E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshëndetja e Presidentit Topi në Konferencën “10 breza magjistratësh të diplomuar ndër vite në Shkollën e Magjistraturës”

23 dhjetor 2009

I Nderuar zoti Kryetar i Gjykatës Kushtetuese,

E nderuara zonja Kryetare e Gjykatës së Lartë,

E nderuara zonja Drejtore e Shkollës së Magjistraturës,

Të nderuar profesorë dhe studentë,

Të nderuar të ftuar!

Ftesën për të marrë pjesë në këtë përvjetor jubilar që lidhet me rolin e çmuar të Shkollës së Magjistraturës që prej fillimit dhe krijimit të saj në pasurimin dhe veprimtarinë e pushtetit gjyqësor e prita dhe e pranova me një kënaqësi të veçantë. Gjej rastin që të nënvizoj dhe të vlerësoj qysh në fillim këtë kontribut të jashtëzakonshëm të Shkollës së Magjistraturës, e cila ka ofruar, në rrjedhën e viteve, magjistra të aftë profesionalisht dhe të mbushur plot dëshirë e pasion për të punuar në fushën e tyre të vështirë. Jam i bindur se kjo Shkollë ka qenë dhe mbetet një arritje e vyer dhe gur themeli i rëndësishëm për pushtetin gjyqësor dhe organin e prokurorisë dhe se ajo ka arritur me shumë mund, përpjekje dhe sakrifica deri tani, t’u përgjigjet siç duhet sfidave që i kanë dalë përpara përsa u përket edukimit dhe përgatitjes sa më të mirë profesionale të magjistrave të rinj.

Shoqëritë e vendeve në zhvillim, si kjo e jona, që janë në konsolidim të vlerave të rëndësishme politike, demokratike, dhe të shtetit të së drejtës, që janë në përballje me sfida të rëndësishme integruese e kanë thelbësisht të nevojshme rritjen e profesionalizmit, integritetit, autoritetit, paanësisë dhe performancës të sistemit të drejtësisë. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët të rrisin cilësinë e veprimtarisë së sistemit të drejtësisë, të ruajnë të pastra interesat e dhënies së drejtësisë, të ngjallin besim dhe optimizëm tek publiku për sistemin e drejtësisë. Jo vetëm kaq, por duke transmetuar profesionalizëm dhe besim tek drejtësia dhe institucionet e saj i bëhet një shërbim shumë i madh vendit dhe shoqërisë, imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve për ta bërë më të lehtë shndërrimin në një shoqëri ku mbizotërojnë parimet e konstitucionalizmit dhe shtetit ligjor.

Padyshim, në të gjithë këtë sfidë jetësore, roli dhe misioni i Shkollës së Magjistraturës, nëpërmjet të diplomuarve të rinj apo trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë, ka qenë ndër më të qenësishmit. Por, natyrisht kjo gjë nuk ka qenë edhe aq e lehtë për t’u përmbushur. Pavarësisht arritjeve, sistemi i drejtësisë ka probleme dhe situata të cilat e cënojnë imazhin dhe autoritetin e tij. Në këto ditë festash nuk do të ishte e përshtatshme renditja e problematikës që mbart sot sistemi drejtësisë. Kjo në fakt, është dhe duhet të jetë objekt i punës sonë të përditshme. Por, sot me lejoni të evidentoj edhe njëherë faktin se pavarësia e sistemit të drejtësisë është një gur themeltar për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, është thelbësore në realizimin e vlerave më të mira të demokracisë, është standart pa të cilin, asnjë institucion dhe jo vetëm ato të drejtësisë, nuk mund t’i shërbejnë ashtu siç duhet Shqipërisë.

Padyshim, arritja e pavarësisë është e vështirë, është një sfidë që duhet përballuar nga e gjithë shoqëria shqiptare dhe jo vetëm nga gjyqtarët dhe prokurorët. Mendoj se është shumë i rëndësishëm ndërgjegjësimi i të gjithëve ne, shtetarëve dhe qytetarëve, funksionarëve dhe kujtdo tjetër që jeta dhe puna e lidh me sistemin e drejtësisë, me idenë se pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk është luks i tepërt për gjyqtarët dhe prokurorët, nuk është favor për të mbuluar mungesën e profesionalizmit apo fenomenet negative që errësojnë shpesh dhënien e drejtësisë. Por, krijimi i kushteve ligjore dhe organizative që gjyqtarët të japin një vendim të drejtë dhe të paanshëm është një garanci që Kushtetuta dhe shteti i së drejtës u jep jo gjyqtarëve dhe prokurorëve, por qytetarëve të vet, institucioneve shtetërore dhe private, të gjithëve. Shumë prej nesh përballen dhe do të përballen me çështje gjyqësore të natyrave të ndryshme. Por, vetëm një gjyqtar i pavarur do të mund të mbrojë interesat e drejtësisë, jashtë ndikimeve politike, ekonomike apo çfarëdoqoftë. Sa më i pavarur të jetë një gjyqtar dhe prokuror nga influencat politike dhe ekonomike për t’iu imponuar vendimmarrjen e tyre, aq më shumë shanse ka shoqëria për vendimet më të drejta, për vendime më ligjore. Për këtë arsye e konsideroj pavarësinë e gjyqtarëve si thelbësore për konsolidimin e shoqërisë shqiptare në përputhje me vlerat ku dëshirojmë të integrohemi.

