E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi firmos ndryshimet në Kushtetutë për zgjedhjet



Pavarësisht dëshirës që kreu i shtetit të zgjidhet nga sovrani, presidenti Bamir Topi nuk ka prekur konsensusin e gjerë mes partive të mëdha, PD dhe PS, për ndryshimet në Kushtetutë. Ditën e djeshme presidenti Topi ka firmosur Dekretin numër 5700 për 11 ndryshimet dhe amendimet në Kushtetutë, që Kuvendi miratoi ditë më parë. Partitë e vogla i kanë cilësuar këto ndryshime si “vrasje” të demokracisë në vend dhe nuk u pajtuan asnjëherë me qëndrimin e partive të mëdha. Në ndryshimet e miratuara në bllok nga presidenti ishte edhe reforma zgjedhore, thelbi i sherrit politik mes partive të vogla dhe atyre të mëdha. Gjithsesi, presidenti ka vënë firmën në bllok duke respektuar vullnetin e Parlamentit, i cili i miratoi në të njëjtën mënyrë. Krahas reformës zgjedhore dhe çështjes së zgjedhjes së kreut të shtetit, në listën e ndryshimeve ndodheshin edhe disa amendime të rëndësishme. Disa konstitucionalistë i kanë cilësuar këto ndryshime si “Republika e Tretë Shqiptare” për shkak të pozicioneve të reja të kryeministrit dhe presidentit në raport me Kushtetutën. Ndryshimet në Kushtetutë, të propozuara nga PD-ja, të cilat iu paraqitën deputetëve, u diskutuan gjerësisht në Kuvend ditë më parë. Partitë e vogla i kanë kundërshtuar të gjitha ndryshimet, por ato hasën në vullnetin e PD-së dhe PS-së, të cilat siguruan 115 vota për këto ndryshime në Kushtetutë. Kuvendi miratoi ndryshimin e nenit 87 të Kushtetutës lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Sipas këtij ndryshimi, votimi në Kuvend për kreun e shtetit të jetë me pesë raunde. “Në këtë votim president zgjidhet kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, përcaktohet në amendament. Ndryshimet kanë prekur edhe çështjen e shumëdiskutuar të mandatit të prokurorit të Përgjithshëm, më saktë të nenit 149 të Kushtetutës. “Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat prej pesë vjetësh, me të drejtë riemërimi”, - është përcaktuar në Kushtetutë. Përsa i përket mënyrës së funksionimit të Këshillit të Ministrave, është miratuar një ndryshim, çështja e mocionit ndaj kryeministrit të Kuvend. Konkretisht, është miratuar ndryshimi për nenet 104 dhe 105, që flet për procedurën e kërkesës së mocionit ndaj kryeministrit. “1/5 e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit në detyrë, duke propozuar një kryeministër të ri”, miratoi Kuvendi.

7 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›