E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi kthen Shqipërinë në FIFA

President Bamiri kthen Shqipërinë në FIFA. Një realitet që përkon me një vullnet politik, një vullnet që përkon me një ndjeshmëri të vazhdueshme karshi futbollit, një sport, ku presidenti nuk mungon sa herë ia lejon axhenda. Dhe ka ndodhur dje. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti të dje në Presidencë dhe zhvilloi një takim pune me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango dhe me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. Gjatë takimit institucional, të iniciuar nga kreu i shtetit, u diskutua rreth pezullimit të ekipeve tona kombëtare të futbollit nga veprimtaritë ndërkombëtare sportive dhe gjetjes së një zgjidhjeje përfundimtare të kësaj çështjeje tepër shqetësuese dhe me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme kombëtare. Presidenti Topi shprehu mbështetjen dhe gatishmërinë e plotë institucionale për të inkurajuar këtë proces brenda kompetencave ligjore dhe kushtetuese dhe për të shërbyer si katalizator për zgjidhjen e menjëhershme të kësaj çështjeje, duke gjetur mirëkuptimin dhe gatishmërinë e palëve për arritjen e një kompromisi dhe zgjidhjeje ligjore dhe afatgjatë. Ministri Ylli Pango u shpreh mbas këtij takimi se, “u realizua ajo që kam kërkuar më 20 shkurt 2008, kur kam firmosur statutin e FSHF-së, me përjashtim të nenit 53. FIFA ra dakord që ky nen që është antiligjor të ngrijë dhe statuti të jetë i firmosur, siç e kam firmosur më 20 shkurt, me përjashtim të këtij neni. Kjo që u arrit sjell edhe heqjen e pezullimit të Shqipërisë nga organizmat ndërkombëtare.”

Ndërsa presidenti i Federatës, Armand Duka, u shpreh se, “FSHF do të pezullojë nenin 53 deri në një kohë të dytë dhe me kontributin e përbashkët do të bëhet i mundur regjistrimi i statutit të FSHF-së në gjykatën e Tiranës dhe pas marrjes së këtij konfirmimi do t’iu çohet organizmave ndërkombëtare. Ndërkohë që do të ngrihet një grup pune i përbashkët: MTKRS-FIFA-UEFA dhe FSHF, për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura pezull. Neni 53 i statutit të FSHF-së, i cili provokoi edhe debatin midis MTKRS-së dhe FSHF-së do të ngrijë, ndërsa pritet që në Tiranë të vijnë përfaqësuesit ligjorë të dy organizmave më të larta të futbollit botëror e europian. Institucionet ndërkombëtare, FIFA e UEFA, me anë të një faksi dërguar Dukës dhe ministrit Pango, bënë edhe propozimin e ngrirjes së nenit 53 ose heqjen e tij dhe firmosjen e statutit dhe miratimin e tij deri në mbledhjen e asamblesë më të afërt të FSHF-së. Për këtë qëllim do të ngrihet një grup pune katërsh, në të cilin do të marrin pjesë përfaqësues të MTKRS-së, FSHF-së, FIFA-s e UEFA-s, për të artikuluar një nen tjetër të statutit të FSHF-së, që të respektojë ligjet e shtetit shqiptar dhe autonominë e federatës. Një meritë e padiskutueshme dhe tërësisht e pamohueshme, një realitet për Presidentin e Republikës që arriti të jetë nismëtar dhe negociator në një problem të tillë shumë të ndjeshëm për futbolldashësit shqiptarë. Tashmë, drita jeshile është hapur. Shteti hapi rrugë, zoti Topi e mbrojti futbollin. Data 2 maj pritet që ta kthejë Shqipërinë sërish në FIFA dhe kjo, si atribut i vullnetit për dialog nga kreu i shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›