E Diel, 1 Nëntor 2026

Priten ndryshime ne ligjin per legalizimet, terhiqet Berisha



Erald Kapri

Kryeministri Sali Berisha është tërhequr nga praktika e dikurshme që kontestonte çdo kthim ligji nga Presidenti i Republikës. Kthimi i ligjit për ndryshime në legalizime nga presidenti Topi duket se ka pasur vlerë më shumë se ideja që ishte ligji i parë i kthyer në Kuvend nga Topi. Berisha deklaroi se dekreti do të konsultohet gjerësisht përpara se ai të kalojë në Kuvend. “Natyrisht, si në çdo rast, do të ketë negociata intensive para se dekreti të shkojë në Kuvend. Kjo është një praktikë e ndjekur në mënyrë të vazhdueshme. As ky dekret nuk mund të dalë jashtë kësaj praktike. Unë dua t’ju siguroj se do merret për bazë çdo gjë thelbësore, pra jo vetëm sugjerimet e presidentit, por edhe të atyre me të cilët do të negociohet. Unë e konsideroj këtë një proces normal”, - tha Berisha përpara gazetarëve në konferencën e djeshme. Nga ana procedurale ligji tashmë kërkon 71 vota deputetësh, çka nënkupton që negociatat janë të nevojshme për miratimin e tij. Nga ana tjetër, republikanët, aleatët më të ngushtë, i kanë kontestuar këto ndryshime dhe kanë kërkuar riformulin e tij. Pak ditë më parë presidenti Topi mbrojti nga Ohri vendimin e tij për kthimin e këtij ligji. E kam konsideruar dhe e konsideroj arsye teknike dhe ligjore dhe besoj se janë mjaft të argumentuara. Nuk mund të eci pas paragjykimeve. Në të gjithë karrierën time politike i kam pozicionet e qarta dhe jashtë çdo paragjykimi”, - tha Topi.
Ligji
Ndryshimet në ligjin e legalizimeve u votuan pak javë më parë në Kuvend me një numër minimal votash prej 52 deputetësh, edhe pse bëhej fjalë për një ligj të rëndësishëm, që prek mbi 350 familje në vend. Ndryshimet u kontestuan shumë ashpër nga opozita. Sipas deputetëve opozitarë, ndryshimet do t’i thellojnë më tej problemet me pronësinë. Njëkohësisht opozitarët theksuan se ALUIZNI do të marrë fuqi ekzekutive për të dhënë tituj pronësie dhe kjo është e papranueshme, që pushteti ekzekutiv të japë tituj pronësie kur prona vetëm blihet, trashëgohet apo fitohet vetëm me vendim të gjykatës me formë të prerë. Opozitarët janë shprehur se ndryshimet shmangin edhe pushtetin lokal në këtë proces, gjë që është e jashtëligjshme dhe antikushtetuese. Nga ana tjetër, maxhoranca i cilësoi ndryshimet si të nevojshme për t’i dhënë me shpejtësi fund procesit të legalizimit të zonave informale.
Vizat
Gjatë konferencës për shtyp Berisha foli edhe për vizitën e tij në Bruksel, për takimet dhe konkluzionet e takimeve në kryeqytetin europian. “Një tjetër temë shumë e rëndësishme në këto bisedime ishte çështja e liberalizimit të vizave, ndaj së cilës shqiptarët janë shumë të ndjeshëm. Unë dhashë të gjitha garancitë, - siç dhe ju e dini, sepse jam njeri i fjalës së mbajtur, - se ne do të firmosim çdo marrëveshje me secilin vend anëtar të BE-së për të bërë luftën më transparente ndaj krimit të organizuar dhe për të realizuar standardet më të larta të sigurisë. Ne do të zbatojmë procedurat më moderne për kontrollin e integruar të kufijve, pasi lëvizja e lirë është jetike për Shqipërinë”, - tha Berisha.
Imuniteti - Gjykatat
Një tjetër çështje e komentuar nga kryeministri Berisha ishte edhe nisma parlamentare e PD-së për heqjen e imunitetit të deputetëve. Berisha u shpreh optimist se kjo nisëm do të miratohet. “Por të tilla janë reformat, ato kërkojnë durim, insistim, arsyetim dhe kompromis. Jam i bindur se opozita do të bindet për këtë çështje. Ne kemi ndërmarrë nismën për të mos e kaluar me 84 vota në Kuvend, sepse Komisioni i Venecias ka dhënë qartë dritën jeshile për kalimin në Kuvend të kësaj nisme me 84 vota. Por sërish unë mendoj se edhe këtë nismë do ta realizojmë me opozitën”, - tha ai. Kryeministri Berisha foli njëkohësisht edhe kthimin e ligjit të “gjobave” nga Gjykata Kushtetuese. “Nuk mendoj se ekzekutivi do të marrë një hap kundërthënës, por duhet të theksoj një gjë, meqë jemi te kjo çështje; ka një vendim fatal të gjykatës, i cili i jep të gjithë pushtetin gjykatës dhe, në mënyrë absolute i gjithë pushteti nuk mund t`i jepet gjykatës sepse në asnjë vend të botës nuk ka gjithëpushtet gjykata. Por, kjo çështje nuk zgjidhet me kundërshtim vendimesh, kjo çështje zgjidhet me reforma”, - paralajmëroi Berisha.

