikurse është Dik Marti, i cili ka trazuar në mënyrë të pamerituar jetën e këtyre institucioneve, duke mos hedhur argumente, por duke iu referuar gjërave, të cilat vërtetë sot tingëllojnë jo vetëm të pabesueshme, por nuk influencojnë as në mbajtjen e kësaj klime të mirë të raporteve që ekzistojnë në rajonin ballkanik, besojmë që bëjnë më shumë dëm. Gjithsesi ne kemi patur një reagim shtetëror, të mirëkoordinuar duke shprehur kontestimin tonë për atë ç’ka thotë Dik Marti, por nga ana tjetër, duke shprehur gjithë gatishmërinë për të qenë disponibël, për të qenë bashkëpunues në verifikimin e të gjitha fakteve, të cilat nuk ekzistojnë. Por ata që kanë shkruar, të vijnë të bashkëpunojnë me seriozitet nëpërmjet institucioneve tona.
Edhe një herë, gjatë kësaj kohe, ju e dini që agjenturat, të cilat kanë punuar kundër interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, kanë tentuar të rekrutojnë edhe individë si dëshmitarë të rremë dhe praktikisht të gjitha këto skema kanë dështuar. Sot kjo është një politikë e hapur. Pa fakte unë nuk flas, sepse ndoshta kjo nuk më takon si President sot, por si një njeri që është marrë me biologjinë molekulare, mund të them që të akuzosh një shtëpi, një familje të varfër në një fshat të thellë, atje ku ka probleme të rëndësishme me infrastrukturën, për transplante organesh, kjo tregon që kemi injorancë të plotë edhe në fushën e transplanteve të organeve. Megjithatë nuk më takon mua që të flas për këtë, sepse jam President i Republikës. Unë edhe njëherë ju them që ne jemi treguar dhe do të vazhdojmë të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë nëpërmjet institucioneve specifike për t’i qartësuar sa më shpejt këto probleme. Të njëjtën gjë kam dëgjuar edhe nga institucionet e Kosovës, të cilat vihen në dispozicion. Pra është një gjë shumë e mirë, sepse politika moderne sot kërkon që çdo gjë që thuhet duhet patjetër që të argumentohet. Dhe aty ku nuk ka argument, padyshim që edhe ky Raport bie poshtë.
Gazetarja:A e vështirëson disi Kosovën përballë këtyre bisedimeve pikërisht fokusimi në këtë problem?
Presidenti Topi:Sigurisht që ka dëmtuar klimën, por askush nuk mund të dëmtojë zemrën e perspektivës së shtetit të ri të Kosovës. Dhe meqenëse ju këtë e lidhët me klimën e bisedimeve që duhen të bëhen midis Kosovës dhe Serbisë, ku natyrisht ne kemi inkurajuar që të ketë bisedime për çështje teknike, unë mund të jap një opinion personal, që mbetet gjithmonë personal, i imi, si individ që fillimisht të qartësohen faktet që ai hedh, të cilat janë inekzistente, pastaj të futen në bisedime, sepse kjo ka qenë një politikë shumë e rafinuar e qarqeve serbe për të barazuar viktimën me xhelatin. Populli i Kosovës është martir, viktimë e genocidit serb. Janë raste të dokumentuara, të filmuara që qarkullojnë në të gjitha mediat ndërkombëtare. Tentativa për të barazuar, për të bërë të barabartë xhelatin me viktimën, është një tentativë, e cila nuk shkon sot në vitet 2010-2011. Kjo është arsyeja që këto gjëra duhet të sqarohen, por sot, ju e dini që bredh i lirë akoma kryexhelati, i cili ishte në simbiozë me Millosheviçin: Mlladiçi. Për të mbuluar të gjithë këtë situatë, për ta bërë klimën të barabartë sajohen gjithë këto gjëra. Pra është detyrë e institucioneve që t’i sqarojnë sa më shpejt, në mënyrë që të krijojnë një klimë reale, shumë racionale të mundësisë që Kosova dhe Serbia të futen në bisedime teknike, që të krijojnë kushte për një bashkëpunim të dy vendeve sovrane, që të kontribuojnë edhe në zhvillimin e mëtejshëm të klimës së mirë e pozitive që ekziston në Ballkan prej vitesh. Shqipëria, nga ana e vet, do ta inkurajojë këtë process në distancë, por për çështje që kanë të bëjnë vetëm me institucionet e Shqipërisë, do të jetë e gatshme të bashkëpunojë për të ndërtuar një klimë për vendet, të cilat nga pozicione sovrane kanë një ëndërr të përbashkët – të jenë pjesë e familjes euro-atlantike.
