E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi fton përfaqësuesit prestigjiozë të biznesit të rrisin investimet në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

27 nëntor 2008
Stamboll, Turqi

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, Presidenti i Republikës së bashku me delegacionin zyrtar shqiptar kanë qenë në qytetin e Stambollit.

Në Hotel Marmara Presidenti Topi ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të biznesit, kompanive dhe firmave prestigjioze turke. Presidenti Topi është pritur nga Kryetari i Shoqatës së Dhomave të Tregtisë së Ballkanit dhe të Bordit të Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë, Rifat Hisarcikliolu, Kryetari i Këshillit të Biznesit shqiptaro-Turk, Hasmet Kyrym dhe biznesmenë të tjerë.
Në këtë veprimtari ishin të pranishëm dhe përfaqësues të delegacioneve zyrtare të vendeve të Ballkanit që kanë marrë pjesë në “Balkan Economic Summit”, përfaqësues të dhomave dhe institucioneve të ndryshme me karakter tregtar, autoritete lokale, etj.

Në mesazhin e tij përpara përfaqësuesve të biznesit ballkanik, Presidenti Topi vuri në dukje se marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare midis dy vendeve, kanë njohur rritje të dukshme. Turqia është një partner i rëndësishëm ekonomik e tregtar për Shqipërinë, duke zënë përkatësisht vendin e tretë në investime dhe në totalin e shkëmbimeve tregtare.

E megjithatë Kryetari i Shtetit Shqiptar theksoi nevojën e intensifikimit të shkëmbimeve ekonomiko- tregtare. “Marrëdhëniet politike duhet të shkojnë në sinkron me ato ekonomike. Politika pa biznesin, do ishte një demagogji, do të ishte retorikë. Politika duhet të krijojë terrenin e nevojshëm për shkëmbime ekonomike në tregun ballkanik me 130 milionë banorë, ku hyn edhe Turqia me rreth 70 milionë”.

Duke vënë në pah klimën e favorshme të të bërit biznes, kuadrin e duhur ligjor dhe lehtësirat fiskale në Shqipëri, Presidenti Topi ftoi investitorët turq dhe të tjerë të rrisin numrin e pranisë së tyre në vendin tonë. “Në Shqipëri ka shumë sektorë që paraqisin interes të veçantë për të investuar dhe ndër to unë do të veçoja energjitikën, infrastrukturën dhe industrinë e turizmit që ju ftojnë të llogarisni shanset tuaja për të investuar dhe maksimizuar fitimet tuaja.
Sepse klima e biznesit ka ndryshuar pozitivisht: barra fiskale është e vogël, barrierat e procedurave administrative janë zvogëluar, të drejtat mbi pronën dhe titujt e pronësisë kanë hyrë në procesin e standardizimit, sistemi i drejtësisë po reformohet në të gjitha drejtimet, korrupsioni ka shënuar rënie të dukshme dhe janë forcuar shumë tiparet e shtetit ligjor.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›