Të gjithë jemi koshientë që çdo ditë, në një kontekst, apo një tjetër vjen dhe përmendet sistemi i drejtësisë, përmenden gjyqtarët, përmënden pikërisht nga ata që vetë procedurat e dhënies së drejtësisë i përplasin në kuptimin e vërtetë të fjalës me problemet e sistemit të drejtësisë, përmëndet nga politika, përmëndet në debatet politike dhe natyrisht në jo pak raste përmëndet me konotacion negative. I takon komunitetit të gjyqtarëve, i takon të gjitha institucioneve të drejtësisë që të vihen në kushtet e një solidariteti mbi bazën e një integriteti individual, por edhe mbi bazën e standardeve profesionale, pra, t’i vihen një pune serioze e të kujdesshme, jo thjesht për të kaluar në instiktin e vetëmbrojtjes, por përkundrazi të jenë koshient për të pranuar të gjitha sfidat që ka sot sistemi i drejtësisë, për të qenë pjesëmarrës në një debat profesional, por edhe publik, sepse pa dashur të hap një debat të ri, sepse ky është një debat konstant, që zhvillohet në çdo moment, çdo ditë, duket sikur nuk ka spacio për debatin e drejtësisë, nuk ka politika për ato gjëra që natyrisht që janë të lirë të zhvillojnë debatin mbi drejtësinë, por nuk kanë përgatitjen e duhur për të dhënë referenca të sakta, që debati mbi drejtësinë të mos jetë i ambjenteve të mbyllura, por të jetë një debat në funksion të mbarë shoqërisë.