Nenet e ligjit të cilat Presidenti i cilësoi antikushtetuese

Neni 4
Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale
1. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) është institucioni përgjegjës për:
a) realizimin e procesit të legalizimit dhe përgatitjen për regjistrim fillestar të ndërtimeve informale, në përputhje me procedurat e përcaktuara në këtë ligj;
b) bashkëpunimin dhe njësimin e procedurave me organet qendrore shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore, për procesin e urbanizimit dhe të integrimit të zonave/vendbanimeve/ bllokbanimeve me ndërtime të legalizuara;
c) programimin e fondeve nga buxheti i shtetit për legalizimin dhe urbanizimin e territoreve informale;
ç) krijimin dhe përpunimin e informacionit hartografik, në shkallë 1:500 – 1:5000, që do të përdoret për procesin e legalizimit dhe të urbanizimit të ndërtimeve informale, si dhe për investime në infrastrukturë, në nivel kombëtar;
d) dhënien e lejes së legalizimit, sipas nenit 28, të këtij ligji.
Paragrafi (d) neni 10
d) Përgjatë procedurës së hartimit dhe plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI në bashkëpunim me ZRPP-në, identifikon rastet kur parcela ndërtimore, në të cilën është ngritur objekti informal, figuron e regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme, në pronësi të të tretëve, dhe i dërgon Këshillit të Ministrave listën me të dhënat për çdo pronar dhe sipërfaqet takuese.
Neni 16
Leja e legalizimit, e shoqëruar nga dokumentacioni teknik dhe kartela e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të legalizuar paraqiten nga ALUIZNI në ZRPP për regjistrimin fillestar të objektit në regjistrat e pasurive të paluajtshme, në përputhje me ligjin nr.7843, datë 13.07.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar.
Neni 27
Dokumentacioni tekniko-ligjor për legalizimin e ndërtimit informal përfshin:
a) gen-planin e objektit në shkallën 1:500, të përgatitur nga ALUIZNI;
d) vërtetimin ose certifikatën e pronësisë së parcelës ndërtimore nga ZRPP-ja përkatëse (pasi subjekti të jetë pajisur me të sipas këtij ligji, kur ai e disponon menjëherë gjatë vetëdeklarimit) dhe/ose çdo akt tjetër ligjor për fitimin e pronësisë;
dh) deklaratën personale, që merr përsipër përgjegjësinë për çdo pasojë, që mund të rrjedhë nga shkaqe natyrore dhe/ose nga përdorimi i banesës. Sipas këtij ligji, shteti nuk është përgjegjës për kompensimin ose dëmshpërblim në raste fatkeqësish, për shkak të faktorëve që ndikojnë në qëndrueshmërinë e objektit.

7 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›