Gazetarja:Qëndrojmë në Maqedoni dhe le të flasim për shqiptarët atje ku duket se problemin më të madh e kanë me vetveten, pasi partitë kryesore shqiptare janë në konflikt të pareshtur me njëra-tjetrën përsa i takon qasjes së lirive themelore të shqiptarëve atje. Marrëveshja e Ohrit duket tashmë si një kujtim i largët, i papërmbushur kurrë plotësisht. A mendoni se faktori shqiptar atje duhet të unifikohet në të mirë të shqiptarëve?
Presidenti Topi:Unë mendoj që Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 ka qenë një produkt shumë i vështirë, ku përveç faktorëve politikë të Maqedonisë, janë futur në lojë edhe institucione shumë të rëndësishme, të cilat kanë qenë garante të kësaj marrëveshje dhe të implementimit të saj. Unë edhe në fjalën time drejtuar Parlamentit të Maqedonisë në vizitën time zyrtare, i jam referuar në mënyrë të qartë edhe Marrëveshjes së Ohrit, e cila është bazale për të ndërtuar marrëdhënie të drejta në funksion të shtetit të Maqedonisë, por edhe plotësimit të interesave në mënyrë të barabartë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Nga kjo pikëpamje, natyrisht që unë jam shumë i motivuar që, edhe njëherë ta përsëris, që faktori shqiptar në Maqedoni ka nevojë të jetë më bashkëpunues me njëri-tjetrin. Të mos vazhdohet më me një klimë të tillë tensioni, sepse kjo dëmton jo vetëm imazhin e shqiptarëve pa përjashtim, por edhe interesat e shqiptarëve në Maqedoni. Interesi është që të bëhet një integrim i Maqedonisë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe mbi bazën e kësaj fryme të re, të kësaj klime të re, të plotësohen në mënyrë të qartë interesat e çdo individi, qoftë ky me kombësi maqedonase, qoftë me kombësi shqiptare, pra është interesi i Maqedonisë, është interesi i institucioneve të Maqedonisë, është interesi i shqiptarëve kudo që jetojnë dhe punojnë, është interesi i rajonit, është interesi i Evropës. Kështu që unë kam vetëm thirrje të këtij karakteri për një shtensionim të gjërave, për një bashkëpunim. Sa më shumë të bashkëpunojnë partitë politike shqiptare, aq më shumë do të mbrohen interesat e shqiptarëve në Maqedoni.
Gazetarja:Intervistës sonë ndoshta i erdhi fundi zoti President. Kemi patur një bisedë të gjatë e të detajuar jo vetëm për bilancin e 2010-s, por edhe për një qasje të vitit të ri që sapo ka nisur. Edhe në këtë kuptim do të doja t’ju pyesja: Cilën e konsideroni ju sfidën më të madhe të Presidencës suaj?
Presidenti Topi:Unë mendoj që viti 2011 është vazhdim i atyre sfidave institucionale që ka patur Presidenti edhe gjatë vitit 2010. Padiskutim! Mendoj që Presidenti gjatë vitit 2011 duhet të vazhdojë të rrisë efektin e tij në rritjen e performancës së sistemit të drejtësisë. Padiskutim! Të arrijë që të artikulojë në mënyrë bindëse dhe aprovuese mesazhe për klasën politike. Patjetër të kontribuojë në një monitorim të qartë e të saktë të të gjitha ligjeve që vijnë në Presidencë për çështje nga më të ndryshmet, jo vetëm si një detyrim kushtetues, por edhe si një detyrim qytetar, sepse President është një institucion, i cili mbyll atë kuadër të miratimit të ligjeve, që fillojnë nga një vokacion populli, shkojnë në Parlament dhe përfundojnë me dekretin e Presidentit, për t’ia rikthyer atë shërbim shoqërisë shqiptare. Patjetër për të kontribuar në përmirësimin e klimës në rajonin ballkanik dhe më gjerë. Besoj se kjo ka qenë një sfidë e vazhdueshme. Do të kemi patjetër zhvillime të rëndësishme të karakterit politik dhe diplomatik në këtë vit që jemi. Do të ketë vizita të rëndësishme të kryetarëve të shteteve. Ndoshta një fluks më të madh se sa ai që jemi mësuar të shohim në të kaluarën. Do të ketë disa vizita të shpejta. Kur them të shpejta, nënkuptoj në funksion të kohës, që kanë të bëjnë me shkurtin, me marsin. Besoj edhe ndonjë vizitë të ndonjë personazhi që do të realizojë vizitë për herë të parë në Shqipëri.
Gazetarja:Si përshembull?
Presidenti Topi:Kur të vijë momenti, do ta themi. Por që patjetër, këto vizita do të kontribuojnë në shtensionimin e situatave. Patjetër në zhdukjen apo në minizimin e komplekseve që ekzistojnë nga e kaluara dhe në trajtimin e shumë problemeve sy më sy. Sot ky është tipari i diplomacisë aktive moderne, së cilës ne patjetër që do t’i bashkangjitemi në interes të popujve