E Shtunë, 31 Tetor 2026

Realiteti i errët në universitetin e Durrësit

Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit (UAMD), është institucioni publik i arsimit të lartë më i përkëdhelur nga ministria dhe më i përfolur nga akademikët, studentët dhe publiku. Në këtë institucion ngërthehen shumë kundërshti, kuriozitete, paradokse dhe intriga, ndoshta siç mund të ndodhin në shumë institucione të tjera. Veçantia e këtij universiteti është kontrasti që ekziston midis të dukshmes – asaj që shihet jashtë e që reklamohet dhe të padukshmes – asaj që ndodh në brendësi, në marrëdhëniet që ekzistojnë në administratë dhe hierakitë e ngurta e të errëta.

UAMD filloi të funksiononte në vitin akademik 2006-2007, duke u shoqëruar me kritika dhe kundërshti në lidhje me emrin “Aleksandër Moisiu”; që edhe pse është emër shumë i nderuar, për shumë intelektualë durrsakë ishte i papërshtatshëm për një universitet. Përpara se universiteti të funksiononte, dolën lajmërimet në gazeta, ku renditeshin kriteret që kërkoheshin për rektorin, dekanët dhe pedagogët. Paradoksi qëndronte te kriteret e pakta që kërkoheshin për një rektor: shkolla e lartë, masteri e gjuhë të huaja; si dhe kërkesat e shumta në lidhje me kualifikimin e pedagogëve që duhet të kishin mundësisht doktoraturën. Koha tregoi se pjesa dërrmuese e pedagogëve që janë pranuar në UAMD, sapo kanë mbaruar shkollën e lartë, jo më të kenë mastera, madje disa prej tyre (që kanë dhe poste dekanësh), e kanë mbaruar shkollën e lartë për 9 ose për 11 vjet. Pra, reklama e madhe pozitive që i është bërë nivelit akademik të universitetit fsheh një realitet gati të kundërt.

Ankesat dhe shkrimet kritikuese që kanë ardhur në redaksitë e gazetave, në të cilat unë punoj, kanë qenë të shumta, disa prej të cilave ishin të mirargumentuara. Shumë pedagogë, CV dhe eksperienca e të cilëve është për t’u përgëzuar, nuk kanë arritur të bëhen pjesë e këtij universiteti ‘të paarritshëm’, madje, edhe kur janë bërë pjesë e tij, janë trajtuar jo sipas meritave të tyre, disa dhe janë larguar padrejtësisht. Ankesat nuk janë bërë vetëm prej pedagogëve të rebeluar apo të fyer nga trajtimi që i bëhet në këtë institucion, tepër të zhgënjyer kanë dalë dhe shumë studentë, që e kanë ngritur zërin duke aktivizuar kryetarin e senatit studentor, duke bërë protesta (të cilat janë neveritur nga administrata apo pedagogë të përkedhur të udhëheqjes universitare), ose duke botuar shkrime nëpër gazeta. Studentët ndihen të lënë mënjanë, të painformuar dhe të diskriminuar nga pragu absurd i 60%, i cili cenon padrejtësisht kalueshmërinë e tyre. Studentët ankohen me fakte për pedagogë të caktuar që nuk shpjegojnë, por iu thonë: “Lexojeni vetë librin”; për pedagogë të pasjellshëm dhe për shkelje të tjera, të cilat, nëse provohen, do jenë të rënda për universitetin e Durrësit.

Kundërshti dhe ankesa kam lexuar e dëgjuar nga intelektualë, gazetarë dhe pedagogë për vetë rektorin e UAMD, Agim Kukelin, i cili kritikohet për autoritarizëm, drejtim të centralizuar, duke u nisur nga përkëdheljet politike e partiake, favorizime dhe nënvleftësime të kandidatëve dhe të kualifikuarve si pedagogë a punonjës administrate, si dhe për mungesë transparence dhe komunikimi me stafin akademik të universitetit. Duke qenë se drejtuesi kryesor i universitetit ka një konfiguracion të tillë, disa dekanë dhe drejtues të hierarkive të ndryshme kanë filluar të shfaqin të njëjtat tipare negative si të Kukelit. Ata janë bërë shumë autoritarë, (sikur kolltuku e posti t’iu jetë lënë në trashëgim nga babai), mospërfillës ndaj rregullave dhe nënçmues ndaj pedagogëve. Imazhi që ka rektori Kukeli është në vijë paralele me imazhin e universitetit, i qartë, transparent dhe i rregullt nga jashtë, por i errët dhe i ngurtë nga brenda.

Më vjen keq që universiteti i shumëpritur nga qytetarët durrsakë po zhgënjen pjesën më të madhe të tyre, duke sjellë çdo ditë e më shumë fakte dhe ngjarje të pakëndshme nga realiteti brenda UAMD, që siç duket është i kundërt me imazhin e tij të jashtëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›