E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi interesohet për situatën e krijuar në Gërmenj nga zjarret në pyje.

28 korrik 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ishte sot në Gërmenj të rrethit të Kolonjës, për të marrë një informacion më të detajuar në terren, sa i përket situatës së krijuar, për shkak të zjarreve masive në pyje dhe kullota.

Me këtë rast, Kryetari i Shtetit pati një takim me drejtues dhe anëtarë të Shtabit Rajonal të Emergjencës, ku u interesua për gjendjen aktuale në këtë zonë, e cila ka paraqitur edhe numrin më të madh të rasteve problematike të vatrave të zjarrit.

Prefektja e Qarkut Korçë, zj. Elfrida Zefi, Kyetari i Komunës së Qarkut Leskovik, z. Vladimir Rezuli dhe të tjerë të pranishëm në këtë takim, e njohën Presidentin me disa prej aspekteve të punës së strukturave shtetërore për përballimin e situatës emergjente të krijuar në Gërmenj. Në plan të parë ata vendosën bashkëpunimin e frytshëm mes pushtetit vendor, forcave të Ushtrisë, efektivave të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, po ashtu edhe të vetë komunitetit. Pikërisht në saj të këtij bashkëpunimi, theksuan pjesëmarrësit është arritur izolimi zjarreve masive e me përmasa të mëdha dhe po sigurohet mbajtja nën kontroll e situatës në çdo kohë, pavarësisht vështirësive të terrenit dhe të motit.

Pasi dëgjoi me vëmendje informacionin më të fundit, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që me punën, përkushtimin, madje edhe vetëmohimin e tyre bënë të mundur arritjen e rezultateve të para pozitive në luftën kundër flakëve në pyjet e qarkut të Korçës.

Duke iu referuar situatës problematike me zjarret në disa zona të vendit, Kryetari i Shtetit i bëri thirrje strukturave shtetërore, në nivel kombëtar e rajonal, që të angazhohen për të përballuar dëmet e shkaktuara që kanë pasoja ekologjike, për të parandaluar ripërsëritjen e rasteve të tilla, si dhe ftoi median të luajë një rol aktiv për ndërgjegjësimin e opinionit qytetar, që të ruajë me përgjegjshëmri pasuritë pyjore kombëtare sot dhe për të ardhmen.

Një apel të veçantë, Presidenti Topi ia drejtoi strukturave të Shërbimi Informativ dhe Prokurorisë për të vepruar në kohë që personat, të cilët shkaktuan zjarret, të jenë pjesë e gjykimit dhe e ndëshkimit të duhur.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›