E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi i dorëzon flamurin skiatorit Erion Tola

Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe zv/ministri i TKRS, Dashnor Bajaziti, si dhe Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Agim Fagu, Presidenti Topi uroi delegacionin shqiptar, i cili, përveç skiatorit Erjon Tola, do të përfshijë edhe Shkëlqim Memën si shef misioni dhe trajnerin e Tolës, italianin Roberto Bonavita."Ky është një moment i veçantë, një nga ato emocione që të jep bota e sportit, por natyrisht të jep edhe simbolika e këtij aktiviteti, që lidhet me dorëzimin e flamurit kombëtar”, tha Presidenti Topi, duke shtuar se ky është një moment emocionues për të gjithë dhe mbi të gjithë për Erjonin, i cili ndonëse përfaqësues i vetëm në këto gara, do të jetë ai që do të ketë në dorë flamurin kombëtar me një mesazh shumë të fortë.Gjithashtu, Presidenti i Republikës u bëri thirrje institucioneve shqiptare që ta shohin olimpizmin si një element shumë të rëndësishëm për edukimin e brezit të ri. "Mjafton të shohësh Tiranën me gati një milion banorë, të shohësh edhe një mal, i cili i qëndron gjithmonë si kurorë qytetit të Tiranës dhe të shohësh që nuk ka asnjë skiator në ato qafa, nuk ka as një pistë, pra duhet të japim patjetër edhe sensin e realitetit, të realizmit të gjërave", u shpreh Topi.Skiatori shqiptar Erjon Tola, i lindur në Tiranë në 15 dhjetor 1986, aktualisht jeton dhe stërvitet në Cervino (Itali). Në Lojrat Olimpike të Vankuverit (Kanada) Tola do të garojë në tre gara në kategorinë ski alpine. Bëhet fjalë për super G në 19 shkurt, slalomin gjigand në 21 shkurt dhe slalomin në 27 shkurt. Më parë ai ka fituar kualifikimin për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore në “Torino 2006”, ku ka qenë flamurmbajtësi shqiptar.                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›