Unë sigurisht që kam marrë pjesë në retrospektivë në të gjithë ato debate që janë zhvilluar për reformën në drejtësi dhe realisht është bërë punë. Njeriu që të kuptojë atë që është bërë duhet të kthejë kokën mbrapa. Reforma në drejtësi nuk bëhet me veprime revolucionare, që atë që e mendoj sot ta realizoj e ta bëj javën që vjen, absolutisht jo! Reforma në drejtësi ka qenë një kontribut i të gjithëve ne, i klasës së politikanëve, i gjeneratave të ndryshme që kanë kaluar në Parlamentin shqiptar. Kanë qenë në radhë të parë i një kontigjenti të rëndësishëm të gjyqtarëve, të prokurorëve, të cilët kanë vitalizuar institucionet në periudhën e tranzicionit demokratik. Dhe këtu ne jemi sot për të përkujtuar një jubile lidhur me diplomimin e dhjetë gjeneratave të magjistratëve, edhe në këtë sens është bërë shumë. Të marrësh diplomën e magjistrantit është vetëm fillimi i një pune të gjatë. Do të dëshiroja që t’ju stimuloja pikërisht pjesëmarrjen në këtë debat profesional në mënyrë që drejtësia të fillojë në kuptimin e vërtetë të fjalës të takojë ato standarde që ka drejtësia evropiane. Ne falenderojmë shumë ata që na kanë ndihmuar, që na kanë dhënë asistencë, që kanë monitoruar dhe na kanë dhënë eksperiencën e huaj se ku ka ecur drejtësia në vendet që ne dëshirojmë të integrohemi, por sigurisht ky është një proces i cili konsiderohet autosufiçent. Duhet që nga kontigjenti i gjyqtarëve të dalin pikërisht elementët më cilësore për ta përballuar këtë debat. Përse unë e cilësova këtë moment, për të cilin nuk mund të rrihet pa u folur? Gjërat nuk mund të rrinë në një stad të qetë aty ku ekziston problematika. Sot, në sistemin e drejtësisë vërehen elementët e vazhdimësisë së reformës. Vërtet i kërkojmë shtetit, gjyqtarëve dhe prokurorëve, por jo në të gjitha rastet në mënyrë komplekse ky sistem është i vlefshëm dhe i pajisur me legjislacion. Padashur të futëm në vullnetin e partive politike, e kam thënë dhe e shpreh dhe një herë që, është absolutisht në të drejtën e tyre, por edhe në përgjegjësinë e tyre që të vazhdojnë reformën në legjislacion, sidomos në fushën e drejtësisë. Mjaft ligje në sistemin e drejtësisë kërkojnë një votim të kualifikuar dhe sigurisht që kërkojnë një numër minimalisht të domosdoshëm për ta realizuar këtë legjislacion. Nuk dëshiroj të futem në debate, të cilat sot mund të edhe keqinterpretohen dhe mund të keqkuptohen, sepse në cilësinë e Presidentit të Republikës flas gjithmonë me gjuhën e ligjit dhe të Kushtetutës. Por nuk duhet që në asnjë rast të krijohet mjegull përsa u përket keqinterpretimeve, apo deformimeve ndonjëherë me karakter politik që influencojnë ndjeshëm sistemin e drejtësisë. Duhet që të gjithë së bashku, duke filluar nga unë i pari, duhet të ngremë zërin. Atë apel që kam bërë para zgjedhjeve të 28 qershorit, duke u kërkuar partive politike që në mënyrë të drejtëpërdrejtë, si një detyrim paraelektoral të mbështesin vazhdimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Duke parashikuar që me ligjin e ri elektoral, formacioneve politike në Parlament, ndoshta nuk do t’u jepej shansi që të merrnin kontigjentin e duhur për të bërë votime të cilësuara. Duke e parashikuar këtë gjë, unë kërkova që të kishte vazhdimësi nga partitë politike, gjë që nuk e kanë bërë. Sot kam rastin që në këtë jubile të rëndësishëm, kur flasim për kualifikimin e sistemit të drejtësisë, kur flasim për promovimin e vlerave intelektuale e profesionale për të ardhmen e sistemit të drejtësisë, i bëj thirrje politikës që t’i japë jetë vazhdimësisë së reformave në fushën e drejtësisë. Vetëm në këtë mënyrë do të ketë një kompatibilitet midis një politike vizionare që përfaqësohet në standardet më të larta të vendeve demokratike evropiane, por që bën të mundur dhe rritjen e peformancës së gjyqtarëve, rritjes së punës së prokurorisë, së kompozicionit, në mënyrë që sistemi i drejtësisë të dalë në një stad të ri që njerëzit të kenë besim tek gjyqtari, të kenë besim tek drejtësia për të gjitha çështjet që ngrenë. Është çështje principiale që ka të bëjë me jetesën e tyre, ka të bëjë me pronat e tyre, ka të bëjë me stabilitetin e parimet kushtetuese të Shqipërisë.

Sigurisht ne kemi folur gjatë për pavarësinë. Kjo pavarësi për hir të së vërtetës, dikush shprehet që nuk ekziston dhe dikush shprehet që ekziston. Unë mendoj që janë bërë hapa të rëndësishëm përpara për fitim e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Kush thotë të kundërtën, natyrisht që kërkon të fshehë diçka. Unë besoj që më tepër sesa pavarësia e institucioneve të drejtësisë, është pavarësia individuale e çdo individi që punon në një sektor të caktuar të sistemit të drejtësisë. Është një çështje që ka të bëjë me integritetin individual, ka të bëjë me profesionalizmin e tij dhe tek fundit është ky kombinacion që na jep shansin që të kemi drejtësi. Por gjithsesi ne duhet ta vlerësojmw këtë sens pavarësie. Natyrisht që kjo pavarësi nuk mund të jetë çështje e vullnetarizmit, vendimmarrjes sipas dëshirave personale, por është mbi bazën e ligjit, mbi bazën e Kushtetutës, mbi bazën e solidaritetit professional, e cila nuk duhet të fillojë thjesht nga një vendimmarrje, por edhe me konsultat e duhura në mëyrë që sistemi ynë të ketë një drejtësi të kualifikuar.

Sikurse e thashë jemi në prag të festave dhe temat e debatit sigurisht duhet të jenë më të bukura, sepse një sezon i ri që vjen pas Vitit të Ri na pret, qoftë politikën, qoftë gjyqësorin që të përfshihemi në debate të rëndësishme, unë në mbyllje të fjalës sime dëshiroj që të uroj të gjithë brezat që janë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, të uroj stafin drejtues të kësaj Shkolle, i cili vërtet ka treguar që është në nivele të mira kualifikimi, të falenderoj të gjitha misionet e Këshillit të Evropës që kanë asistuar për kualifikimin e Shkollës së Magjistraturës, për sistemin e drejtësisë, t’ju falenderoj juve të gjithëve dhe t’ju uroj festa të mbara dhe një vit të mbarë!

Ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›